Aktualitet

Sherifi i sigurt: Haradinaj i ka siguruar numrat, VV s’ka asnjë shans

By vizional

June 19, 2017

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka kumtuar krerëve të partive të koalicionit PDK-AAK-NISMA se i ka shumicën e votave për ta bërë Qeverinë, ka thënë sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit. “Haradinaj e ka informuar edhe Veselin (Kadri) edhe Limajn (Fatmir) se ai i ka numrat e nevojshëm – shumicën e nevojshme prej 61+ deputetëve. Por, se sa nuk mund të them. Ai me bindje na ka informuar se si mandatar për të krijuar Qeverinë i ka votat e nevojshme”, tha ai.

Sherifi më tej e dha një mesazh për Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në, duke thënë se nuk do të mund të marrin mandat qeverisës, “pasi që kjo ka dështuar të japë rezultat në kohën e VLAN-it më 2014”. “Motivi është inati dhe, thënë të drejtën, edhe më 2014 ishte inati. U pa që inati ishte i pamjaftueshëm si motivacion që të ndërtohet një modalitet e ta rrëzosh një koalicion që ka dalë i pari. Jam i bindur se nuk do të kenë sukses. Mund të ketë zvarritje, por në fund gjithmonë është aty që thyhet”, tha ai. Megjithatë, sekretari i Nismës ka porositur Haradinajn se nëse nuk ndryshohet qeverisja, atëherë e pret fati i njëjtë me qeverisjen e Isa Mustafës.