“Robert Ndrenika me kasketën e Enverit”, rrëfimi i regjisorit: Si më detyruan...

“Robert Ndrenika me kasketën e Enverit”, rrëfimi i regjisorit: Si më detyruan ta xhiroj filmin nga e para

528
0

ALMA MILE/ Kur kthehet pas në kohë dhe i kujtohen ato vite, ai qesh me “mendjelehtësinë” dhe guximin e të riut. Rrezikonte pa e menduar se cilat do të ishin pasojat.

Saimir Kumbaro është një nga regjisorët më të mirë shqiptarë. Filmat e tij shquhen për mënyrën e skalitjes së karaktereve dhe për një humor fin, batuta të gjetura, që i kanë rezistuar kohës. Tanimë u bënë vite që nuk realizon filma. Nuk është edhe aq e thjeshtë. Brezi i tij, pak e gjen veten në politikat e reja të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Projekte ka gjithnjë në duar, sepse siç thotë ai “më mirë të punoj kot, se sa të rri kot”.

E aq më tepër ai nuk mjaftohet me lavdinë e para ’90-s, edhe pse ka arritur të realizojë filma që do t’i mbeten historisë së filmit shqiptar. Kur kanë kaluar 35 vjet që atëherë, regjisori kujton filmin “Nxënësit e klasës sime”, një tjetër bashkëpunim me skenaristin e ndjerë Kiço Blushi. Një film mbi një temë të ditës, që lidhej me problemet e rinisë, por edhe fiktivitetin dhe ndërhyrjet e pushtetit nëpër shkolla. Në dukje një film i lehtë social, por që nuk kaloi pa andralla.

 

Pasi përfundoi realizimi i filmit, komision pas komisioni, trupa u detyrua të kthehej sërish në sheshxhirim. Arsyeja mund të duket banale dhe qesharake sot: Saimir Kumbaro i kishte vënë në kokë personazhit të tij, shokut Kristofor, një kasketë, si ajo që mbante Enver Hoxha. Një element që jo vetëm nuk kaloi pa u vënë re, por e detyroi regjisorin të priste dhe të rixhironte të gjitha ato skena ku Robert Ndrenika shfaqej me kasketë. Këto dhe të tjera prapaskena, Kumbaro i tregon për gazetën “Panorama”.

Në vitin 1984 ju keni realizuar filmin “Nxënësit e klasës sime”, që trajtonte një temë dite, por edhe me ca nëntekste politike. Si lindi ky projekt?

Pas disa filmave, si “Koncert në vitin ‘36″ në bashkëpunim me Kiço Blushin dhe “Gëzhoja e vjetër” me Neshat Tozajn, në vitin 1984 më ofrohet një skenar i ri. Një skenar me autor Kiço Blushin, me temë rinore, sociale, për problemet e rinisë, me dallaveret dhe ryshfetet e asaj kohe. Edhe atëherë kishte të tilla, por sot ndihen më shumë.

Zgjodha një kast aktorësh që nuk kishin luajtur nëpër filma, me përjashtim të Mirush Kabashit, Mira Gjatës dhe Bert Ndrenikës. Këta ishin aktorë të mitë të preferuar. Në të tilla raste zgjidhej edhe vendi ku do të xhirohej. Kushtet ishin shumë të mira, gjithçka po shkonte mjaft mirë, zhvilluam xhirimet dhe erdhëm në Tiranë.

 

 

Si u prit filmi?

 

Pikërisht tani fillonte sita. Faza e parë ishte ajo e Këshillit Artistik. E pëlqyen. Madje, më kujtohet Kiço Blushi, përmendi një shprehje të Ramiz Alisë: “Të këndon ekrani”. Sigurisht që unë e kuptova, por i them: Kiço, nuk është film muzikor ky. “Po ta them në mënyrë figurative”, më tha. Hallka e parë kaloi. Ishte radha e kolektivit. Salla u mbush plot, por ndërkohë filluan ca lëvizje, të kruara zërash… s’po ndiheshin rehat. Pas përfundimit, më thërrasin në redaksi e më thonë: “Dëgjo, filmi është i mirë, trajtohet mirë tema e ditës, tema sociale, por ti, përfaqësuesit të pushtetit i ke vënë kapelën e shokut Enver – kasketën”.

 

 

Ç’ju shkrepi në mendje t’i vinit kasketën e udhëheqësit, personazhit tuaj?

 

Ishte spartakiada në atë kohë, kur shoku Enver na u shfaq me një kasketë ngjyrë kaki. Ashtu e mendoi ai në atë kohë, të ndërronte lukun. Kur e pashë, thashë me vete, përse të mos ia vë dhe unë Bert Ndrenikës?! Po ta mendosh sot, ishte mendim prej mendjelehti. Ia vë kasketën Bertit. Por nuk ishte vetëm kjo. Unë “pushtetin” e ngjis dhe e rrëzoj nga shkallët dhe ai thyen krahun. I vetmi që e kapi këtë element, ishte Kujtim Çashku, djalë inteligjent: “E ke thyer pushtetin,- më tha. – I ke krisur dorën”. “Jo mo,- i thashë,- vetëm sa e kam lënduar pak”.

Kush reagoi nga kolektivi?

Ishin kolegë të mitë, të cilët unë i çmoja. Nuk duhet të kishin reaguar në atë mënyrë, sepse në atë kohë këto gjëra ishin me shumë zarar.

Po ju akoma nuk kishit kaluar provën më të vështirë, me përfaqësuesit e Komitetit Qendror…?

 

Fill pas saj erdhën përfaqësuesit e Komitetit Qendror, një tjetër hallkë. “Ç’është kjo kasketë që i ke vënë personazhit negativ?”, më thanë. “Nuk është personazh negativ,- u thashë,- ka ca shfaqje të huaja, por nuk është i tillë”. “Mirë, atëherë, do t’ia heqësh atë kasketë”. Unë e kuptova se ç’do të thoshte: Shko dhe rixhiro! Njeriu që ngulte më shumë këmbë për heqjen e kasketës ishte Anastas Kondo, zëvendësministër në atë kohë.

 

Më tolerant ishte Alfred Uçi. “Po, le ta lëmë, s’prish punë”,- tha. Po kasketa do hiqej se s’bën. Pavarësisht rezistencës, pashë ç’pashë, mblodha sërish grupin dhe u nisëm për në Sarandë. Këtë herë morëm një “gërshërë” të madhe, duke ribërë skena të tjera. E sheqerosëm, me pak fjalë.

Çfarë ndodhi me filmin më tej?

 

Filmin e ribëmë pa kasketë. U shfaq në prag të Vitit të Ri, në Kinostudio. Por ndodhi diçka që më hidhëroi pa masë, më la një shije shumë të keqe. Në mes të shfaqjes vjen drejtori i Kinostudios bashkë me Dritëro Agollin dhe Kujtim Çashkun, me një tabor tjetër nga pas, që kishin ardhur për të parë filmin “Dora e ngrohtë”, që në atë kohë kishte bërë shumë zhurmë, i ishte bërë shumë propagandë.

 

Ma prenë filmin në mes. Nuk ka gjë më të rëndë për një autor kur ia lënë filmin përgjysmë për të parë diçka tjetër. U mërzita shumë, aq më tepër që edhe Dritëroi, edhe drejtori i Kinostudios, Vangjush Zallëmi, kishin ardhur çakërrqejf. Nuk do ta harroj gjithë jetën. Ishte një sjellje tipike despotike.

 

 

 

 

 

Si reaguat?

 

Ishte një punë me bela ajo. Në këtë rast, Kiço Blushi më ka mbrojtur. Ai ishte edhe Sekretar Partie dhe tha që “nuk duhet t’i japim kaq shumë rëndësi kësaj. Këto janë gjëra që riparohen”. Ai e mbrojti filmin. Më pas, filmi pati udhën e vet.

 

 

 

U bë vite që nuk keni realizuar një film artistik, çfarë ju ka mbajtur larg sheshxhirimeve?

 

Filmi i fundit që kam realizuar ka qenë në vitin 2007, pra, 12 vjet më parë dhe për një krijues nuk janë pak. Kam skenarë nëpër duar, por nuk dua të bëhem grindavec e të ngre zërin se përse nuk fitova unë. Por unë di të bëj filma, nuk mund të shes banane apo të bëj ndonjë biznes tjetër. Problemi është shumë serioz dhe lidhet me politikat dhe strategjitë që ka ngritur Qendra Kombëtare e Filmit. Ajo është kthyer në një qendër, që favorizon vetëm 5 njerëz, që ndajnë mes tyre ato 5 lekë që jep shteti për filma.

 

Këshillat miratues, që duhet të jenë shumë profesionalë, përbëhen nga njerëz joprofesionistë. Ata janë përfaqësues të 8 shoqatave të filmit. Shoqatat paraqesin kandidatët e tyre dhe zgjidhen 5 anëtarë. Ata nuk janë profesionistë, por qejflinj filmash, të cilët janë shumë më të dëmshëm se ata që nuk janë qejflinj filmash por janë profesionistë e njohin dhe respektojnë punën. Pra, defekti fillon që në ngritjen e komisioneve, që përbëhet nga njerëz joprofesionistë për të vijuar me tarafet dhe buxhetet.

 

Për mendimin tim, Ilir Butka përdori një mënyrë shumë të gabuar. Për të ulur sasinë e prodhimit, uli jashtëzakonisht buxhetet, duke abuzuar me dashurinë dhe pasionin e të rinjve për filmin. Por kjo është e limituar. Po e fillove një projekt, do ta mbarosh atë dhe ka shumë të rinj që nuk ia dalin dot deri në fund. Nëse do vazhdojë të jetë Butka në atë vend, duhet ta korrigjojë këtë pikë. Më mirë të bëjë dy filma dhe t’i bëjë si duhet, se sa të krenohet me çmime festivali.

 

E rëndësishme është të shesësh apo ta distribuosh filmin në vendet e tjera. Për të mos folur për tematikat. Ne nuk mund ta çudisim botën me drogë, me prostitucion. Ne do ta çudisnim me vlerat tona, zakonet, mënyrën e jetesës. Shumë të rinj ende nuk e dinë se çfarë do të thotë të bësh një film. Nuk e dinë se çfarë është kinemaja. Kinema do të thotë të rrëfesh. Një regjisor i mirë di të tregojë një histori. Më mirë pak e saktë, se sa shumë e për lumë.

 

 

 

Keni në dorë ndonjë nga ata skenarët që do “çudisnin”, meqë siç e thatë edhe ju, ne botën nuk e çudisim dot as me temat e drogës e as të prostitucionit…?

 

E kam një skenar, për të cilin kam biseduar edhe me producentë të huaj. Është një doku-fiksion që tregon fatin e varrit të Et’hem Beut në hyrje të xhamisë, i cili është zhdukur. Aty janë dy varre, njëri që është i Belkizit dhe tjetri është gjysmë. Dhe unë vihem në kërkim të këtij gjysmëvarri dhe e gjej, jo materialisht, por historinë e tij. Këtë gjysmëvarr e ka marrë Kinostudioja në vitin 1978 për të bërë filmin “Ballë përballë”.

 

Kur përfundoi filmi, gurët e varrit nuk dihet se ku përfunduan. Dhe filmi im ishte një lloj “Kodi Da Vinçi”, në kërkim të gurëve. Është një temë interesante, pasi lidhet me një monument kulture, ndërtimi i së cilës është një histori më vete. Po kaq i veçantë është edhe dekorimi i hajatit të tij, që është pikturuar nga piktorë venecianë, të cilët ngaqë nuk kishin qenë asnjëherë në Stamboll, e mbushën me gondola.

 

 

 

Keni tentuar për ndonjë financim në QKK?

 

Nuk ma aprovuan. Zotërinjtë që gjykojnë kinemanë më thanë: “Ke marrë shumë ti!” A mund të flitet kështu me një regjisor që është përpjekur që në 50 vjet të lerë një gjurmë?! Nuk e di se çfarë quajnë “shumë”. Pas filmit “Vdekja e kalit” në vitin 1992, duhet të vinte viti 2007, që të bëja një film tjetër. Kam bërë dhe nja dy dokumentarë si regjisor. Nuk e di nëse kaq janë shumë.

 

Dokumentarë të tjerë i kam realizuar në bashkëpunim me institucione të tjera. Ka kineastë që kanë bërë filma shumë herë më shumë se unë. Kështu që unë tani pres nëse më aprovohet ndonjë projekt, sepse unë jam me mendimin që më mirë puno kot se të rrish kot. Këtë nuk e bëj për dekorata. Këto janë trashëgimi zhdanoviane. Janë bërë të gjithë “Mjeshtër të mëdhenj” dhe “Nderi i kombit”. Ne jemi komb pa nder. Na gënjejnë me teneqera.

 

 

 

Do veçonit dot ndonjë film nga këta të viteve të fundit?

 

Nuk veçoj dot asnjë, sepse filmat nuk kanë as ngjarje dhe nuk ofrojnë as emocion dhe këto janë dy elementë shumë të rëndësishëm për një spektakël. Në këtë kontekst, ti fillon e s’je rehat në karrige, shikon orën kur do mbarojë, ose e sheh pa vëmendje. Nuk më ngacmon asgjë.