Një javë pasi u zyrtarizua si i pandehur, ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka shkuar sot në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, ku pritet të jepet vendimi për të. Tahiri është parë në shoqërinë e avokatit të tij.
Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet në fund të muajit shkurt dhe dosjen e Saimir Tahirit e dërgoi për gjykim, duke e akuzuar për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Pas njohjes me akuzën, Tahiri ironizoi se pas Aldo Bares, ishte ai personi i dytë më i akuzuar në Shqipëri. “Nuk më vjen në mend njeri tjetër, mbas Aldo Bares jam i dyti me akuzat. Nuk është se ka ndonjë surprizë të madhe, prokuroria e komanduar siç e nisi ashtu e bitisi, pavarësisht nxitjes që kam nga brenda për t’u marrë me këtë histori, nuk dua të merrem. Komenti im është do vazhdoj t’i shkoj drejtësisë deri në fund. Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa janë ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh”, u shpreh Tahiri më 28 shkurt.