Një kërkesë divorci që mund të ishte fare normale, u bë lajm i ditës. Ishte hartuar si një pretencë ndaj dy personave, më shumë se sa një kërkesë për të zgjidhur lidhjen bashkëshortore. Arsyeja e prishjes së familjes, ngjan më shumë me dramat romantike dhe skematike të Hollivudit se sa me realitetin shqiptar. Nëse gërmohen më tej arsyet ngjashmëria me filmat forcohet.
Historia fillon në fakultetin Juridik, ku Elisabeta Imeraj është njohur me bashkëshortin e saj Agron Bajri. Ishin në një klasë dhe kishin të njëjtat interesa dhe probleme. Pedagogia Genta Tafaj Bungo, u jepte mësim të dyve dhe kjo ishte e pashmangshme. Kjo pashmangshmëri është e njëjtë edhe për të marrë vesh nëse shoku i saj i klasës, i preferuar ose jo, ka goditur në mes të fakultetit pedagogen, pasi mori një notë që nuk i pëlqeu. Nuk ishte një marrëdhënie intime ajo mes Bajrit dhe Bungos, nuk ishte sherr në ambient të izoluar. Ngjarja ka ndodhur në fakultet dhe të gjithë studentët kujtohen për këtë, përveç Elisabeta Imerajt.
Kjo histori e bën pak ose aspak të besueshme arsyen kryesore për të cilën Elisabeta Imeraj po prish familjen, por më shumë rëndon mbi besueshmërinë e Komisionit të pavarur të Kualifikimit. Genta Bungo, duke u tërhequr nga komisoni i verifikimit të Imerajt, ka pranuar se ishte aty në konflikt interesi, se, ndryshe nga Imeraj, ajo nuk e kishte harruar dhunën e studentit, pavarësisht viteve. Tërheqja e Bungos, konfirmon se ajo ishte aty me ndërgjegje të plotë, se kishte hyrë në konflikt me ndërgjegje të plotë dhe se nuk përjashtohej që ta bënte këtë për hakmarrje ndaj bashkëshortit të Imerajt. Vetë kërkesa e divorcit të prokurores, përmend problemet që i janë hapur nga hetimi që po bënte Bungo, probleme që lidhen, sipas Imerajt, vetëm më bashkëshortin e saj.
Ajo letër që rrëfen më shumë se cfarë është shkruar, lë të kuptojë se hetimi i Bungos, si drejtuese, ishte përtej normales dhe I përqëndruar më shumë tek bashkëshorti i subjektit se sa tek vetë subjekti. Agron Bajri është drejtues i një studioje ligjore, me licencë noteri. Pasuria e tij, e vënë privatisht, mund t’a kompromentojë deklaratën e pasurisë se kreut të prokurorisë së Tiranës, por nuk mund të jetë bazë për vlerësimin e saj.
Kjo mbetet në gjykimin e KPK tashmë, por ajo që bëri Bungo, është një vepër që vë në dyshim gjithë Vettingun. Pas kësaj, të gjithë mund të pyesin, sa raste të hakmarrjes personale ka patur gjatë Vettingut?
Sa raste të konfliktit të interesit që janë reklamuar nga Gjyqtarët dhe Prokurorët kanë ndikuar në vendimet e komisieneve të kualifikimit?
Sa viktima ka bërë Vettingu për arsyet personale dhe sa është deformuar kështu reforma?
Të gjitha këto pyetje tashmë janë legjitime. Genta Bungo i vuri një vulë të madhe dyshimi Vettingut, ndërsa Elisabeta Imeraj, duke u kujtuar për hallin e saj, tregoi që nuk mund të jetë prokurore e SPAK.
Një prokurore që deri sot, nuk dinte as situatën financiare të bashkëshortit dhe problemet e saj, nuk mund të jetë e lirë për të hetuar zyrtarët e lartë…