Rini e harruar?! Vetëm 21 % e planit Kombëtar të veprimit për...

Rini e harruar?! Vetëm 21 % e planit Kombëtar të veprimit për të rinjtë është zbatuar nga qeveria shqiptare

596
0

79% e PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR TË RINJTË MBETET ENDE E PAZBATUAR!

 

 

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri në bashkëpunim me CRCA Shqipëri dhe 18 organizata dhe forume Rinore, prezantuan sot në një aktivitet të hapur gjetjet kryesore të Raportit të 1-rë Alternativ mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë në Shqipëri (2015-2020). Plani Kombëtar përfaqëson politikën zyrtare të Qeverisë Shqiptare për mbështetjen, fuqizimin dhe avancimin e të rinjve në Shqipëri, bazuar në gjashtë objektiva strategjikë dhe mbi 48 aktivitete, që duhet të ishin përmbushur ndërmjet vitit 2015-2016. Raporti Alternativ, është përndryshe, një raport monitorimi i punës së Qeverisë Shqiptare dhe Bashkive, për të bërë të mundur zbatimin e Planit. Qellimi i këtij Raporti nuk është vetëm evidentimi, nëpërmjet monitorimit, se sa është zbatuar Plani i Veprimit, por njëkohësisht të shërbejë si një instrument për të adresuar problemet që kanë të rinjtë shqiptarë dhe se ku duhet të fokusohet Qeveria shqiptare për të përmirësuar politikën dhe ndërhyrjet e saj për të rinjtë.

Disa prej gjetjeve më të rëndësishme të këtij raporti janë:

 

  1. Plani i Veprimit nuk është zbatuar në tërësinë e tij dhe sipas objektivave dhe aktiviteteve të parashikuara për t’u përmbushur gjatë periudhës 2015-2016. Nga 48 aktivitete të parashikuara për t’u realizuar gjatë kësaj periudhe, vetëm 10 prej tyre janë përmbushur.
  2. Mungesa e strukturave institucionale në nivel qendror dhe lokal nuk bëri të mundur zbatimin e Planit dhe aktiviteteve të parashikuara, si rrjedhojë edhe përmbushjen e Objektivave të vendosur. Ndonëse Plani parashikonte krijimin e një grupi ndër-ministror për monitorimin e zbatimit të tij, nuk rezulton që ky grup të jetë ngritur apo të ketë funksionuar ndojëherë.
  3. Dualizmi i pasjes së dy strukturave, një të Politikave Rinore dhe një të Shërbimit Kombëtar për Rininë, mos-patja e një stafi të plotë, kapacitetet e kufizuara dhe mungesa e informacionit transparent të roleve dhe përgjegjësive të tyre, si dhe lëvizjet e hërëpashershme, vetëm e shtuan paqartësinë mbi rolet e strukturave dhe funksionet përkatëse të tyre.
  4. Mungesa e bazës ligjore dhe rregullatore që do të bënte të mundur zbatimin e Planit të Veprimit. Mos-patja e një Ligji për të Rinjtë në Shqipëri, rregullores së funksionimit të Drejtorisë së Rinisë në Ministri dhe një strukture horizontale dhe vertikale të zbatimit të politikës dhe punës me dhe për të rinjtë e bëri thuajse të pamundur zbatimin e Planit, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel lokal.
  5. Mungesa e Programit Buxhetor për të Rinjtë në buxhetin e përgjithshëm të Ministrisë, jo vetëm që ndikoi në një mos-përmbushje të indikatorëve të matjes së zbatimit, por për më tepër, i rriti së tepërmi mundësitë që Plani Kombëtar të mos zbatohej.
  6. Mungesa e monitorimit dhe vlerësimit 6 mujor dhe vjeçar të Planit, përmbushjes së indikatorëve dhe realizimit të aktiviteteve të parashikuara, mungesa e kërkesë-llogarisë brenda vetë Ministrisë, matjes së përformancës së stafit të zyrave respektive, krijuan një vakuum të shtrirë në kohë të mos-zbatimit të Planit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri. Si rezultat, thuajse 3 vjet pas miratimit të Planit, asnjë Raport Monitorimi apo Vlerësimi nuk është përgatitur nga strukturat e ngarkuara me këtë funksion.
  7. Mbështetja dhe bashkëpunimi i përciptë me shoqërinë civile, Forumet Politike dhe grupimet rinore vullnetare, nuk arriti të krijonte procese të qëndrueshme të fuqizimit të shoqërisë civile, krijimit të sinergjive të reja për fuqizimin e të rinjve të angazhuar si në organizata ashtu edhe forume politike rinore, që më pas do të bënte të mundur monitorimin dhe vlerësimin e pavarur të zbatimit të Planit të Veprimit dhe politikës shtetërore për të Rinjtë në Shqipëri.
  8. Mungesa e mbështetjes politike, përdorimi i të rinjve dhe të rejave më shumë si sfond sesa një pjesëmarrje efektive e të rinjve në politikë-bërje dhe vendim-marrje, mos-sjellja e të rinjve së bashku në të gjitha nivelet e politikës dhe shoqërisë civile (Kuvend – Qeveri – Pushtet Vendor – OSHC) nuk nxiti si rrjedhojë një pjesëmarrje të gjerë apo një lëvizje kombëtare që mund të ndikonte në sjelljen e përmirësimeve dhe ndryshimeve të rëndësishme në jetën e të rinjve dhe si pasojë një peshë më e madhe e rolit që të rinjtë e të rejat mund dhe duhet të luajnë në të vërtetë në Shqipëri.
  9. Mungesa e një strukture zbatuese të Planit Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë në nivel kombëtar dhe mungesa thuajse tërësore e bashkëpunimit dhe e strukturave për të rinjtë në Bashki, solli si pasojë mos-zbatimin e Planit si në Ministritë e linjës ashtu edhe thuajse në të gjitha Bashkitë e vendit. Me përjashtim të Tiranës, Bashkitë e tjera nuk kanë as zë buxhetor dhe as edhe një strukture specifike për të Rinjtë në territorin e tyre, pavarësisht se të rinjtë përbëjnë të paktën 20-30% të popullsisë.
  10. Mungesa e një skeme financimi të rregulluar me Ligj për mbështetjen e OSHC-ve të të rinjve dhe forumeve politike, pengoi zbatimin e Planit të Veprimit, pasi organizatat, si agjentë të ndryshimit, nuk mund të angazhoheshin në mënyrë efektive për të zbatuar një apo disa elemente të Planit Kombëtar për të Rinjtë. Si rrjedhojë, edhe në ato raste kur OSHC-të rinore janë përpjekur të zbatojnë këtë Plan, ai ka qenë i bazuar në dëshirën e tyre të mirë dhe e mbështetur nga financime të huaja, por jo nga burimet e brendshme të Qeverisë shqiptare.
  11. Së fundmi, mungesa e organeve këshilluese rinore e vështirësoi edhe më tej bashpunimin OSHC-Qeveri, pasi të rinjtë përtej njohjeve apo dëshirës së mirë për të bashkëpunuar, nuk kishin mundësi reale të këshillonin në mënyrë të vazhdueshme strukturat përkatëse rinore në Ministri, Qeveri dhe Bashki (me ndonjë përjashtim) për masat që ato mund të merrnin për të forcuar punën me të rinjtë dhe zbatimin e Planit.

 

Disa prej rekomandimeve më të rëndësishme të këtij raporti janë:

 

  1. Rishikimi i Planit Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë (2015-2020);
  2. Përgatitja dhe miratimi i Ligjit për Rininë në Shqipëri;
  3. Miratimi Rezolutës për të Rinjtë në Kuvendin e Shqipërisë;
  4. Krijimi i një Nën-Komisioni Parlamentar për të Rinjtë në Kuvendin e Shqipërisë;
  5. Ngritja e një strukture të plotë Rinore në Ministrinë e Arsimit dhe Rinisë, të aftë për të zbatuar Planin dhe monitoruar e vlerësuar masat dhe arritjet e tij;
  6. Krijimi i një Programi Buxhetor për Rininë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit;
  7. Ngritja e pikave fokale ose e Sektorëve / Drejtorive për të Rinjtë në çdo Bashki të vendit dhe programeve buxhetore për të rinjtë;
  8. Mbështetja me financim nga fondet e Qeverisë dhe Bashkive të organizatave Rinore dhe Forumeve Rinore politike;
  9. Ngritja e një strukture konsultative Ministri-OSHC Rinore – Bashki për të ndjekur dhe monitoruar zbatimin e Planit Kombëtar.