Rreziku nga temperaturat e larta është serioz, specialistët japin këto këshilla

Rreziku nga temperaturat e larta është serioz, specialistët japin këto këshilla

500
0

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik përmes një njoftimi për mediat u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tone. ISHP jep disa këshilla se si duhet të veprojnë qytetarët kur temperaturat janë më të larta se 30 gradë celsius.

Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit, rrisin edhe rrezikun e goditjes nga i nxehti dhe rrezet e diellit.

Për të sensibilizuar popullatën për këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Instituti i Shëndetit Publik, kanë filluar një fushatë sensibilizimi me këshilla për kategori të ndryshme sociale.

Por cilët janë grupet që janë më të rrezikuara nga i nxehti?! ISHP rendit disa prej tyre duke nisur me të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Po ashtu sipas ISHP individët që vuajnë nga sëmundjet kronike si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, sëmundjet pulmonare dhe gratë shtatzëna duhet të bëjnë kujdes maksimal.

ISHP jep disa këshilla të thjeshta dhe mjaft të rëndësishme se si të mbrojmë shëndetin nga temperaturat e larta.

Duhen evituar daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11.00 – 17.00.

E rëndësishme është edhe veshja, e cila sipas specialistëve duhen veshje sa më të lehta prej pambuku dhe ngjyra të hapura. Gjithashtu për të shmangur ekspozimin e rrezeve të diellit duhet të vendosim kapele në kokë, të mbajmë çadër, prej momentit që dalim nga shtëpia.

Sipas specialistëve për t’i bërë ballë të nxehtit, ka mjaft rëndësi edhe se çfarë konsumojmë, pasi duhet sa më shumë ujë, lëngje dhe duhen evituar pijet alkoolike. Zarzavatet dhe frutat duhet të jenë pjesë e çdo vakti, për të forcuar imunitetin për shkak të temperaturave të larta.

Një element tjetër I rëndësishëm është edhe mbajtja fresk e ambientit ku qëndrojmë. Temperatura e dhomës duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës.

Kjo është e rëndësishme veçanërisht për të porsalindurit, për individët mbi 60 vjeç, apo për ata që kanë probleme shëndetësore kronike.

Specialistët shprehen se duhet të freskoni shtëpinë gjatë natës, të hapen dritaret dhe grilat gjatë natës dhe në mëngjes, atëherë kur temperatura e jashtme ulet.

Një këshillë tjetër shumë e vlefshme sipas ISHP-së, është se nëse një person ka probleme shëndetësore, duhet të paraqitet për të marrë ndihmë pranë mjekut, pasi temperaturat e larta i përkeqësojnë më tej problemet shëndetësore