Aktualitet

Rrëfimi i një mësueseje me 26 vjet eksperiencë pune në arsimin fillor. Alma Qallia: Sfidat me fëmijët janë nga më të bukurat!

By vizional

March 05, 2018

Ajo ka një eksperiencë në mësimdhënie prej 26 vjetësh. Energjike, një potencial në fushën arsimore, e palodhur dhe e përkushtuar në çdo moment për nxënësit e saj. Kjo është mesuese Alma, në shkollën 9-vjeçare “Misto Mame” në Tiranë. Në një rrëfim ekskluziv për portalin “vizion.com.al”, mësuese Alma na tregon të gjitha vështirësitë që ka hasur ndër vite, eksperiencat e bukura me nxënësit, si dhe ndryshimet në sjelljen e fëmijëve. Motoja e punës së saj është arritja e ndryshimeve pozitive në të gjitha sjelljet e nxënësve dhe edukimin e një brezi me personalitet të fortë.

 

 

Zonja Qallia, ju keni 26 vjet që jepni mësim në ciklin fillor. Sa i rëndësishëm është gjithëpërfshirja në arsim?

Dikur në arsimin gjithëpërfshirës konsiderohej pjesëmarrja e fëmijëve me problem në sjellje, përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara, kurse në ditët e sotme, kur shkolla është bërë e hapur, përfshihen në procesin e mësimdhënies shumë pjesëtarë aktivë: nga komuniteti i prindërve, psikologët dhe komponentët e tjerë arsimdashës. Të përfshish në shkollë fëmijë me aftësi të kufizuara, duhet t’i trajtosh ata fëmijë njësoj si të tjerët, të barabartë me fëmijët e tjerë. Kjo është një sfidë e madhe për mësuesit. Por, po përballohet për bukuri, pasi në shkollën time mund të ketë një ose dy nxënës me aftësi të kufizuara në çdo klasë. Kjo tregon që arsimi gjithëpërfshirës ka marrë përmasa mjaft të zgjeruara.

Çfarë mund të na tregoni nga eksperienca juaj në këto 26 vite?

Në 26 vite eksperiencë kam patur raste të kem përfshirë në procesin e mësimdhënies disa fëmijë në shkolla të ndryshme. Do të përmendja eksperiecën e pare. Ai ishte një djalë me një andikap të lehtë, i cili vijonte në shkollë me dëshirë dhe arritne të kryente një pjesë të mirë të veprimtarisë së procesit mësimor. Për ta përfshirë në aktivitetet mësimore, shpesh zhvilloja mjaft veprimtari në formë loje. I jepja rolin e liderit për të nxitur dëshirën që ai të ishte sa më aktiv, për të nxitur vetëvlerësimin tek ai, i jepja dhe rolin e korrigjuesit. Loja, aktivitet fizike, mosdiferencimi, të trajtuarit në mënyrë të barabartë, dhe rritja e vetëbesimit, por mbi të gjitha mbështetja e veprimtarisë që bëja në klasë dhe puna që bëhej në shtëpi e ndjekur nga prindërit, më dhanë mundësinë që në fund të klasës së parë, ky nxënës të kishte rezultate të mira. Para 20 vjetësh kjo eksperiencë e bukur, në vazhdimësi, ky nxënës ka ecur pozitivisht.

Si i përfshini sot në mësim këta fëmijë?

Ndjek me vëmendje të gjitha aktivitetet që kryejnë, kërkoj me këmbëngulje që të realizoj pjesën më të madhe të aktiviteteve brenda mësimit, ndërkohë që vazhdoj dhe një orë pas mësimit me punë të diferencuar. Të kesh nxënës me vështirësi në të nxënë, apo me aftësi të kufizuara, është aq e vështirë, por dhe e bukur, sepse të mundëson të bësh mësim ndryshe dhe më dinamik, kërkon më tepër aktivitete dinamike, punë në grup me lojëra, konkurse, të cilat këta fëmijë i tërheqin, i zbavisin dhe i përfshijnë në këtë proces.

Ka pasur kundërshtime nga prindërit e fëmijëve të tjerë?

Edhe kjo ka ndodhur. Më ka hasur që një nxënës që kishte shpesh herë shpërthime në formë britmash, të cilat bënin të mundur që fëmijët të imitonin sjelljen e këtij nxënësi dhe të bëheshin acarues për prindërit e tyre. Nëse mësuesi e pranon që të punojë dhe të përfshijë nxënësit, ka edhe sfida që ndeshen për shkak të kulturave të ndryshme në familje.  Jo të gjithë janë të hapur për t’i pranuar, bashkëjetesën me persona me aftësi të kufizuar. Mbështetja e drejtuesve, krijimi i kushteve optimale, bashkëbisedimi me prindërit, kontaktet e njëpasnjëshme, kanë bërë të mundur që me pak punë edhe prindërit të pranojnë. Këto janë risqet që mund t’i has kushdo në jetë, dhe ne duhet të synojmë  mirëkuptimin. Ne duhet të mësohemi sesi t’i përballojmë.

Si është të punosh me këta nxënës?

Ajo që është më e bukura e të punuarit me këta nxënës është lodhja tepër e madhe, ama këta fëmijë trasmetojnë një dashuri të paparë, tek e cila unë gjej shlodhjen e gjithë punës që kam bërë, të duan pa kushte, të kuptojnë kur ti je e mërzitur. Jo gjithmonë puna që ne bëjmë kuptohet, sepse ka prindër që nuk i pranojnë problemet e fëmijës. Për prindin fëmija është shumë i shenjtë, dhe mendojnë se ai është më i miri nga të gjithë, dhe i mirëkuptojmë në këtë gjë, por kjo e vështirëson shumë punën në shkollë. Arritjet më të mira i kemi pasur me ata fëmijë që prindërit ishin koshientë për problemet që ata kanë pasur. Është mësuesi ai që bën aktorin kryesor brenda shkollës, që organizon edhe aktivitetet me klasën, dhe bashkëpunimin e këtyre fëmijëve me nxënësit e tjerë, duke nxitur vlerat e bashkëpunimit, të tolerancës, të mirëkuptimit, të solidaritetit.

Cila është eksperienca juaj më e bukur?

Para 2 vjetësh në 7 mars, në një aktivtetit ishte tema; dërgoni një mesazh mësursit. Një nxënësja ime qe nuk kishte vizatuar deri në atë moment, më shkruan një mesazh: mësuese të dua shumë, qofsh ti që je! Kjo ishte shprehja. Eksperienca tjetër që më bëri të qajë, në mësim të hapur: një nxënëse 10 vjeçe më thotë: kur unë e pyes a do të jesh një yll: ajo më thotë: po unë dua të jem një yll, të fluturoj lart në qiell sepse dua të takoj babin tim që ka ikur lart, më ka marrë shumë malli për të. Argumeti ishte i forte dhe prekës dhe më përloti.

Je penduar ndonjeherë për këtë profesion?

Asnjëherë nuk jam penduar, është më i bukuri për mua. Të punoj, të edukosh fëmijët është ndjenja më e bukur, ti edukosh me vetbesim, me personalitet të fortë, të mundësosh ndryshimin e sjelljes së tyre, është kënaqësi tepër e madhe. Të sfidosh lodhjen për të arritur pritshëmritë dhe objektivat, për të arritur kompetencat që vendos, është gjë shumë e bukur, dhe unë ngulmoj që t’i arrij gjithmonë ato. Dhe për këtë nuk pyes se ora është 45, 50 apo 60 minuta. Ndoshta i thyej dhe kornizat e orës së mësitmit. E rëndësishme është që në ciklin fillor, kur në klasë ke nxënës me aftësi të kufizuar, pavarësisht se i japim rëndësi matematikës, etj, po aq rëndësi ka edhe djathtësisë, lëndët e aftësimit teknologjik, edukimit figurativ, edukimit muzikor, edukimit fizik dhe orëve edukative tej. Fëmijët përfshihen në aktivitete që edhe ata vet kënaqen.

Cila është marrëdhënia mes mësuesit dhe prindërve?

Gjatë gjithë punës sime jam munduar të kem marrëdhënie tepër të ekuilibruar, tu pasqyroj vështirësitë që has dhe kërkoj urat e bashkëpunimit me to.

Eksperienca juaj më e vështirë, mund të na tregoni…

Po të tregoj një moment të vështirë të një nxënësje që aktualisht ndhohet në klasën time; ishte shumë e mërzitur me shokët e vet, dhe nga mërzia ngjitet në shkallët pas shkollës dhe u thotë shokëve se do të hidhet nga shkallët. Alarmohen nxënësit, dhe ajo ndihej si triumfatore që i kishte shqetësuar. Të gjithë i luteshin që të zbriste dhe ajo nuk bindej. Vijnë më njoftojnë edhe mua, dhe përfaqësues të drejtorisë. Deri në atë moment ajo nuk i ishte bindur asnjërit për të zbritur. Sa po i afrohem dhe i drejtohem të zbres, ajo më afrohet dhe më thotë këta më kanë mërzitur të gjithë, prandaj unë doja që ti trembja. Vajza qante dhe me përqafonte, duke biseduar me të, kuptova që ajo ishte mërzitur me shokët për një keqkuptim të vogël. Biseduam të gjithë së bashku, e disktuam se për çfarë ishte keqkuptimi, dhe se çfarë do ndodhte nëse do hidhej nga shkallët. Kur i tregova se kur hidhesh nga shkallët do të thotë të dëmtosh veten, te hidhërosh prindërit dhe mësuesen, ajo më tha: aha, mendova se do hidhërojë vetëm shokët. Por kjo nxënëse është susksesi im në këtë shkollë, pasi ka reflektuar nga viti në vit.  Herë pas here, ndodh që të kemi probleme, apo situata të vështira. Por këto kërkojnë shumë vëmendje për ti menaxhuar sa më drejt. Një mëseus që i do fëmijët i përballon sfidat, dhe sfidat me fëmijët janë nga më të bukurat. Për të menaxhuar të gjitha këto duhet në radhë të parë të jesh një njohës shumë i mirë i shkencave dhe psikologjisë, të zotërosh aftësi pedagogjike të larmishme, të jesh artist në shpirt dhe ator në interpretim.

Intervistoi: Eglantina Alliaj