Shpresa Bërdëllima: Pas ‘Vajzave me kordele të kuqe’, fëmijët më godisnin me...

Shpresa Bërdëllima: Pas ‘Vajzave me kordele të kuqe’, fëmijët më godisnin me gurë si spiune

702
0

Ndryshe nga shumë aktorë që edhe pas largimit të hershëm nga Shqipëria, dikur, janë ftuar a pritur për të qenë pjesë projektesh të përkohshme, aktoren Shpresa Bërdëllima, nuk e kemi parë më të shfaqet në ekran, qysh pas rolit të saj të fundit, në teatrin “Kush e vrau Kastijin” me regji të Gëzim Kames.

 

Dy vite pas kësaj pjese të realizuar në vitin 1988, Shpresa u largua nga Shqipëria, për t’u kthyer më pas, vetëm si vizitore e vendit të saj. Megjithëkëtë, rolet që pati në karrierën e saj të shkurtër si aktore kinematografie e teatri, transmetuar këto vite nga kanalet e filmave shqiptarë, e kanë bërë të mos harrohet.

 

Ajo vetë, më shumë nga të gjithë kolegët e saj, jeton me nostalgjinë e atyre viteve edhe atje ku është sot, në Belgjikë. Largimi i hershëm dhe malli që askush nuk mund ta kuptojë si të larguarit, shumëfishon përjetimet e një të shkuare që Shpresa nuk mundi ta shijojë për gjatë…

 

 

Pse u larguat nga Shqipëria?

 

Në vitin kur unë dhe im shoq vendosëm të iknim, në ’91, ishte kohë kur thuajse të gjithë e shihnin largimin si zgjidhjen e vetme. Edhe ne, njësoj si të tjerët, menduam se kjo do të na sillte jetesë më të mirë. Edhe për faktin se, im shoq kishte qenë i cenuar dhe i lodhur nga regjimi i shkuar. Ai punonte në Cirkun e Tiranës, vinte sa e sa shfaqje, por e linin gjithnjë në prapavijë, në asnjë nga shfaqjet që realizoi nuk ia vunë emrin.

 

Po ju nuk u penalizuat nga kjo gjë? Vijuan t’ju ofrojnë role pavarësisht martesës me një emër “të njollosur”?

 

Jo, pas martesës me Arian Malukën, edhe rolet që më ofronin nuk ishin më si të mëparshmit. Nuk më përjashtuan krejt, ama vihej re distancimi që po më bënin duke më dhënë vetëm role episodike. Kishte, pa dyshim, edhe regjisorë të guximshëm, por sidoqoftë, situata nuk ishte më ajo e para.

 

Si nisët të merreshit me aktrim?

 

Kam qenë gjimnaziste te “Petro Nini”, kur erdhi Ilia Terpini për të kërkuar personazhe për filmin “Guna përmbi tela”. Isha vetëm 16 vjeçe, kur u përzgjodha për këtë rol, megjithëse edhe më parë, qysh fëmijë, recitimi kishte qenë një nga gjërat e mia më të pëlqyera. Isha marrë vazhdimisht me aktivitete artistike në shkollë edhe për shkak të zërit, që siç më thoshin e kisha shumë të mirë.

 

Pas filmit të parë, Gëzim Erebara më propozoi të bëja rolin e spiunes te filmi “Vajza me kordele të kuqe”. Ka qenë aq mirë i realizuar ky rol, sa edhe në rrugë, pas transmetimit të filmit, fëmijët më qëllonin me gurë, sepse kujtonin se isha vërtet spiune.

 

 

 

Mos ndoshta ka qenë pikërisht për shkak të realizimit të mirë të këtij roli që, edhe në ato pasardhësit, personazhet tuaja nuk kanë qenë pozitivë?

 

Mundet të ketë qenë edhe kjo, por sidoqoftë rolet e mia kanë qenë të ndryshme. Na përmendni disa filma të tjerë… Po mund t’ju përmend, përveç roleve në teatër që ndoshta publiku nuk i njeh aq shumë sa filmat, sepse ata ka parë më shpesh këto vite filmin, “Flutura në kabinën time”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Kur ndahesh nga shokët”, etj.

 

 

 

A e kishit menduar ju, në kohën e gjimnazit, që mund të ishte ky profesioni juaj?

 

Pavarësisht pasionit për recitimin, jo, nuk e kisha menduar. Kisha dëshirë të bëhesha mjeke ndërsa babai donte të më bënte oficere, meqenëse ishte edhe ai vetë i tillë.

 

 

 

Nuk duhet të ketë qenë i lehtë largimi në një kohë kur mund të ishit në kulmin e karrierës…

 

Është e vërtetë, u largova fare e re, vetëm 30 vjeçe. E rëndonte edhe më tepër këtë gjë, vështirësia e gjërave që na priste. Vitet e para, si çdo emigrant, nuk kanë qenë të lehta. Na u desh të ndërronim disa shtete përpara se të vendoseshim në Belgjikë, ku tani kemi gati 18 vite dhe jemi nënshtetas belgë. Dy fëmijët e mi më të vegjël, përveç vajzës së madhe, kanë lindur këtu.

 

 

 

Me çfarë jeni marrë në Belgjikë?

 

Kam bërë punë të ndryshme. Ndryshe nuk mund të dilet. Megjithatë, bashkë me tim shoq, për të mos i qëndruar krejt larg pjesës artistike, jemi përfshirë në organizime të vogla që realizon komuniteti shqiptar këtu. Kam vijuar me recitimet në radion “Jehona e shqipes” që është në Belgjikë, pra nuk e kemi lënë veten krejt të papërfshirë.

 

 

 

Vini shpesh në Shqipëri?

 

Në kohët e para nuk erdhëm për 5¬6 vite, për shkak të çështjes së e dokumenteve që na pengonte. Tani vijmë përvit gjatë verës në shtëpinë që kemi marrë në plazh, sepse nuk mund të jetojmë pa ajrin e Shqipërisë. Ju mbase jeni të lodhur nga këto deklarata, por largimi nga vendi yt të bën të duash edhe gurët. Menjëherë sapo largohemi, i them tim shoqi se më merr malli edhe për mbeturinat që shohim rrugëve.

 

 

 

Po me kolegët e dikurshëm a jeni në kontakt?

 

Tani Facebook-u ka bërë që të jemi më pranë me njerëzit, të flasim më shpesh e të dimë më shumë rreth njëri-tjetrit. Por përveç komunikimit virtual, kur vij aty, përpiqem të takoj miqtë e dikurshëm aq sa mundem.

 

 

 

(er.nu/unegruaja/BalkanWeb)