
Përhapja e Covid-19 në Francë është shkaktuar nga një zinxhir qarkullues lokal me një origjinë të panjohur. Kështu konfirmojnë disa shkenctarë të Parisit, që kanë kryer një studim, nga i cili rezultoi se koronavirusi nuk erdhi në këtë shtet nga Kina apo Italia.
Autorësia i përket një qendre kërkimore për sëmundjet infektive në Institutin Pasteur në Paris dhe studimi është emërtuar “Hyrja dhe shpërndarja fillestare e SARS-CoV-2 në Francë”. Shkencëtarët shqyrtuan 97 gjenome nga kampionet e mbledhura mes personave të infektuar në Francë mes 24 janarit dhe 24 marsit dhe zbuluan se zinxhiri dominues i përhapjes në këtë vend lidhej me një grupim gjenetik, i cili nuk vinte nga Kina apo Italia.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se duhet të zgjerojnë studimin dhe më shumë për të qenë më të saktë.
Një tjetër fakt i zbuluar nga kërkuesit është se rastet e para në Francë nuk e transmetuan koronavirusin lokalisht, duke konfirmuar efikasitetin e masave të vendosura për të parandaluar përhapjen e virusit.
Qeveria e Parisit nisi vëzhgimin për Covid-19 më 10 janar dhe identifikoi rastin e parë në të gjithë Evropën me 24 janar, që ishte një turiste e moshuar nga provinca Hubei e Kinës. Autoritetet gjurmuan dhe bllokuan me shpejtësi personat e kontaktit të afërt dhe parandaluan shpërndarjen e mëtejshme të koronavirusit. Megjithatë, studimi pohon se më pas përhapja e Covid-19 ka ndodhur mes burimeve të shumta dhe është ndihmuar nga të infektuarit pa simptoma.
Franca aktualisht numëron më shumë se 24 mijë viktima dhe më tepër se 176 mijë të infektuar. Nga dita në ditë shifrat po tregojnë një trend në rënie, ndërsa qeveria do të lehtësojë masat kufizuese duke nisur nga 11 maji.