Vizioni Juaj Informativ

SAUATT Albania dhe Shoqata e Mikrobirrarive nënshkruajnë kontratën Kolektive të Punës e Nivelit Kombëtar

Sindikata Autonome e Ushqimit, Agrikulturës Tregtisë dhe Turizmit, (SAUATT), anëtare e Këshillit Kombëtar të Punës, e përfaqësuar nga presidenti, zoti Bilbil Kasmi dhe Shoqata e e Mikrobirrarive Artizanale Shqiptare përfaqësuar nga Xhimi Begeja, president nënshkruan sot Kontratë Kolektive e Punës e Nivelit  Kombëtar.

Kjo kontratë përmban të drejtat dhe detyrimet e palëve që burojnë në marrëdhëniet e punës duke u bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, Konventat dhe ratifikimet e pranuara në Republikën e Shqipërisë, si dhe në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë dhe në aktet e tjera ligjore e nënligjore. Çdo ndryshim eventual në Kodin e Punës dhe në aktet e tjera ligjore respektive lidhur në marrëdhëniet e  punës, janë të mirëqena dhe te zbatueshme nga palët në rastet kur bien në kundërshtim me parashikimin në kontratë. Kjo kontratë shtrin efektet e veta për të gjitha subjektet juridike që janë anëtare të Shoqatës së Mikrobirrarive Artizanale Shqiptare si dhe për punëmarrësit e tyre, të cilët janë ose nuk janë anëtarë të Sindikatës Autonome të Ushqimit,  Agrikulturës Tregtisë dhe Turizmit. Gjatë fjalës së tij, presidenti i SAUATT Albania, zoti Bilbil Kasmi tha se sindikata jonë është anëtare e Këshillit Kombëtar të Punës. “Sindikata jonë është pjesë e EZA, organizëm i Bashkimit Evropian për vendet që janë anëtare të BE. Fatmirësisht sindikata jonë bën pjesë në këtë organizëm që vendi jonë nuk është pjesë e BE. Ne kemi mbi 20 vjet që jemi pjesë e tyre, dhe kjo na ka ndihmuar të ngremë nivenlin e sindikatës. Ne çojmë anëtarë të sindikatës që marrin pjesë në aktivitetet që zhvillon EZA (Qendra Evropiane për Çështjet e Punëtorëve) në vendet e Bashkimit Evropian. Misioni ynë është bashkëpunimi dhe partneriteti me punëdhënësit në mbrojtje të interesave tona.

Ne bashkohemi me ju në rastet kur qeveria cënon të drejtat e punëdhënësve dhe punëmarrësve të sektorit që drejtoni. Ne mbrojmë të drejtat e punëmarrësve nëse shkelen të drejtat nga ana juaj. Por ne në asnjë mënyrë nuk jemi për përplasje apo greva, ne çdo gjë e kemi në statut, e kemi pranuar që çdo gje do e zgjidhim me dialog me partnerët”-tha zoti Kasmi.

Nga ana e tij, presidenti i Shoqatës së Mikrobirrarive Artizanale Shqiptare Xhimi Begeja nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit të kësaj kontrate. “Ne birraritë nuk kemi interesin dhe vëmendjen e duhur nga ana e shtetit për shkak të akzicës. Ajo do na vlejë më shumë nga ju, që sindikata juaj është pjesë e EZA, dhe shqetësimet apo sygjerimet dhe ankesat tonë do jenë të vlefshme. Aderimi është plus për ne për ta prezantuar sygjerimet dhe ankesat”-tha zoti Begeja.