Rinia e Tiranës “ngel në klasë” Bashkinë dhe partitë politike në Tiranë!

Rinia e Tiranës “ngel në klasë” Bashkinë dhe partitë politike në Tiranë!

507
0

57% e të rinjve të kryeqytetit deklarojnë se do të bojkotojnë zgjedhjet vendore të Qershorit 2019! Papunësia, të ardhurat e ulëta, korrupsioni dhe arsimimi janë problemet më shqetësuese që kërkojnë zgjidhje!

 

 

Tiranë, 18 Maj 2019 – Anketa Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”, e prezantuar në Samitin e 1-rë Kombëtar të të Rinjve, vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve vendore në Shqipëri, sjell një realitet tepër shqetësues dhe mbase të papritur për Bashkinë dhe partitë politike në Tiranë. Anketa e zhvilluar në 12 qarqe të vendit, me mbi 1210 të rinj e të reja, nga Child and Youth Policy Hub Albania, çdo javë do të publikojë Anketën me të dhëna për çdo Bashki qendër-qark të vendit, ku paraqiten shqetësimet, vlerësimi dhe zgjidhjet që të rinjtë japin për përmirësimin e situatës në të cilën ata ndodhen.

 

Anketa “Rinia në Tiranë 2019”, morri në konsideratë vetëm përgjigjet e të rinjve në Tiranë, dhe është bazuar vetëm te të rinjtë që ishin pjesë e Anketës, të cilët janë shprehur si vijon:

– 97% e të rinjve të intervistuar shprehen se Bashkia e Tiranës nuk i ka adresuar si duhet problemet e të rinjve;

 

– 91% e të rinjve të anketuar deklarojnë se Bashkia e Tiranës nuk ka punuar mjaftueshëm për të rinjtë;

 

– 92% e të rinjve të pyetur mendojnë se Sektori i Rinisë, Bashkia Tiranë nuk i ka adresuar problemet e tyre;

 

– 85% e të rinjve të anketuar mendojnë se Bashkia është pak ose aspak bashkëpunuese për zgjidhjen e problematikave të tyre;

 

– 94% e të rinjve në anketën e Tiranës, deklarojnë se buxheti është i pamjaftueshëm për rininë;

 

– 88% e të rinjve te pyetur mendojnë se Bashkia nuk i ka mbështetur mjaftueshëm organizatave rinore!

 

 

Në lidhje me bashkëveprimin midis partive politike, besimit ndaj tyre, vijimësisë dhe dëshirës për të qënë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme vendore, shifrat paraqiten tërësisht alarmante përsa i përket të rinjve në kryeqytet.

 

– 99% e të rinjve deklarojnë se partitë politike janë pak ose aspak të hapura për të zgjidhur problemet e të rinjve në Tiranë;

 

– 93% e tyre mendojnë se partitë politike as nuk dëshirojnë të konsultohen me ata për zgjidhjen e këtyre problemeve;

 

– 70% e të rinjve nuk i shohin bashkëpunuese grupimet politike;

 

– 57% e tyre nuk dëshirojnë të jenë pjesë e votimeve për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019. Arsyeja e këtij lloj bojkotimi, merr përqindjen më të madhe si mosbesimi te partitë politike, humbja e shpresës se politika mund të ndryshojë dhe se duan të largohen nga Shqipëria, si rrjedhojë e zhgënjimit që kanë krijuar tashmë partitë politike në vend.

 

Problemet kryesore të evidentuara nga Anketa “Rinia në Tiranë 2019” janë papunësia në masën 72%, e ndjekur nga të ardhurat e ulëta (54%), korrupsioni (48%) dhe arsimimi (48%).

 

 

Anketa “Rinia në Tiranë 2019”, është pjesë e Anketës Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”, të përgatitur nga Child and Youth Policy Hub Albania me mbështetjen e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN dhe CRCA/ECPAT Shqipëri. Qëllimi kryesor i anketës është evidentimi i problemeve të të rinjve në nivel kombëtar dhe vendor, si dhe adresimi i tyre nëpërmjet Axhendës Kombëtare të të Rinjve, Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë dhe politikave vendore për rininë në të gjitha Bashkitë e vendit.

 

 

Për çdo informacion, kontaktoni:

 

Child and Youth Policy Hub Albania

CRCA / EPCAT Shqipëri

E-mail: info@crca.al