Shembja e Teatrit/ Nga shpërdorimi i detyrës tek organizata kriminale, 9 akuzat...

Shembja e Teatrit/ Nga shpërdorimi i detyrës tek organizata kriminale, 9 akuzat e PD-së për 21 persona përgjegjës

363
0

MARIGLEN KUME/ Partia Demokratike kallëzoi dje në SPAK 21 persona për shembjen e Teatrit Kombëtar. Në krye të listës së gjatë është Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Ashtu siç kishte paralajmëruar dy ditë më parë, sekretari për çështjet ligjore dhe ish-deputetja Albana Vokshi depozituan në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion padinë me 9 akuza. PD-ja akuzon Kryeministrin Rama, kryebashkiakun Veliaj dhe 19 personat e tjerë në listë për shpërdorim detyre, organizatë kriminale etj.

 

“Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i K. Penal, “Shkatërrimi i veprave kulturore”, parashikuar nga neni 160 i K. Penal, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K. Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i K. Penal, ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259 i K. Penal”, janë disa nga akuzat e ngritura nga PD-ja.

 

Teksa doli nga SPAKu, ish-deputetja Albana Vokshi deklaroi se opozita kërkoi që të bëhet sekuestro preventive për truallin e Teatrit. Kjo do të pamundësojë sipas saj, që të shmanget ndonjë veprim tjetër i paligjshëm.

 

“Ne kemi kërkuar nga Prokuroria që të vendosë sekuestro preventive për truallin e kaluar në pronësi të bashkisë me vendim qeverie. Kjo do të ndalë çdo akt tjetër, si ndërtimin e një projekti të paligjshëm, ashtu edhe grabitjen e truallit për të ngritur atje kullat e oligarkëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt”, tha Vokshi. Më tej, ish-deputetja e opozitës tha se çështja e Teatrit është një provë për SPAK-un nëse është realisht i pavarur. “Partia Demokratike e konsideron çështjen e shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar një provë për funksionimin e pavarur të SPAK-ut. Me apatinë e deritanishme, SPAK-u ka zhgënjyer këdo që ka besuar se ky institucion do të ndëshkojë qeveritarët e korruptuar dhe bandat e krimit të organizuar”, vijoi Vokshi.

 

AKUZAT PËR SPAK

 

Ndërkohë, sekretari Çlirim Gjata sqaroi se përse erdhi pikërisht në këtë kohë padia në SPAK për Kryeministrin Rama, kryebashkiakun Veliaj etj. Sipas Gjatës, SPAK-u duhet ta kishte nisur më herët hetimin, kryesisht për këtë çështje, pasi përmbushen të gjitha kriteret që çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar të hetohet nga Prokuroria Speciale. “Pritëm një shenjë, një hetim nga SPAK-u, prandaj e sollëm vetë kallëzimin. Kallëzimi ka ardhur me vepra penale që i takojnë kompetencës lëndore të SPAK-ut, me emra që i takojnë kompetencës lëndore të SPAK-ut dhe është i detyruar të fillojë një hetim. Hetimin nuk e fillon as me thirrje, as me pyetje, por veprimi i parë që duhet të bëjë është bllokimi i dokumentacionit, sekuestrimi i dokumentacionit”, u shpreh Gjata.