Isha fëmijë dhe kam ende kujtimin e nënës time që lexonte. Për të, të lexuarit ishte një gjë tejet jetike. Nuk bëhet fjalë vetëm për kënaqësi, apo për t’u informuar. Përkonte pikërisht me mundësinë e saj për të arritur dhe për të bërë gjithçka tjetër. Eshtë ky dimension i domosdoshmërisë që ka shoqëruar gjithmonë eksperiencën time të lexuesit. Që kur duart e mija ende të holla lodheshin duke mbajtur për disa orë ata libra të mëdhenj me kapakë kartoni, që shpesh herë ua dhurojnë më të vegjëlve. Kopertina shumëngjyrëshe, fletë më të rënda dhe gërma më të mëdha, me qëllim që hyrja në atë botë të imagjinatës, të ndodhte në mënyrën më të thjeshtë. E kështu, kur që i vogël, mësohesh me ata dialogë të heshtur, pastaj kur rritesh është e vështirë të bësh pa ta. Shndërrohet në një përballje të domosdoshme, në qenien e vet të përditshme dhe konstante. Kur, për një arsye të caktuar, zvogëlohet koha që i kushtohet leximit, dita kalon pa e patur të plotë kuptimin e saj. Dhe të mbetet përshtypja që ke humbur diçka të parikuperueshme. Koha për leximin është zvogëluar. Kriza dramatike e botimeve nuk është prodhuar prej librave elektronikë, apo prej botimeve super ekonomikë. Aspak. Kriza është shkaktuar nga mungesa e kohës, të cilën na e ka gllabëruar furia e Internetit. Në tren, në avion, në shtrat, mes duarve nuk ka më faqe, por smartphone. E imja është një nostalgji për të kaluarën? Ndoshta, pak. Ludizmi anti-internet: do të më pëlqente, por nuk jam kaq i pamend. Preferoj të punoj me këto platforma për t’u dhënë hapësirë librave. Për t’u rikthyer kohën e humbur.
I urrej lëvizjet sepse bëj shumë, por ka vetëm një gjë që më jep kënaqësi në këtë lodhje mekanike: rimarrjen në dorë të librave që kanë bashkëjetuar me mua dhe ndaj ata vende, për disa muaj. Më ndodh të citoj një shprehje të Umberto Ecos: “Kush nuk lexon, në moshën 70 vjeçare do të ketë jetuar vetëm një jetë: të tijën! Kush lexon do të ketë jetuar 5 000 vite: do të mbaj mend kur Kaini vrau Abelin, kur Renzo u martua me Lucian, kur Leopardi admironte infinitin… sepse letërsia është një përjetësi përsëprapthi”. Kështu që, kush lexon do të ketë instrumenta që i shtohen jetës së tij; instrumenta që vijnë prej eksperiencave që, i kanë jetuar të tjerët për ne. I jam mirënjohës nënës time dhe gjyshit tim, për nxitjen e vazhdueshme që më kanë bërë drejt librit. Eshtë një fillim që duhet të konsiderohet themelor; asnjë fëmijë nu do të lexojë, nëse nuk sheh prindërit të lexojnë, asnjë fëmijë nuk do të lexojë, nëse shtëpia e tij është pa libra. Kjo për shkak të letërsisë, të rëndësisë së shembullit, të imitimit. Do të jetë më e lehtë që të më vijë dëshira për të leuar, nëse shoh persona përreth meje që lexojnë. Nëse dikush që është në krahun tim më fton të lexoj. Nëse dikush që shtë në krahun tim, më mëson të gjej kohë për t’iu kushtuar librave. Por, pastaj lexova një sondazh që më bëri shumë kurioz. Bëhet fjalë për tregun e botimeve, cilët libra shiten, cilët janë klasifikimet e më të pëlqyerve. Se si Italia është një vend lexuesish të dobët (sipas institutit italian të statistikave, në vitin 2014, 58.6% e italianëve nuk kanë lexuar asnjë libër në 12 muajt e fundit), por nuk flitet asnjëherë, se si jeton ai që lexon dhe si jeton ai që nuk lexon. Ose më mirë, jemi të bindur se kush lexon ka më shumë instrumenta, është më pak i pavetëdijshëm dhe ndoshta edhe më pak i ndikueshëm, se sa ai që nuk lexon. Por jo vetëm kaq, me sa duket, është edhe më i lumtur. “Lumturia e leximit”, quhet një kërkim i porositur nga GeMS (Grupi i Botimeve Mauri Spagnol), me rastin e përvjetorit të tij të dhjetë, dhe që ia ka besuar Cesmer, Qendrës së Studimeve mbi Tregjet dhe Marrëdhëniet Industriale në Universitetin e Romës. Studimi ka përdorur parametra të ndryshëm. Dallimet në jetët e lexuesve dhe jolexuesve janë paraqitur në tre shkallë të ndryshme (shkalla e Veenhovenit, shkalla e Cantrilit dhe shkalla e Diener dhe Bisvas-Diener) dhe rezultatet përkojnë: kush lexon është më i lumtur, provon një gamë më të gjerë ndjesish pozitive dhe më të ngushtë ndjesish negative dhe arrin të përmbajë zemërimin. Fakti që është studim e ka porositur një botues flet shumë për një aspekt që e konsideroj qendror: nuk është e rëndësishme vetëm të vlerësohet ajo që lexohet më shpesh dhe mbi të gjitha çfarë blihet, por të dihet se kush boton libra, të çfarëdolloj zhanri dhe niveli, po punon për t’i bërë të tjerët pak më të lumtur. Nuk ka asgjë më të bukur se sa të dish që puna jote mund të kontribuojë për lumturinë e të tjerëve.
L’Espresso-Bota.al