Shkoi në spital rëndë prej diabetit, mjekët e “dorëzuan” në Polici, arrestohet...

Shkoi në spital rëndë prej diabetit, mjekët e “dorëzuan” në Polici, arrestohet ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku

446
0

Arrestohet ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se ai u ndalua në një spital privat në Tiranë, ku u paraqit në gjendje të rëndë për shkak të diabetit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se personeli i spitalit njoftoi policinë dhe menjëherë u bë arrestimi i tij. Aktualisht, ai i shtruar në këtë spital, pasi po kurohet. Ndërkohë aty ruhet nga forca të shumta policie.

Agim Kajmaku ishte shpallur në kërkim që prej 11 nëntorit të vitit 2019 dhe prej afro një viti ai ndodhej në arrati. Gjykata ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndaj tij rëndojnë tre akuza, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.

Fillimisht akuzat kundër Kajmakut u ngritën, pasi dyshohet se ai kishte marrë vendime edhe pse KQZ kishte vendosur shkarkimin e tij nga detyra. Pasi KQZ kishte marrë vendimin kundër tij, socialisti shkarkoi nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi të besuarin e tij. Po kështu, më herët, ish-qytetari i parë i Vorës, ishte nën akuza publike nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por dwnimin nuk e kishte “rrwfyer” në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person. Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e kishte ditur për dënimin në vendin fqinj.