Rikthehen punimet parlamentare pas 1 muaj pushime verore. Kryesia e Kuvendit ka lajmëruar se sot, në orën 17:00, mblidhet seanca e parë parlamentare për këtë sesion, ndonëse 7 shtatori është pushim zyrtar për shkak se dita e “Shenjtërimit të Nënë Terezës” ishte ditën e shtunë.parlament kovid korrik
Ky sesion pritet që të jetë mjaft intensiv dhe me zhvillime të rëndësishme. Një nga detyrat e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë duhet ta përmbushë sa më shpejt në këtë sesion parlamentar është formimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi ekzistuesi i riformatua si pasojë e marrëveshjes së 5 qershorit.
Parlamenti duhet të zgjedhë deri më 19 tetor 12 anëtarët e rinj të KQZ-së, kryekomisionerin, nënkomisionerin dhe 10 anëtarët e dy komisioneve, atij rregullator dhe atij të ankesave dhe sanksioneve.
Ndërkohë që në ditët e para të punës, Kuvendi pritet që të ngrejë Komisionin e Posaçëm për verifikimin dhe përzgjedhjen e 12 anëtarëve të KQZ-së.
Në Kodin e ri Zgjedhor parashikohet edhe një dispozitë kalimtare, që meqenëse opozita e bashkuar dogji mandatet në 2018 dhe nuk ka përfaqësues në Parlament për të përzgjedhur anëtarët, këtë herë do të ketë një anëtar nga jashtë me të drejtë vetoje.
Opozita do të ketë të drejtë të propozojë anëtarët për nënkomisionerë, që do të merren me implementimin e teknologjisë në zgjedhje dhe po ashtu ka të drejtë të propozojë kandidatura për dy anëtarë në Komisionin Rregullator dhe për dy në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve.
Po ashtu, në këtë sesion parlamentar do të ndryshohet sërish Kodi Zgjedhor, pasi ndryshimet kushtetuese të seancës 30 korrik 2020 kërkojnë ndërhyrje në ligjin e zgjedhjeve.
Ndërkohë, ende nuk dihet nëse ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të vijnë si projektligj apo do të ngrihet një komision i posaçëm për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve.