Shpëtim Idrizi ishte i drejtpërdrejt në emision “Studio e Hapur” kur tha se parashikon që PDIU-ja jo vetëm të rritet por të arrijë të marrë nga shtatë deri në nëntë mandate. “Kemi pritshmëri të mëdha në Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Dibër, po punojmë fort edhe në Shkodër dhe Korçë. Besoj që do marrim 7 deputetë por nuk përjashtohet edhe tetë apo nëntë”,- tha ai. I pyetur për sondazhet e dala deri më tani që e pozicionojnë PDIU-në edhe pas një force të re si LIBRA e Blushit e krijuar prej pak muajsh, Idrizi nuk e prish terezinë dhe thotë se po përsëritet e njëjta situatë si në 2013-ën, por pas zgjedhjeve PDIU-ja mori 5 deputetë. “Tani nuk dua të komentoj rastin e LIBRA-s, duhet që skena politike të ketë parti të reja. Sa i përket sondazheve kështu na ndodhi edhe në vitin 2013- të. Prandaj kam dashur që ta heqin fare PDIU-në nga lista, për shkak të këtij abuzimi. Por tani jemi mësuar me këtë gjë”,- shtoi ai.