Rusia nis vaksinimin e njerëzve me “Sputnik V” ende pa u kryer...

Rusia nis vaksinimin e njerëzve me “Sputnik V” ende pa u kryer testimi i plotë

317
0

Rusia të shtunën e ka nisur vaksinimin e njerëzve me vaksinën e saj kundër koronavirusit, “Sputnik V”, për të cilën ekspertët perëndimorë kanë thënë se nuk është testuar sa duhet në njerëz para dhënies së miratimit për përdorim të gjerë. As rezultatet e testimit nuk kanë qenë transparente.

Autoritetet ruse e miratuan për përdorim vaksinën “Sputnik V” në muajin gusht, duke e bërë Rusinë shtetin e parë në botë që miraton një vaksinë kundër sëmundjes së re, COVID-19.

Zhvilluesit e kësaj vaksine kanë thënë se ajo është 95 për qind efektive dhe nuk shkakton efekte anësore të mëdha, por ende është duke iu nënshtruar procesit të testimit, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, i cili njoftoi për fillimin e programit të vaksinimit këtë javë, tha se vaksina së pari po u jepet punëtorëve të shëndetësisë, punëtorëve të arsimit dhe punëtorëve socialë. Ai shtoi se lista do të zgjerohet pasi të ketë më shumë doza të vaksinës në dispozicion.

Banorët e Moskës që kanë këto profesione dhe që janë nga mosha 18 deri 60-vjeçare, do të kenë mundësi që të caktojnë termin për t’u vaksinuar në 70 qendra në tërë qytetin, të cilat do të punojnë nga 12 orë në ditë, nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes.

Ndryshe, Rusia deri më tani i ka regjistruar mbi 2 milionë e 382 mijë të infektuar me koronavirus dhe më shumë se 41 mijë njerëz kanë humbur jetën. Moska, kryeqyteti i vendit, është epiqendra e përhapjes së virusit dhe çdo ditë po regjistron mijëra raste të reja.