Së shpejti del në treg romani me 464 faqe “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” të shkrimtares Flutura Açka. Ja çfarë shkruan në statusin e saj në fb autorja Açka. “Në pak ditë në duart e lexuesit tim… me mirënjohje ndaj kujdesit të tij për të më ndjekur gjatë vitesh. “Njëzet vjet më parë, kur vendosa ta lë Shqipërinë, nuk e kisha menduar kurrë që një pjesë e jetës sime, do të endej nëpër qiejt e Europës, në këtë vejevijë mes atdheve që unë zgjodha, ose që fati më dha të zgjedh për veten. Atë çast kur zbres shkallët e avionit në tokën shqiptare, veçmas pas një qëndrimi të gjatë jashtë saj, e ndiej se jam më shumë holandeze, sepse më duhen disa ditë të mësohem me tjetër bioritëm, sepse dua një Shqipëri që t’i ngjajë Holandës në disa gjëra, të jetë më e pastër, më pak bjerraditëse, të ketë më pak politikë, por kur zbres në tokën holandeze, ndjehem më shumë shqiptare dhe dua që Holanda t’i ngjajë ca Shqipërisë sime të dashur, të jetë më e beftë, të ketë më shumë diell, pse jo, të ketë edhe male. Ashtu nëpër qiej, në kufijtë e ëndrrës, kjo betejë mes identitetit tim etnik dhe identitetit tim europian, fashitet brenda meje. Si njeri i kësaj bote të madhe, që është Atdheu im i vërtetë si qenie njerëzore, kufijtë e humbin vlerën dhe i dua të dy atdhetë e mi njëlloj.” Nga “Fillesa” e romanit “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë””-nënvizon autorja.