Rritja e rasteve të reja me Covid-19, ja tri vatrat kryesore të...

Rritja e rasteve të reja me Covid-19, ja tri vatrat kryesore të infeksionit në Tiranë

429
0

Zona e ish-Bllokut, Astiri dhe Kombinati konsiderohen edhe zonat e kuqe, ku rreziku i infeksionit është më i lartë. Një fakt ky që u pohua dje gjatë takimit me ministren Manastirliu nga epidemiologu Rexhep Muja.

 

“Në fokusin tonë kryesor kemi kryesisht shkollat dhe për t’u lidhur dhe me vatrat e nxehta që kemi në kryeqytet, kryesisht Astirin, ish-Bllokun, Kombinatin etj”, u shpreh epidemiologu Rexhep Muja.

 

Prej fillimit të pandemisë, kryeqyteti ka qenë në krye të listës si një ndër qytetet më të goditura. Aktualisht, sipas të dhënave të ministrisë, janë 3001 të infektuar aktivë ose gjysma e rasteve aktive të regjistruara në të gjithë vendin. Ditët e fundit është vënë re një shpërndarje e rasteve edhe në rrethe, kryesisht qarqet e veriut, siç vuri në dukje edhe Manastirliu dje, janë ato të cilat kanë një numër më të rritur të infektimeve.

 

RASTET

 

Edhe e premtja ka sjellë një shtim të të infektuarave me COVID-19. Në 24 orë janë konfirmuar 289 persona pozitivë nga 1402 testime të kryera. Krahas Tiranës, një numër i konsiderueshëm rastesh është regjistruar edhe në Fier, Durrës, Vlorë, Korçë e Shkodër.

 

SPITAL

 

Rreth 4.2 për qind e të infektuarve aktivë janë të shtruar në dy spitalet COVID. Shifrat në rritje të rasteve ditore kanë sjellë edhe shtim të pacientëve në spital, ku prej fillimit të kësaj, Infektivi dhe Sanatoriumi janë duke punuar me kapacitet të plotë.

 

“Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 255 pacientë, 21 në terapi intensive, nga të cilët 4 janë të intubuar”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

 

Ndërkohë, vijon të rëndohet edhe bilanci i viktimave. Të premten janë raportuar 4 humbje jete. COVID-19 i ka kushtuar jetën edhe një 37-vjeçari nga Korça pa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

 

“Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një i ri 37-vjeçar nga Korça pa sëmundje bashkëshoqëruese, një 52-vjeçare nga Mirdita, një 81-vjeçar nga Tirana dhe një 85-vjeçar nga Fier”.

 

Ministria e Shëndetësisë ka ripërsëritur edhe dje apelin për mbajtjen e maskave. Prej 15 tetorit, maska është e detyrueshme edhe në ambientet jashtë, në rrugë, parqe, autobus, kinema e çdo hapësirë tjetër publike.

 

MANASTIRLIU: BONUSI 1 MIJË EURO DO VIJOJË

 

Prej fillimit të pandemisë, qeveria akordoi një bonus në vlerën e 1 mijë eurove mbi pagën për të gjithë mjekët dhe infermierët në vijën e parë të betejës me COVID-19. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, garantoi dje vijimin e kësaj mbështetjeje financiare deri në fund të pandemisë.

 

“Dua t’ju siguroj që mbështetja e qeverisë do të vijojë. Bonusi special për çdo epidemiolog, për çdo mjek, për çdo infermier në përballje me Covid-19 në vijën e parë të frontit do të vijojë. Dëgjojmë që ka propozime tani, se fillon fushata dhe premtimet, 6 muaj bonus për mjekë, infermierë. Ne kemi 8 muaj që mbështesim mjekët, infermierët, epidemiologët dhe do t’ju mbështesim deri në ditën e fundit të kësaj epidemie me bonusin special dhe ndërkohë që nga viti tjetër do të bëhet realitet rritja historike e pagave 40 % për punonjësit tanë shëndetësorë”, tha Manastirliu.