Rindërtimi, Veliaj dhe Rama në shkollën 9-vjeçare “Mangull” në Petrelë: “Në Tiranë, 25 kantiere shkollash që po ringrihen nga e para pas tërmetit”

Paralelisht me rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në Tiranë po vijon edhe rindërtimi i shkollave. Kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ishin sot në Petrelë, ku ndoqën punimet për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Mangull”, e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, e cila do të ringrihet më e fortë dhe me mjedise e kapacitete disa herë më të mëdha se e para.

 

Veliaj tha se kjo shkollë, e vendosur në një prej zonave më panoramike të Tiranës, do të jetë gati në 1 Mars 2020, kur nxënësit kthehen për semestrin e dytë. “Aktualisht, 192 nxënësit e shkollës e zhvillojnë mësimin në shkollat e tjera të Petrelës, por me ritmin që kemi e kapim semestrin e dytë. Kemi ecur goxha mirë, puna ka nisur vetëm para pak javësh, por po të vazhdojmë me këtë ritëm, në 1 mars 2020 jemi gati për semestrin e dytë”, sqaroi Veliaj, duke shtuar se shkolla, por dhe rruga e re, ia kanë rritur vlerën pronës në këtë zonë.

 

Më tej, ai shtoi se në Tiranë janë gjithsej 25 shkolla, të cilat po rindërtohen nga e para pas tërmetit. “Kemi 14 shkolla në proces; 11 me financimin e qeverisë dhe 3 po i bëjmë me Fondin e Katarit. Te “Sami Frashëri” mbaruam pilotimin, tani jemi në fazën e hedhjes së betonit. Ndërkohë, po ndërtohen 11 të tjera nga projekti i përbashkët mes Qeverisë dhe Bashkisë: “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”, dy shkolla të mëdha, nga 10 mijë metra katrorë në zonën e “Don Boskos”, që prek Njësinë 9 dhe 11. Në Institutin Bujqësor kemi shkollën “Nënë Tereza” dhe “Kennedy”, që do t’i hapim në mars. Ndërkohë, shkolla “Andrea Stefani” ka ecur mirë, ndodhet tek rrethrrotullimi te sheshi “Shqiponja”. Me hapjen e galerive poshtë, do hapet edhe shkolla. Në zonën e “Astrit” fillojmë një shkollë tjetër, e cila është tek loti i 5 shkollave: shkolla në Sauk, në Kashar, tek Kopshti Botanik dhe shkolla “Dritëro Agolli” te Parku Olimpik”, tha Veliaj.

 

Shkolla 9-vjeçare “Mangull” është e ndarë në 3 korpuse. Korpusi më i madh është palestra, me 2 kate lartësi. Mbi të është zhvilluar një kat me laboratorë. Ndërsa, dy korpuset e tjera janë të ndara, përkatësisht, parashkollori dhe në katet e tjera 8 klasa me nga 24 nxënës.

Author: vizional