Aktualitet

Rrëfimi i pacientit nga Kosova me koronavirus: Si e kuptova që isha infektuar së bashku me familjen

By admin

March 16, 2020

Së fundmi një pacient i prekur nga koronavirusi në Kosovë ka rrëfyer për mediat sesi e kuptoi që ishte infektuar së bashku me familjen.

Historinë ai e tregoi në një bisedë për RTV Dukagjini, nga Klinika Infektive e QKUK në të cilën është shtruar.

“Ne jemi tre familjarë dhe po na thonë që të tre jemi të infektuar me koronavirus”, ka theksuar ai. Pacienti ka deklaruar se gjendja e tij dhe bashkëshortes është e mirë. Gjendjen pak më të dobët e ka babai i tyre.

“Baba me thanë e ka gjendjen pak më dobët, por edhe ai është mirë. Nuk na kanë lënë me e pa. Unë jam me bashkëshorten me një dhomë të dy e jemi mirë. Me familjarët komunikojmë”, tha ai.

 Sipas tij, familjen e tyre në Viti po e ndihmojnë të gjithë. Ai tha se as ai as bashkëshortja nuk kanë asnjë simptomë dhe se janë mirë.

Ndërsa për babain ka thënë se ishte sëmurë, kishte simptoma dhe e kishte dërguar fillimisht në Viti, pastaj në Gjilan dhe më pas në Prishtinë. Babi i tij kishte ardhur nga Italia. “Baba tha se nuk po e ndjente veten mirë, dhe e dërguam te mjeku dhe ndodhi kjo që ndodhi”, u shpreh ai.

“Fillimisht bashkëshortja kishte qëndruar me prindin, sepse unë kisha shkuar të pushoj. Kur u ktheva më thanë që duhet të shtrohem edhe unë në spital, dhe pastaj rezultuam që ishim të infektuar”, rrëfeu ai ndër të tjera.