
Nga Ana LLAZO
Arsimi është një nga shtyllat themelore të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Megjithatë, sistemi arsimor po përballet me një sërë sfidash që lidhen me përputhshmërinë e programeve me nevojat e tregut të punës dhe mungesën e orientimit për të rinjtë. Këto sfida kanë ndikuar në zbehjen e rolit strategjik të arsimit, duke krijuar pasiguri për shumë të rinj.
Rivendosja e arsimit në qendër kërkon politika arsimore të mirëfillta, të fokusuara jo vetëm në ndryshime formale, por në përmbajtje, cilësi dhe rezultate të dukshme. Reformat me ndikim afatgjatë janë ato reforma që ndërtojnë kompetenca reale, nxisin mendimin kritik dhe përgatisin individë të aftë për t’u përshtatur me ndryshimet e tregut të punës. Në këtë mënyrë, sfidat aktuale mund të shndërrohen në mundësi reale zhvillimi.
Në këtë proces, këshillimi i karrierës përbën një element kryesor të politikave arsimore moderne. Ai duhet të implementohet si një proces i vazhdueshëm dhe i integruar në sistemin parauniversitar dhe universitar, duke ndihmuar nxënësit dhe studentët të identifikojnë aftësitë e tyre, të kuptojnë kërkesat e tregut të punës dhe të ndërtojnë rrugë të zhvillimit profesional. Mungesa e këtij orientimi shpesh çon në zgjedhje të gabuara akademike, braktisje studimesh dhe vështirësi në punësim.
Investimi në arsim dhe në shërbime të këshillimit të karrierës duhet parë si një prioritet dhe jo si një kosto afatshkurtër. Vetëm përmes një kordinimi të fortë ndërmjet politikave arsimore, institucioneve arsimore dhe tregut të punës, arsimi mund të shndërrohet në një motor real të zhvillimit të vendit.
Rivendosja e arsimit në qendër duhet të shihet si një angazhim i mirëfilltë për ti dhënë kuptim dijes dhe për të krijuar perspektivë të qartë për të rinjtë, duke e kthyer arsimin në një zhvillim cilësor.