Rusia shpall “non grata” dy diplomatë shqiptarë nga ambasada në Moskë

Rusia shpall “non grata” dy diplomatë shqiptarë nga ambasada në Moskë

436
0

Rusia ka shpallur ‘non grata’ dy diplomatë shqiptarë nga ambasada në Moskë. Dëbimi i diplomatëve shqiptarë në Moskë, ka ardhur si shenjë reciprociteti, pas përjashtimit të dy diplomatëve rus në Tiranë. Ministria e Jashtme ruse, ka thirur ambasadorin shqiptar në Moskë, ndërsa i ka komunikuar vendimin e marrë. Katër ditë më parë në ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme hyri ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin. Atij iu komunikua vendimi për largimin nga Tirana të atasheut ushtarak, Vladislav Filipov dhe sekretarit të parë të ambasadës, Alexey Nikolaevich Balashov. Të enjten u mësua se qeveria ruse ka kërkuar largimin nga vendi i tyre të 150 diplomatëve nga të cilët 60 janë amerikanë. Dëbimi i dy diplomatëve shqiptarë vjen si përgjigje që Rusia po u jep të gjithë vendeve të cilët mbështetën Britaninë e Madhe pas helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal.

 

Reagimi i plotë i Ministrisë së Jashtme:

 

Me datë 30 mars 2018, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Moskë u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse.

 

Gjatë takimit, Ambasadorit i’u komunikua shpallja “non – grata” e dy diplomatëve shqiptarë të akredituar në Federatën Ruse.

 

Reagimi i Moskës nuk përbën surprizë për ne. Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët Rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury.

Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë.