16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore
Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”, me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy & Ambasadës Britanike në Tiranë, ka ndërmarrë fushatën “Barrierat e Fshehura për Gratë në Politikë”, e krijuar për të nxjerrë në pah dhunën dhe pengesat sistematike me të cilat përballen gratë në rolet politike dhe në vendimmarrje dhe ndikimin e tyre më të gjerë në demokraci dhe shoqëri.
“Gratë në politikë përballen me një sërë sjelljesh të dëmshme, përfshirë komentet poshtëruese, shakatë fyese, akuzat e pabazuara dhe të papërshtatshme, përjashtimin nga proceset vendimmarrëse, mohimin e mbështetjes elektorale dhe kërcënimet ndaj roleve të tyre apo edhe ndaj familjeve të tyre. Këto akte jo vetëm që ndikojnë në vetëbesimin dhe kontributin e tyre, por gjithashtu forcojnë stereotipet dhe mentalitetet e prapambetura, që ndikojnë negativsht duke i mbajtur gratë larg hapësirave politike”-nënvizohet në njofimin e Rrjetit “Barazi në Vendimarrje”, në nisje të fushatës. E frymëzuar nga stili serioz dhe analitik i “The Economist”, kjo fushatë tregon se çfarë do të ndodhte nëse mediat do t’i trajtonin këto barriera me seriozitetin që meritojnë. Eksplorim i pasojave sociale, ekonomike dhe politike të dhunës ndaj grave në politikë, duke ngritue zërin për një çështje kritike që kërkon vëmendje të menjëhershme, janë në fokus të kësaj fushate nga Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”. “Na u bashkoni gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit! Kjo fushatë është një thirrje për veprim, për të sfiduar së bashku normat shoqërore që përforcojnë dhunën. Nëse ngremë zërin tani, mund të ndërtojmë një të ardhme ku gratë angazhohen në politikë dhe në vendimmarrje pa frikë dhe pa barriera”-nënvizohet nga ana e këtij Rrjeti.
Barometri i Barazise Gjinore ne Partite Politike – nje studim me autore Edlira Cepani & Mirela Rroshi, i mbeshtetur nga Fondacioni Westminster dhe Ambasada Britanike ne Tirane, ka nxjerr ne pah se barrierat kryesore te grave ne partite politike jane, mungesa e aksesit ne financat politike, dhuna me baze gjinore e politike dhe mungesa e meritokracise ne karrieren politike.
BARAZIA GJINORE, PARATË & POLITIKA
Përfshirja e grave në proceset politike është një tregues kyç i progresit, besueshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve të zgjedhura. Përfaqësimi i grave në parlament dhe poste të tjera politike është rritur në mbarë botën për shkak të miratimit të masave në sistemet zgjedhore ose për shkak të kuotave vullnetare të partive.[1] Pavarësisht angazhimit dhe presionit ndërkombëtar për të vendosur kuotat gjinore, barazia gjinore në politikë, zgjedhje dhe vendimmarrje mbetet e kufizuar dhe jetëshkurtër. Duke patur parasysh kufizimet e rezultateve që sjellin kuotat gjinore, është e nevojshme të promovohen strategji të reja të fokusuara në mbylljen e hendekut gjinor. Duke pranuar koston e lartë të kandidaturës zgjedhore dhe se si mungesa e aksesit në pushtet dhe para i prek gratë më shumë se burrat, ky studim synon të hulumtojë mbi aksesin e kandidatëve gra dhe burra në financat politike dhe burimet e partisë dhe se si kjo ndërlidhet me zgjedhjen e tyre si kandidatë nga partitë politike. Burimet financiare janë thelbësore për veprimtaritë e partive politike[1] dhe ndikojnë veçanërisht në aksesin në kandidim dhe suksesin pasues të kandidatëve. Financat politike ndikojnë në proces në katër faza: kualifikim, aspiratë, emërim dhe në fund zgjedhje.
59 pyetje pyetje të hapura dhe të mbyllura
Ky studim shqyrton gjetjet në kuadër të legjislacionit të ri zgjedhor në Shqipëri, që në vitin 2020 ndryshoi nga një sistem i përfaqësimit proporcional rajonal me lista të mbyllura, në një sistem rajonal proporcional me votim preferencial për një kandidat në listë, duke parashikuar një kuotë gjinore me të paktën 1 në çdo 3 pozicione në lista të gjinisë më pak të përfaqësuar.[1] Një studim i ngjashëm i kryer nga EDM në kuadër të Zgjedhjeve Parlamentare 2017 në Shqipëri, tregoi se si mungesa e aksesit të barabartë në burime financiare dhe mbështetjes – po (1) dëmton gratë kandidate për të bërë fushatë në kondita të barabarta me burrat, por gjithashtu (2) pengon mbështetjen dhe ecurinë e kandidateve grave dhe vajza në lidershipin politik.[2] Konkretisht, kur gratë u pyetën se si partia politike e ka mbështetur kandidaturën e tyre, përgjigja e tyre ishte se partia politike ofron vetëm ndihmë dhe financim për të mbështetur aktivitetet e partive duke u lënë atyre përgjegjësinë – logjistike dhe financiare – për të zhvilluar takime të drejtpërdrejta dhe aktivitete individuale me qytetarët. Konkretisht, 67% e grave kandidate kanë raportuar se kanë vetëfinancuar aktivitetet e tyre të fushatës.
Dinamikat e brendshme të Partisë Politike
(1)për të vlerësuar se si praktikat e brendshme partiake, rregulloret dhe dispozitat legjislative ndikojnë në aksesin e kandidateve në financat dhe burimet e partisë.
Sfidat e fushatës zgjedhore të kandidatëve
(2)të identifikojë sfidat me të cilat përballen kandidatët gra dhe burra në fushatën e zgjedhjeve parlamentare. Mungesa e mbështetjes politike dhe vetë-paragjykimi për mbledhjen e fondeve (e konsideruar nga kandidatet gra dhe nga publiku i gjerë si një “punë e burrave”), është një pengesë që gratë të marrin pjesë në mënyrë efektive dhe të fitojnë zgjedhjet.
Rezultatet e studimeve tona tregojnë se kostot e fushatës mbulohen kryesisht nga kandidatët dhe jo nga partia e tyre politike. Kandidatët kanë më shumë gjasa të vetëfinancojnë aktivitetet për fushatën e tyre zgjedhore. Ndikimi i pasurisë dhe rrjetit privat në zgjedhje po ekspozon një dilemë serioze demokratike në Shqipëri. Të dhënat tregojnë se kandidatëve nuk u mungon vetëm qasja në financat e partive politike, por edhe sesi pasuria e kandidatëve është duke përcaktuar se kush mund të kandidojë dhe suksesin përkatës në zgjedhje. Kjo tregon se, megjithëse nuk ka dallim gjinor në mënyrën se si kandidatët e financojnë fushatën e tyre zgjedhore, hendeku gjinor i pasurisë zvogëlon shanset e kandidateve gra për pjesëmarrje në kondita të barabarta gjatë zgjedhjeve. Studimi më tej zbulon se kandidatët burra dhe djem – mesatarja 24,92 – kanë tendencë të kenë një ekip më të madh të fushatës sesa kandidatet gra dhe vajza – mesatarja 13. 09 – gjatë zgjedhjeve. Ky ndryshim reflektohet edhe në planin e strategjisë së tyre të fushatës, ku gratë dhe vajzat i japin përparësi përdorimit të mediave sociale, ndërsa burrat dhe djemtë kanë prioritet krijimin e një ekipi. Gratë dhe vajzat kandidate ndanë se: “të menaxhosh ekipe të mëdha do të thotë të kesh shpenzime dhe kosto më të larta në fushatë. Mediat sociale janë një mjet që ndihmon për të kompensuar mungesën e burimeve njerëzore në arritjen e votuesve online dhe komunitetit.”
Kultura seksiste brenda arenës politike
Një përqindje më e lartë e grave, krahasuar me burrat, raportuan si sfida kulturën seksiste brenda arenës politike (17.82% kundrejt 7.07%), mungesën e përvojës me të folurit në publik (32.67% kundrejt 20.20%), mungesën e përvojës për përfshirjen e votuesve (48.51% kundrejt 26.26%), dhe mungesën e përvojës për promovimin e fushatës (45.54% kundrejt 27.27%).
Ky studim nxjerr në pah mungesën e transparencës dhe llogaridhënies brenda partive politike dhe ndaj kandidatëve të tyre për fondet publike dhe shpenzimet zgjedhore në nivele të ndryshme:
Mungesa e njohurive dhe transparencës.
Gjetjet tregojnë se në përgjithësi ka mungesë njohurish të kandidatëve në lidhje me fondet publike në dispozicion të partive politike për qëllime të fushatës dhe mungesë transparence se si ato fonde shpërndahen dhe shpenzohen
Mungesa e mbështetjes
Nga intervistat rezultoi se kishte mungesë të theksuar informacioni në lidhje me mekanizmat që u mundësojnë kandidatëve të kenë akses në financat dhe burimet e fushatës. Një numër më i madh i grave kandidate raportuan se nuk dinin nëse ekzistonte ndonjë mekanizëm i tillë dhe nëse ekzistonte, se cila ishte mënyra se si funksiononte.
Mungesa e aksesit
Të dhënat tregojnë se edhe kur kandidatët kanë informacion, ai nuk përkthehet në akses të tyrin në financat e partive politike për shkak të mungesës së mekanizmave brenda partive për garantim të aksesit të barabartë të brenda partisë. Nëse marrim parasysh se gratë kandidate janë të përjashtuara nga qarqe të caktuara të pushtetit dhe “rrjeteve të parasë”, mungesa e informacionit krijon një disavantazh dhe shqetësim më të madh për gratë që të marrin pjesë dhe të konkurrojnë në mënyrë të barabartë në zgjedhje. kandidatëve në financimin e fushatës.
Gratë kandidate zgjedhin strategji fushate më më pak kosto se burrat
Gjetjet e këtij hulumtimi kanë nxjerrë në pah mungesën e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies brenda partive politike dhe kanë ilustruar nevojën për të sjellë më shumë transparencë në arenën politike duke synuar financimin publik për partitë politike. Duke ndjekur trendin global, ne besojmë se ndërhyrjet në përdorimin e fondeve publike mund të jenë një hap për të promovuar balancën gjinore në proceset politike dhe për të sjellë më shumë transparencë dhe llogaridhënie ndaj sistemit politik.
Rekomandime për partitë politike
Garantimi i llogaridhënies dhe transparencës
– Zbatimi i rregulloreve dhe mekanizmave të informimit dhe monitorimit që sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie në menaxhimin e financave politike.
– Sigurimi dhe shpërndarja e informacionit gjithëpërfshirës për kandidatët dhe publikun mbi përdorimin dhe shpërndarjen e financave publike gjatë fushatave elektorale.
- Garantimi i aksesit të barabartë në burimet financiare
– Krijimi i mekanizmave për të garantuar një akses të barabartë të kandidatëve (burra dhe gra, pavarësisht nga pozicioni i tyre në listën e kandidatëve) në fondet publike gjatë fushatës zgjedhore.
– Krijimi i politikave të brendshme që garantojnë barazi gjinore dhe akses të barabartë në burime, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore.
– Marrja në konsideratë e dedikimit të një pjese të fondeve publike për aktivitete të organizatave të grave dhe forumeve rinore, për rritjen e aktiviteteve gjinore dhe rinore brenda partive politike (veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore).
Mbështetja dhe ngritja e kapaciteteve të kandidatëve në lidhje me:
– Menaxhimin financiar dhe raportimin gjatë fushatës zgjedhore;
– Bazat e ngritjes së fondeve dhe mënyrat inovatore të ngritjes së fondeve gjatë fushatave zgjedhore.
– Shpërndarja e burimeve financiare (publike ose të private) për të trajnuar veçanërisht gratë dhe kandidatët e rinj për zhvillimin e aftësive në mbledhjen e fondeve për fushatën, për të thyer ciklin e aksesit të parave dhe për të kontribuar në balancimin e rrjetit të fuqisë së parasë.
– Krijimi i mekanizmave të mbështetjes për t’u mundësuar kandidatëve pjesëmarrjen e plotë në fushatën zgjedhore duke ofruar kosto operacionale, mbështetje për kujdesin e fëmijëve (si psh krijimi i një fondi brenda partisë ose miratimi i masave për të ndarë një përqindje të fondeve publike të marra nga partia për të mbuluar nevoja të tilla si kostot e kujdesit për fëmijët; të cilat mund të përdoren nga gratë dhe burrat në parti që janë përgjegjës për kujdesin e fëmijëve, për të mundësuar pjesëmarrjen e tyre të rregullt në fushatën zgjedhore dhe në aktivitetet e tjera kyçe të partisë).
Rekomandime për autprotetet ekzekutive dhe legjislative
- Përmirësimi dhe forcimi i kuadrit ligjor për proceset zgjedhore dhe financimin e partive politike për të garantuar transparencë dhe kontroll më efektiv mbi financimin e paligjshëm, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionin institucional.
- Ndërmarrja e masave të veçanta dhe përmirësimi i legjislacionit për të siguruar mekanizma ligjorë (p.sh. përqindje e kuotës gjinore për fondet publike ose shpërndarje specifike e fondeve publike të destinuara për aktivitete të barazisë gjinore) për të përmirësuar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe për të sanksionuar dështimin e partive në respektimin e këtyre dispozitave.
- Krijimi i udhëzimeve dhe rekomandimeve për partitë politike për të garantuar akses të barabartë të kandidatëve burra dhe gra në kohën e transmetimit falas në media gjatë fushatave zgjedhore, sipas nenit 80 të Ligjit Zgjedhor.
- Realizimi i të dhënave të ndara sipas gjinisë për shpërndarjen e financave dhe raporteve financiare nga partitë politike. Shuma e financimit publik që u jepet partive duhet të monitorohet me kujdes për të garantuar dobinë e këtij financimi bazuar në parimin e mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët.
- Vlerësimi i kapaciteteve të partive politike dhe kandidatëve për raportimin financiar elektoral për të identifikuar fushat problematike dhe për të përshtatur programet e trajnimit për menaxhimin financiar dhe raportimin.
Rekomandime
- Krijimi i mekanizmave dhe programeve për monitorimin e sistemit të fondeve publike politike dhe veprimtarinë e partive politike dhe kandidatëve gjatë zgjedhjeve.
- Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për rolin e elektoratit në realizimin e financave politike transparente dhe të drejta, duke refuzuar shit-blerjen e votës, shpenzimet e tepërta të fushatës dhe abuzimin me burimet shtetërore, si dhe aktivizimi i mëtejshëm në informimin e publikut dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e votimit dhe zgjedhjeve.
- Krijimi i një sistemi mentorimi për kandidatët pa përvojë dhe në veçanti ofrimi i programeve trajnimi për mbledhjen e fondeve, menaxhimin financiar dhe raportimin, kornizën ligjore për financat politike, duke u fokusuar tek kandidatët e rinj, por jo vetëm.
- Krijimi i hapësirës për diskutim dhe debat mbi programet e kandidatëve për platformat dhe partitë politike mes kandidatëve dhe publikut, veçanërisht për gratë dhe kandidatët nga partitë e vogla.
- Intensifikimi i studimeve dhe vlerësimit të ndikimit të financave në politikë, vecanërisht për barazinë gjinore dhe aksesin e barabartë në financat politike.
Rekomandime për median:
- Të përpiqet të krijojë një kulturë të gazetarisë investigative dhe të raportojë për çështjet e financimit të fushatave zgjedhore, në lidhje me mbledhjen e fondeve dhe shpenzimet e fushatave sgjedhore, lidhur me transparencën, llogaridhënien dhe korrupsionin (si pranimi i donacioneve të paligjshme, lidhjet e paligjshme mes donatorëve dhe partive politike, blerja e votave dhe abuzimi i burimeve shtetërore).
- Të ndërmerren masa rregullatore që sigurojnë demokratizimin e Medias për të garantuar ekuilibër, drejtësi dhe zgjedhje konkurruese.
- Rritja e ndërgjegjësimit për nevojën e transparencës, por edhe angazhimin e publikut në çështjet e aksesit të drejtë dhe të barabartë të kandidatëve në financat publike politike.
- Të sigurojë akses të balancuar në media, raportim të ndjeshëm gjinor dhe një lente neutral ndaj kandidatëve për burra dhe për burra.
-Ky shkrim publikohet në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, me mbështetjen e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”.