Shpërthimi i tritolit në banesën e kryebashkiakut të Matit, Nezir Rizvani, mëngjesin e sotëm, ka sjellë reagimin e deputetes së PD-së për qarkun e Dibrës. Dhurata Çupi, në një postim në rrjetin social facebook, hedh akuza se nëse nuk je në anën e pushtetit, të rrezikohet jeta. Deputetja e PD-së i ka bërë thirrje prokurorisë që të nis hetimet për këtë ngjarje, të cilën ajo e cilëson një akt kriminal.
Reagimi i plotë
”Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Burrelit mëngjesin e ditës së sotme. Një akt kriminal rrezikoi jetën e kryebashkiakut të Matit, Nezir Rizvani. Krimi nuk kursen askënd në këtë vend. Nëse nuk je në anën e pushtetit duhet të kesh frikë nëse zgjohesh në mëngjes. Nëse tenton të punosh për njerëzit e tu që të kanë votuar por nuk je në të njëjtën linjë politike me pushtetin ekzekutiv atëherë të rrezikohet madje edhe familja. Kjo është një ngjarje tejet e rëndë e që duhet zbardhur plotësisht. I bëj thirrje prokurorisë që një orë e më parë të zbardhë të vërtetën e plotë të kësaj ngjarje”,-shkruan deputetja e PD-së, Dhurata Çupi.