Shkrumbohet nga flakët makina “Range Rover” e Dritan Lelit, dyshohet për zjarrvënie...

Shkrumbohet nga flakët makina “Range Rover” e Dritan Lelit, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

342
0

Shkrumbohet nga flakët makina e Dritan Lelit, kreut të Bashkisë Vlorë. Flakët kanë përfshirë edhe një mjet tjetër, në pronësi të shtetasit B.A, i cili ndodhej i parkuar pranë makinës së kryetarit të Bashkisë.

Vlorë- Në orët e para të para të mëngjesit të sotëm është shkrumbuar nga flakët makina e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Lelit.

Policia njofton se automjeti tip “Range Rover”, që përdorej nga Dritan Leli, në momentin që është përfshirë nga flakët ka qenë i parkuar pranë zyrave të Bashkisë.  Nga zjarri është djegur edhe një mjet tjetër, në pronësi të shtetasit B.A, i cili ndodhej i parkuar pranë makinës së kryetarit të Bashkisë. Ende nuk dihet asnjë informacion për autorët.

Njoftimi i policisë:

Më datë 10.10.2019, rreth orës 04:26, në lagjen “Lef Sallata” Vlorë pranë zyrave të punës, ka marrë flakë automjeti tip Range Rover në pronësi të Bashkisë Vlorë (mjet që përdorej nga Kryetari i Bashkisë Vlorë), ku si pasojë e flakëve ka marrë zjarr edhe një automjet tjetër tip Ford, parkuar në afërsi.

Drejtuesi i mjetit Range Rover, shtetasi E.T (shoferi i Kryetarit të Bashkisë) e kishte parkuar mjetin pranë pallatit ku banon. Ndërsa mjeti tjetër tip Ford është në pronësi të shtetasit B.A.

Si pasojë e flakëve, të dy mjetet janë dëmtuar plotësisht.

Policia ka ngritur një grup hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme në lidhje me përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.