Lajme

Shenjat e para që shfaq humbja e kujtesës

By vizional

March 04, 2022

Gjithçka nis me disa shenja të lodhjes fizike, pastaj harresë të ngjarjeve të ndodhura gjatë ditës, më vonë vështirësi për të çuar deri në fund gjërat më elementare të jetës së përditshme, siç mund të jenë blerjet, takimet etj. Ndërsa detyrat e reja dhe më të ndërlikuara kthehen në një sfidë të pamundur. Paaftësitë kryesore lidhen me orientimin, kujtesën, perceptimin, arsyetimin. Të gjitha funksionet preken gradualisht ndërsa përparon sëmundja që sjell edhe ndryshime emocionale, sjellje apo impulse të pakontrolluara, përkeqësim të të folurit, deri te halucinacionet dhe gjendja e delirit. Në pjesën më të madhe të rasteve, pacienti shkon deri në agresivitet fizik dhe forma të tjera të dhunës. Kjo është DEMENCA .

 

 

Fillimet e demencës mund të shpërfillen si nga pacienti, ashtu edhe nga personat që jetojnë me të, por me përparimin e sëmundjes, shenjat bëhen shqetësuese dhe i detyrojnë familjarët të kërkojnë ndihmën e specialistit. Në fazat e fundit të sëmundjes, pacientët duken të tjetërsuar, të çorientuar e të pandërgjegjshëm, sikur kanë humbur kujtesën dhe nuk arrijnë të kontrollojnë as instinktet fiziologjike. Në fakt, demenca nuk është sëmundje në vetvete, por është një grup simptomash që prekin aftësinë intelektuale dhe sociale në mënyrë aq të rëndë, sa ndërhyjnë në aktivitetet e përditshme të personit. Demenca përfshin rreth 200 dëmtime të trurit; 60 deri në 70 për qind të rasteve janë me Alzhajmer, sëmundja më e përhapur e demencës. Kujtesa është aspekti tipik fillestar i demencës. Në fillimet e sëmundjes, çrregullimi i kujtesës është i lehtë dhe lidhet me ngjarjet e afërta. Personat harrojnë numrat e telefonit, bashkëbisedimet, ngjarjet e ndodhura gjatë ditës. Kur sëmundja përparon, dëmtimet e kujtesës bëhen të rënda. Duket sikur fshihet shumica e informacioneve që janë ruajtur në kohë dhe mbeten vetëm ato që janë shumë të largëta, që lidhen me fëmijërinë apo rininë e individit. Meqenëse kujtesa është e rëndësishme për t’u orientuar në raport me personat, ambientin e kohën, edhe orientimi goditet në mënyrë progressive paralelisht me ecurinë e sëmundjes. Për shembull, personat mund të harrojnë drejtimin për t’u kthyer në dhomën e tyre pasi kanë qenë në tualet. Befasues është fakti se familjarëve kjo gjë mund t’u duket shumë e rëndë, ndërsa vetë pacienti nuk shfaq asnjë çrregullim të ndërgjegjes, duket sikur nuk e përjeton problemin e tij. Rreth 30-40 % e pacientëve me demencë kanë halucinacione dhe delire. Prania e agresorëve, hajdutëve, njerëzve që hyjnë dhe dalin, insekteve në ujë, ushqim ose nëpër trup janë disa nga ankesat që shfaqin këta pacientë sidomos në fazat e përparuara të sëmundjes. Në disa raste, kur mjekimi nuk mund të ndikojë në këto çrregullime të perceptimit, shfaqet nervozizmi deri në agresivitet. Ky është një çast shumë i vështirë, sepse rrezikon jetën e familjarëve dhe të vetë pacientit. Sapo të zbulohen ankesat e fillimit të një demence, pacienti duhet t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore e neurologjike, pasi në 10-15 % të rasteve zbulohen gjendje të cilatmund të trajtohen para se të kalojnë në dëme të përhershme në tru. Rëndimi dhe ecuria e demencës ndikohen edhe nga faktorët psikosocialë. Ankthi dhe depresioni mund të përforcojnë dhe të rëndojnë shenjat e demencës. Këtu vlen të theksohet ndryshimi me pseudodemencën, që haset gjatë depresionit. Nëse kurohet dhe përmirësohet gjendja e humorit, depresioni përmirësohet, reduktohen deficitet e kujtesës dhe të njohjes që vijnë si pasojë e frenimit psikomotor, që vërehet në depresion.