Shpresa e shqiptarëve dhe barku shterpë! Nga Arian Galdini

Shpresa e shqiptarëve dhe barku shterpë! Nga Arian Galdini

465
0

Takova një mik me plot vite mbi shpinë e thinja mbi kokë. Sa herë ndjej nevojën të dëgjoj urtësi e kthjelltësi dekadash dhe thinjash të pastra si dëbora e parë, i bëj tel dhe gjerb kafenë e nisjes së ditës me të. Ka mbi 7 dekada jetë e nuk rresht asnjë çast pa u përfshirë me pasion në çështjet e përditësisë. Çka më jep mua kënaqësi të kulluar e të parrëfyeshme kur flas me të është shqetësimi i tij për të sotmen dhe shpresa për të nesërmen. Më shtang fuqia e tij shpirtërore për të shpresuar për të nesërmen. Më lë pa frymë. Prej shumë vitesh jap mësim nëpër auditorë Universitetesh dhe ndërsa koha kalon, unë bëhem gjithnjë e më i dëshpëruar. Të rinjtë që shoh të vijnë nëpër auditorë, janë përherë e më syshuar. Shpresën e kanë si provim mature, e kanë kaluar, harruar e lënë pas. Shkollimi parauniversitar me tekste të çartura, mësues militantë partie apo me frikë në zemër nga partia, shkolla publike të cofme, e shkolla private që mbijetojnë si çakej të tregut, druaj se i kanë formësuar keta të rinj me frymën e botëkuptimin e kapitullimit pa kushte. Në shkollat publike bëjnë rompallë dhe fusin miq për të marë notat që u lejojnë të vazhdojnë rrugën për më tutje. Nëse nuk bëjnë punë miqtë, bëjnë punë kurset private me kosto të lartë që bëhen tek mësuesit e lëndëve dhe dhuratat e shtrenjta për 7 marsin. Ndërsa në shkollat private, me tarifën e paguar i riu i sotëm ble notat bashkë me diplomën. Paradoksi shkon deri aty, sa edhe prindërit nuk kërkojnë më llogari për dijen që kanë e japin, si edhe për formimin e kapacitetet profesionale mësimdhënëse dhe edukative të mësueseve e shkollave, por për notat që duan tu marin fëmijët. Nuk ka më fare rëndësi dija. Vetëm nota vlen. Nota hap rrugë për të blerë pjesën tjetër në vijimësi. Kësisoj, ky lloj i riu vjen në auditorët e Universitetit, i qartë sa më s’bëhet. Nuk ka arsye pse të shpresojë.. Nuk ka çudi e as të papritura për të. Nuk ka as aspirata, ka pakufishmërisht pretendime. E di se gjithçka duhet të bëjë, është të mësojë emrat e lëndëve, por këto nuk janë gjithmonë të domosdoshme, emrat e pedagogëve, këta janë të domosdoshëm, dhe të shtyjë kohën në klasë, nëse ia shkrep në kokë që të shkojë në klasë, ndërsa ka kohë gjithë semestrin që ti gjejë mikun a çmimin pedagogut. I riu i tillë, paguan tarifën shtetërore apo private, që kur ka provim të kopjojë, kur ka detyrë kursi të vjedhë punime nga interneti, e kur nuk i bën dot as njërën as tjetrën, të gjejë mikun a çmimin e pedagogut që të kalojë provimin a marë notën e synuar. Përsëri ka prindër, që e ndjekin këtë hartë veprimi të të riut të tillë. Ka prindër që rendin pedagog pas pedagogu, dekan pas dekani, rektor pas rektori, që të gjejnë mikun që u jep notën që duan për fëmijën e tyre. Kujdes, nuk kërkojnë dije për fëmijën e tyre. Kërkojnë notën. Dhe pasi ia del të kryejë diplomimin, e madje të bëjë edhe Master e ndoshta edhe Doktoraturë, i riu i tillë, nis të çalltisë për të gjetur punë. Rifillon e njëjta hartë. Kush ka mik, troket në dyert e mikut për punë. Kush ka para, pyet për çmimin që duhet të paguajë që ta blejë vendin e punës. Kush ka edhe mik edhe para, bën karrierë. Kush nuk ka as njërën, as tjetrën, bëhet militant partie. Të gjithë këta bëhen varrmihësit dhe jetënxirësit e pedagogëve të ndershëm që nuk njohin as çmim e as mik. Pedagogët e ndershëm, bien viktima të këtij sistemi. Janë ende shumica. Rreziku është se vit pas viti, pedagogët e ndershëm po e ndjejnë shumë të ngushtë lakun e armiqësisë dhe padëshirueshmërisë që po u shtrëngohet pa pikë mëshire. E sigurtë është se po vazhdoi kështu kjo shtrëngesë laku, shumica e pedagogëve të ndershëm, do të bëhet pakicë e bezdisshme. Besomëni, po e lamë të vazhdojë edhe pak kohë këtë rënie të lirë në këtë hon babëzie e papërgjegjshmërie, nuk do kemi më edukim brezash, por vitrina kaqolash që ngrefosen me çertifikata të blera. Po vazhdoi kështu, pas disa vitesh, mësuesit e pedagogët do të jenë thjesht notashitës, ndërsa nxënësit dhe studentët do të jenë konsumatorët. Kjo rënie do ta mbajë ekonominë ngahera të vogël, informale dhe familjare. Sipërmarësit e vegjël dhe të mesëm do të vazhdojnë të punësojnë nipër, mbesa, miq e taraf të besuar. Sepse nuk u duhet ai që di, por kush mëson shpejt marifetet dhe mbron kockën e të vetit, duke ua punuar të tjerëve dhe shtetit. Nuk kanë rrugë tjetër të tilla sipërmarrje. Ose do rriten me imagjinatë, zotësi dhe ligjshmëri, ose do mbijetojnë e fitojnë me marifete, besnikëri e informalitet. Sipërmarësit e mëdhenj do kërkojnë më të mirët e pakicës që vlen. E megjithatë, këta që vlejnë do të mbeten pakicë. Ndërkohë, edhe kjo pakicë të vlefshmish që punon për Sipërmarësit e mëdhenj, do të jetë rreptësisht e rrethuar nga besnikët e tarafit qe bëjnë e dinë punët e pista të Shefave. Kjo do të sjellë që ekonomia jonë përveçse do të vazhdojë të mbetet e vogël dhe me frymëmarrje prej të sëmuri rëndë, do të jetë edhe ekonomi me natyrë fortësisht të dukshme antinjeri. Shpirti i përfitimit dhe shtigjet e informalitetit do të mbajnë në këmbë sistemin e tregëtarit grosist që ble jashtë vendit mallra të cilësisë së dobët, ushqime të skaduara e larg standartit, paguan tarifat e shtetit, pastaj paguan tarifat e nënshtetit të të gjithë kontrollorëve, taksidarëve dhe inspektorëve përkatës, magazinon mallrat, falcifikon datat e skadencës dhe ambalazhet, e bën shumë para duke u shitur njerëzve helm e fëlliqësi. Këtë e di edhe ai sipërmarësi i mesëm dhe i vogël. Sepse kur ble mall tek grosisti, e di çfarë ble dhe kur shet mall në shitoren e tij, e di çfarë shet. Ky është krim i pastër që bëhet në bashkëpunim kundër njeriut. Kështu veprojnë edhe të tjerë që blejnë e shesin ilaçe, që prodhojnë e tregëtojnë produkte bujqësore e blegtorale. Ligësia më e madhe antinjeri në këtë vend, shkon deri aty sa edhe ushqimet për fëmijë janë pjesë e kësaj harte të veprimit tregëtar. Ndërgjegja ka mbaruar punë në këtë vend. E vetmja gjë që e ka origjinale datën e skadencës është ndërgjegja. Të gjithë ia kanë lexuar ia dinë datën e skadencës dhe e kanë nxjerrë jashtë përdorimit ndërgjegjen. Harta antinjeri funksionon edhe në shtet. Vendet e punës shiten nga drejtorë e udhëheqës partie. Ka të tjera vende pune që janë për hordhinë e militantëve që mbledhin vota për Partinë, që Partia të fitojë zgjedhjet e pastaj të gjithë bashkë të bëjnë plaçkë mbi Shtetin. Shëndetësia bëhet antinjeri sepse Doktori, infermieri dhe laboranti duhet të jenë apo bëhen anëtarë partie që të fitojnë e mbajnë një vend pune në spitale a qendra shëndetësore. Ata që nuk janë anëtarë partie, duhet të paguajnë me zarf të mbushur mirë. Prandaj sillen aq keq një pjesë prej tyre, prandaj ka aq shumë pandjeshmëri në spitalet e qendrat tona shëndetësore, sepse anëtarët e partisë nuk dinë të kenë kujdes për njeriun, ndërsa zarfpaguesit duhet të dalin me fitim nga vendi i punës që kanë blerë. Edhe inspektorët që duhet të na garantojnë mbi mbarëvajtjen e kopshteve, çerdheve, shtëpive të kujdesit për fëmijët jetimë apo për të moshuarit, për sigurinë e ushqimeve, ilaçeve, karburanteve, gazit, ujit, prodhimeve bujqësore e blegrotale, etj, etj, nuk e kanë mendjen tek ne qytetarët. Ata e kanë blerë vendin e punës dhe gjithashtu u duhet të bëjnë lekët për tu çuar zarfin e kuotës së marrëveshur, rregullisht shefave dhe udhëheqësve politikë që i kanë emëruar aty. Sa më shumë ta shkelin ligjin, a të bëjnë faulla e parregullsi, apo edhe thjesht sa më shumë halle e nevoja të kenë për shërbime shtetërore, tregëtarët, sipërmarësit dhe qytetarët aq më shume fitojnë inspektorët, doganierët, policët, taksidarët, etj. Policia gjithashtu ka mendësi antinjeri, duke e konsideruar vetvetiu qytetarin keqbërës. Kujtoni rastin e para pak ditëve me Altin Bamllarin. Nuk ka vlerë më të madhe sesa kujdesi i një babai për të birin. Ata punonjës policie që kanë qenë pjesë e këtij incidenti kaq të pakëndshëm, të ulët, të dhunshëm dhe joligjor, duhet të ndihen të turpëruar sepse kanë vepruar njëlloj si zuzarë që tek çdo qytetar shohin keqbërësin. Imagjinoni pak, që nga koha e Monteskje, shtetet që duan të ndërtojnë drejtësinë dhe demokracinë, përpiqen që të shohin edhe tek keqbërësit, qytetarin. Nuk është as normal, i drejtë e as demokratik një vend ku Polici sheh tek çdo qytetar, keqbërësin. Është e pafalshme ajo që ka ndodhur me Altinin e të birin. Një qytetar, një baba, një biznesmen e taksapagues i rregullt dhe i përgjegjshëm, ka një jetë të tërë që përpiqet të edukojë në vend e paskëtaj në shkollat më të mira në botë, të birin. E ja ku vjen ky momenti i ligë, kur i biri ligjdashës dhe i mirëshkolluar, ballafaqohet me policin që e sheh si keqbërës për shkak të një gjobe të papaguar. Dhe babai shkon të mbrojë jo thjesht të birin, por edhe ligjdashjen dhe atdhedashjen për të birin. Ç’ndodh? Polici i sheh të dy si keqbërës. Sa turp. Babai dhe biri në vend që të shohin te polici fytyrën e ligjit, përballen me shëmtinë e mendjes së tij të trazuar. Ç’polic, ç’ligjzbatues, ç’prind a familjar mund të jetë ky njeri me uniformë, që kthehet në një gogol për të vështirësuar jetën e qytetarëve të ndershëm? Si mund të vazhdojë të jetë polic një njeri i tillë, që në një kohë kur të gjithë po braktisin këtë vend pikërisht nga pashpresësia, ky vendos në situatë kaq të ligësht një babë e bir që duan të qëndrojnë këtu, ti shërbejnë këtij vendi si qytetarë të ndershëm, taksapagues e ligjnderues? Atë ditë unë jam ndjerë dhe isha Altini dhe i biri, ngase e di se ne qytetarët, e kemi të sigurtë se jemi gjithësesi të dëmtuarit dhe të humburit. Askush nuk na mbron. Askush. Por kush do të na mbrojë tek e fundit? Kush? Ne pra jemi vetë autorët dhe vetë viktimat e kësaj mizorie antinjeri që e kemi ngritur në sistem. Ne jemi edhe qytetarët, edhe tregëtarët. Po nuk qemë vetë tregëtarë, kemi fqinjin, kushuririn, mikun. E nuk flasim. Ne jemi vetë edhe qytetarët edhe bujqit dhe blegtorët që dëndim me pesticide, hormone e shiringa prodhimet tona. Edhe po nuk qemë vetë bujq e blegtorë, kemi fqinjin, kushuririn, mikun. E nuk flasim. Ne jemi vetë edhe qytetarët edhe farmacistët që shesim ilaçe të skaduara, falcifikuara a me princip aktiv të ulët. Ne jemi vetë edhe qytetarët edhe anëtarët e partisë, edhe policët, edhe inspektorët, edhe taksidarët. Po nuk qemë vetë ne, kemi anëtar partie, polic, inspektor apo taksidar, fqinjin, kushuririn apo mikun. E nuk flasim. Ne jemi vetë edhe qytetarët edhe shitësit e votave e blerësit e notave, diplomave e vendeve të punës. Edhe kriminelët dhe horrat i kemi çuna lagjeje a fshati, e ndonëse na vjedhin e vrasin, ne nuk flasim, sepse i njohim e na njohin. Kur këta kriminelë i shohim që drekojnë e darkojnë çdo ditë me Kryetarët e Partive, me deputetët e Ministrat tanë, ne përsëri nuk flasim. Kur vjen dita që këta kriminelë, të fortë e cuba, na bëhen vendim-marrës në Parti, deputetë e Kryetarë Bashkie, ne përsëri nuk flasim. Gjithçka e lëmë të ndodhë dhe heshtim. Kur dikush flet dhe na tregon të vërtetën se kjo që po ndodh, nuk është e mirë, madje është mënxyrë, ne dalim e brohorasim për të mbrojtur horrat, e mallkojmë thënësin e të vërtetave. Në gjithë këtë katrahurë, i riu që vjen në klasa a auditorë me çmim note e diplome, del nga auditorët me çmim pune e bëhet deputet me çmim kandidimi e vote, nuk ka më ndalje. Dhe djalit tim, Davidit tim 3 vjeçar, nuk ka më kush ti flasë për ideale dhe ndershmëri, atdhedashuri e pasion, heronj dhe dlirësi. E unë mbytem nga ankthi dhe makthi. Nëse Shqipërinë time, Shqipërinë tonë, e shoh si nënë, kuptoj se kjo që po ndodh me rininë e brezat që po vijnë, po ia bën barkun shterpë kësaj nëne. Batërdia që po ndodh në këtë vend, të krijon përshtypjen se këtu ka gjithnjë e më shumë të rinj me çmim për gjithçka, e po shkojnë drejt pakësimit rrënues të rinjtë me shpresë e aspirata. Për ata të rinj që nuk kanë as çmim e as aspirata, Shqipëria ime ka bërë gati call centerat dhe fasoneritë. Nën këtë status mendor, social, institucional, ekonomik dhe moral ku e kemi dorovitur Shqipërinë, nuk do të ketë më as fitues dhe as ndërtues të së nesërmes. Do të ketë vetëm blerës dhe konsumatorë të së nesërmes. Ne qytetarët do të mbetemi pashmangshmërisht konsumatorë. E blerësit e vetëm të së nesërmes së saj do të jenë kultivuesit dhe shitësit e kanabisit. Heroizmi i vërtetë për të cilin do flitet ngado, do të jetë guximi për të mbjellë secili parcelën e vetë të kanabisit. Gjithçka tjetër do të duket qesharake, pabukse dhe jotrendy. Kush do të përpiqet të kërkojë një Shqipëri të imagjinatës, kreativitetit, talenteve, zotësisë, ndershmërisë, virtyteve, integritetit, do ti duhet të përballet me Shqipërinë e kanabisit. Shqipëria e kanabisit bën para përtej imagjinatës, krijon punë pa vrarje mendjeje, kërkon guxim e marifete e nuk ia ka nevojën asnjë talenti e zotësie, ndershmërinë e vë në kandar sa herë paguan tarifen tek protektorët e politikës dhe policisë, ndërsa virtytet dhe integritetin i lidh me natriban, për tu zënë frymën. Siç po duken punët, Shqipëria e kanabisit do të na rrisi edhe çmimin e votave në zgjedhje. Do shesim kanabis, do na blejnë votat. Sa më shumë kanabis në fushat, kodrinat e malet tona, aq më e shtrenjtë vota. Sa më e shtrenjtë vota, aq më shumë do të kemi parti ndërmarrje. Sa më shumë parti ndërmarrje të kemi, aq më pak nevojë do të ketë politika për njerëz të shkolluar prej vërteti, të ditur, të talentuar, që shkruajnë libra e artikuj e që mendojnë. Partitë ndërmarrje do kenë nevojë kësisoj për sa më shumë njerëz me çmim që dinë e janë të gatshëm të shesin shpirtin dhe kanabis për para. Mendimtarët dhe idealistët, do të konsiderohen një e keqe që duhet shkulur me rrënjë. Njerëzit me çmim dhe cubat, trafikantët, e parapjellësit do të jenë lubrifikanti i sistemit. Ata do të jenë mbretërit dhe shërbëtorët e sistemit. Për mendimtarët dhe idealistët nuk do të ketë vend as për të bërë roje nderi në dyert e partive ndërmarrje apo institucioneve. Rolin e mendimtarëve dhe idealistëve do ta luajnë ata, pedagogët me çmim e mik. Me pak fjalë, Shqipëria që po na sajdisin këta që po na udhëheqin e sundojnë, po bëhet Shqipëria me barkun shterpë. Pa mendimtarë e idealistë, pa shkolla e universitete të forta, pa ekonomi të lirë, të ndershme, legjitime, konkuruese dhe të imagjinatës e kreativitetit, pa parti politike me demokraci të brendshme, parti të vizioneve, idealeve, alternativave, pasionit dhe ideve, nuk do të kemi më askënd që të kuptojë, shpjegojë a ndjejë nevojën e ndryshimit të gjërave. Të gjithë do të jemi ose gojëmbyllur e të dorëzuar, ose të blerë. As te rinia nuk do mund të shpresojmë më. Ç’mund të presim nga një rini, që nuk ka asnjë model, askënd që ti flasë për librat, dashurinë, poezitë, idealet, vlerat, parimet, integritetin, dinjitetin? Një shoqëri që vret modelet dhe historitreguesit e së mirës, vetvetiu vret edhe heronjtë dhe historibërësit e së nesërmes. Prandaj unë ndihem me fat dhe i bekuar që e kam këtë mik me thinja që më tregon histori të së mirës. Ai është Plaku im i urtë e i moçëm që më tregon rrugën që të çon e të kthen dhe rrugën pa kthim. Dhe unë kam vendosur të mar rrugën pa kthim. Prandaj edhe vendosa ti shkruaja këto mendime sot. Që ne, të gjithë së bashku të ngremë krye e të gjejmë fuqinë për ti ndryshuar gjërat. Të pikasim dhe mbrojmë historitreguesit e së mirës që kemi në këtë vend. Kemi ende shumë të tillë. Të mos presim më derisa të pakësohen deri në pafuqi, apo shuhen a ikin fare nga kjo botë a ky vend. Hapja e syve dhe kërkimi i historitreguesve të së mirës kërkon kurajo të madhe qytetare. Është pothuajse ftesë për sakrificë. Ama, ta dimë mirë, se ky vend që të bëhet, ka nevojë për këtë kurajo e sakrificë nga secili prej nesh. Po heshtëm, po pranuam jermin, po shpresuam që gjërat të ndryshojnë nga lart a prej të tjerëve, asnjë ndryshim nuk ka për të na ardhur. Do të na vijë vetëm lista e çmimeve për shitblerjet tona të rradhës. Shpresa lind aty ku lind sakrifica. Mund të them krejt haptazi, se unë Davidin tim, nuk mund e nuk dua ta rris në një vend pa historitregues të së mirës. Ndaj e kam ndarë mendjen që ose të sakrifikoj me gjithë shpirt për një Shqipëri të shpresës, ose në dështofsha për ta arrirë këtë, të mar tim bir e ta rris në një vend me shpresë e historitregues të së miŕës. Së paku një rregull të artë e të pashkelshëm ia kam vendosur vetes: Unë më parë e braktis këtë vend, sesa ta plaçkis.