Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho ka renditur në një shkrim në rrjetet sociale masat që duhet të marrë ministria dhe autoritetet shëndetësore në vend, për të zbutur impaktin e pandemisë së koronavirusit mbi shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Sipas Dashos, në se nuk veprohet me urgjencë dhe me masa të prera, “Shqipëria rrezikon një katastrofë shëndetësore. Rastet, shtrimet në spital dhe vdekjet, mund edhe të mbulohen me shoshë, siç janë mbuluar deri tani të gjithë dështimet në kontrollin e pandemisë, por gjithçka do të dalë në dritën e diellit kur të dalë numri i vdekjeve shtesë të dokumentuara”.
Ndërsa apelon për mbështetjen e strukturave shëndetësore për qytetarët që kurohen në shtëpi nga Covid-19, që nga oksigjeni tek antikoagolantët, Dasho nënvizon se “i duhet mëshuar masave parandaluese”.
“Nevojitet urgjentisht mbyllja e bareve, restoranteve, hoteleve, palestrave, pishinave dhe bizneseve të tjera që ofrojnë shërbime jo thelbësore. Administrata po ashtu duhet të zhvendoset urgjentisht për të punuar nga shtëpia. Këto masa nuk mund të shtyhen asnjë ditë më tepër. Duhet sanksionuar urgjent ndërprerja e transportit urban ose përdorimi i mjeteve me kapacitet të reduktuar në minimum. Çdo person që përdor transportin urban mund t’a bëjë këtë vetëm për të shkuar në punë ose për arsye emergjente.
Për të shmangur rrënimin ekonomik të biznesit, shteti duhet të kompensojë të ardhurat e munguar për të gjithë kategoritë e prekura”, shkruan ai.
Ja sugjerimet e ekspertit të Shëndetit Publik Erion Dasho në postimin e plotë të tij:
Java e parë e shkurtit, shënoi javën e disa rekordeve negative.
- Numri i rasteve të diagnostikuara ishte 7,209 me një mesatare prej 1,030 raste në ditë. Para kësaj, javët me numrin më të lartë të rasteve kanë qënë java e parë dhe e dytë e dhjetorit me përkatësisht 5,363 dhe 5,542 raste.
- Numri i të shtruarve në spital nga 343 një javë më parë, arriti në 437, një rritje prej 27%. Asnjëherë më parë gjatë epidemisë nuk ka patur një rritje të tillë brenda një jave, çka flet për një situatë që po precipiton me ritme të shpejta.
- Numri i personave që humbën jetën ishte 80, ende larg javës së parë të dhjetorit kur raportoheshin 107 humbje jete. Siqoqoftë nuk duhet harruar se tashmë ka persona të shtruar edhe në spitalet rajonale dhe, për pasojë humbje jete edhe në këto struktura. Ekzistojnë prova të pakundërshtueshme se numri i vdekjeve është manipuluar përgjatë gjithë epidemisë, kështu që 80 humbjet e jetëve të raportuara përbëjnë një tjetër kambanë alarmi.
Çfarë duhet bërë?
Së pari, duhet kuptuar se situata po shkon drejt katastrofës dhe shkurti do të jetë muaji më i rrezikshëm i epidemisë në Shqipëri. Më pas do të kemi rënie të numrit të rasteve dhe të humbjeve të jetës dhe vjeshta që vjen do ta gjejë situatën shumë më të kontrolluar. Për shkak të emergjencës së krijuar duhen marrë masa të shpejta ku kryesorja është mobilizimi i çdo burimi njerëzor, material dhe financiar në ndihmë të pacientëve.
P.sh., mbështetja me oksigjen në kushte shtëpie nuk rekomandohet, por në kushtet kur shteti nuk ka kapacitete për t’i trajtuar të gjithë pacientët në spitale, mund të ndihmohen familjet që kanë siguruar bombola që të paktën t’i rimbushin ato pranë spitaleve. Sërish administrimi i antikoagulantëve (holluesve të gjakut) me injeksion rekomandohet për pacientët e shtruar, por kur ato u administrohen pacientëve në shtëpi, le të dërgohet falas një infermiere duke u kursyer familjeve pagesën 20 apo 30 euro për një vizitë në shtëpi.
Së dyti, i duhet mëshuar masave parandaluese. Nevojitet urgjentisht mbyllja e bareve, restoranteve, hoteleve, palestrave, pishinave dhe bizneseve të tjera që ofrojnë shërbime jo thelbësore. Administrata po ashtu duhet të zhvendoset urgjentisht për të punuar nga shtëpia. Këto masa nuk mund të shtyhen asnjë ditë më tepër. Duhet sanksionuar urgjent ndërprerja e transportit urban ose përdorimi i mjeteve me kapacitet të reduktuar në minimum. Çdo person që përdor transportin urban mund t’a bëjë këtë vetëm për të shkuar në punë ose për arsye emergjente.
Për të shmangur rrënimin ekonomik të biznesit, shteti duhet të kompensojë të ardhurat e munguar për të gjithë kategoritë e prekura.
Së fundi, çështja e vaksinës të pushojë së përdoruri për show elektoral dhe qeveria të bëjë urgjentisht publik planin e vaksinimit, me data, grupe të vaksinuarisht, etj. Jo një “strategji” boshe që përdoret vetëm për t’u tundur në konferenca shtypi dhe studio televizive, por një plan zbatimi realist dhe i zbatueshëm, i bazuar në ndershmëri dhe transparencë.
Në se nuk veprohet me urgjencë dhe me masa të prera, Shqipëria rrezikon një katastrofë shëndetësore. Rastet, shtrimet në spital dhe vdekjet, mund edhe të mbulohen me shoshë, siç janë mbuluar deri tani të gjithë dështimet në kontrollin e pandemisë, por gjithçka do të dalë në dritën e diellit kur të dalë numri i vdekjeve shtesë të dokumentuara. Të paaftët dhe të papërgjegjshmit që drejtojnë sot shëndetësinë duhet të mbajnë mend se vetëm vdekja nuk gënjen!
Shkurti i acartë fatkeqësisht do të kthehet në një muaj zjarri për epideminë në Shqipëri. E vetmja mënyrë për të ulur disi impaktin e saj mbi shëndetin dhe jetë e qytetarëve është marrja e masave të sipërpërmendura.
Koha nuk pret!