Ishte vetëm 16 vjeçe kur rrëmbeu kurorën e më të bukurës në “Miss Shqipëria 2010”, një çmim që do t’i hapte edhe dyert e para drejt një bote sa të bukur, por edhe të egër e të padrejtë siç është televizioni. Megjithatë Nevina Shtylla jo vetëm që ia doli mbanë të sprovojë veten në disa programe, por edhe të kthehet në një nga personazhet më të dashura të ekranit.
Prej ca kohësh, ajo është në krahët e Edi Manushit në prezantimin e “E diell”, një format që na sjell një Nevinë ndryshe, sigurisht duke ruajtur gjithmonë delikatesën e saj karakteristike, dhe imazhin e vajzës së mirë. Ndonëse përpiqet të mos zbulojë shumë detaje, ditën e djeshme në rubrikën “Trotuar” në “E Diell” moderatorja e ka pranuar lidhjen me juristin Arbër Myftari.
Ka qenë Edi Manushi ai që e ka ngacmuar Nevinën, duke thënë se ajo e ka të dashurin ekonomist. “Ekonomist unë? Jo, jo. Është departament tjetër”, është përgjigjur moderatorja. Manushi nuk e ka lënë me kaq, duke vazhduar dhe më tej: “Jurist, se harrova”, batutë kjo që Nevina i është përgjigjur me buzëqeshje.
Në këtë mënyrë, ajo ka konfirmuar aludimet e mediave rozë. Para disa kohësh, “Panorama Sport” publikoi fotot e moderatores krah djalit që i ka rrëmbyer zemrën.