Reportazh/ Tomorri, një mal mbretëror që “vuan” për 20 km asfalt/ Nga...

Reportazh/ Tomorri, një mal mbretëror që “vuan” për 20 km asfalt/ Nga Lisana Subashi

1007
0

 

E teksa nisim rrugëtimin nga Poliçani drejt malit të shenjtë, përballemi sërish me rrugën e pashtruar. Edhe pse vetëm 20 km rrugë, askush deri më sot nuk ka marrë përsipër ta shtrojë rrugën që të çon në një pikë aq të bukur turistike si Mali Tomorrit. Pluhuri i ngritur nga qindra makina që kalonin ja prishte bukurinë natyrës. Makina të shumta që herë pas herë i duhej të ndalonin për të hapur krahun, sepse disa pjesë rrugë janë të ngushta për të përballuar kalimin  në dy akse. Gjithsesi edhe pse me rrugë të vështirë për makinat e vogla, mijëra prej tyre nuk nguruan të bëhen pjesë e festës së Malit Tomorrit. Disa “çalonin” në malore dhe mezi ngjiteshin. Pasagjerët mbrapa detyroheshin të bënin një pjesë të rrugës në këmbë, që makina të tërhiqte më lehtë. Edhe pse ishe duke ngjitur një rrugë që të çon në mal, nëse hapje xhamat nuk mbusheshe me ajër mali, por me aromën që lëshon freksioni i sforcuar i makinës, si dhe me pluhur të ngritur nga rruga e pashtruar. Për banorët e fshatrave përreth këto janë ditët që i bëjnë të duken sikur jetojnë në metropol, për shkak të lëvizjeve të shumta. Pasi në këtë zonë në ditë normale kamionat që marrin pllaka në mal janë të vetmet makina që kalojnë, dhe tek-tuk ndonjë fuoristrad me pasagjerë. Vendasit kishin ngritur tezga përgjatë rrugës dhe shisnin produkte të zonës. Çaj mali, sherebele, thana, misra etj., ishin disa nga produktet që mund të blije.

Dukej si rrugë e vështirë dhe problematike, por shoferi që na shoqëronte duke qeshur na tha disa fjalë që po ta mendosh zënë vend: “Për rrugën mirë është të thuash të qëndrojë në gjendjen që është, ekzistuese, e shtruar vetëm me çakull, pa asfalt. Në të kundërt, radha e mijëra e mijëra pelegrinëve që vizitojnë atë vend në festën rituale të përvitshme nga datat 18 deri 22 gusht, sidomos me makina, do të krijonin një kaos që nuk mund të ketë polici trafiku ta mbajë”.

Rrugë e lodhshme deri dikur, por dëshira për t’u ngjitur në mal të tërheq pa e ndjerë peshën e saj.

Përpara se të ngjitesh në teqenë kryesore, apo zyrat kryesore pa shkuar në majë, gjendet një teqe e vogël. Eshtë vendi ku nuk lejohet të ndizet qiri brenda teqesë (por që të gjithë e ndezin nga një qiri) dhe brenda vendit është një gjurmë kali, ku presupozohet se ka kaluar baba Aliu me kalin e tij.

Pas një ndalese të shkurtër aty, ku përveç teqesë së ngritur së fundmi, jashtë saj mund të bësh edhe pazar për të blerë një nga qingjat që “presin” të bëhen kurban, vazhdon sërish rrugëtimi, tashmë shumë i shkurtër deri në teqe.

Kjo është pjesa e rrugës që shijon më shumë, kaosi i krijuar me natyrën, nga makinerit që nxjerrin pllaka mali në këtë vend të bekuar me pasuri ka përfunduar, tashmë pamja që të ofron rruga janë disa lëndina shumëngjyrëshe që të tërheqin pa masë për të qendruar aty për orë të tëra relaksi. Edhe pse virgjëria e natyrës të shijon, do doje pse jo që aty të ishte një resort turistik, i pari në këtë zonë, për të kaluar disa ditë në ajrin e pastër që ofron mali.

E zhytyr në botën e magjisë që të ofron pamja e këtyre lëndinave, papritur vjen zgjimi. Zhurma e makinave që nuk gjejnë dot parkim në teqe, mijëra makina, të vogla edhe të mëdha. Mijëra qengja që presin të bëhen kurban. Mijëra njerëz që shkojnë e vijnë… Kupton që tashmë ke arritur në teqe.

Kjo është pamja e datës 22 gusht në festën e Tomorrit.

Edhe pse mëngjesi ishte i freskët, zjarri i ndezur për pjekjen e mishit e nxehte disi. Kasap të reshtuar që nuk pushonin punën, dhe njerëz që prisnin në rradhë për të bërë kurbanin e tyre. Ndërkohë qengjat që piqeshin në hell ishin me dhjetra, edhe pse ora ishte vetëm 08:00 e mëngjesit.

Një vajzë bëntë foto me pamje nga pishat e bukura, ndërsa një tjetër sapo nxorri kokën nga çadra e kampingut, ku kishte kaluar një natë në vendin e shenjtë, e mbuluar me shumë batanije. Një nënë lyente me gjak kurbani djalin e saj të vogël për mbarësi.

Riti pagan, bektashi në rastin konkret, tregon se njeriu që bën kurbanin, lyhet me gjak në ballë. E po ashtu të gjithë ata që kanë futur lekët për të bërë kurbanin. Pasi lyen ballin me gjakun e kurbanit, duhet që kurbani të zhvishet. Lëkura lihet te ai që ka bërë therjen, ndërsa kurbani merret nga personi që e bëri. Sipas rregullit të rrëfyer aty sipër, shpatulla e qingjit mbahet nga i zoti që bëri kurban, ndërsa pjesa tjetër e mishit falet. Falet te familjarë apo miq të afërt, aty në ato familje, ku ti kërkon të çosh mirësinë që ke marrë nga bërja kurban në teqenë e Abaz Ali, në majën e Tomorrit.

 

Zhurmë, rrëmujë, pluhur, por të gjithë për një qëllim, për Festën e Shenjtë të këtij mali.

Në teqe, e cila nuk është në majë, janë bërë vendet e posaçme për të therur bagëtinë e imët, në mënyrë që procesi të mos kryhet vend e pavend. Gjithashtu vendi për të ndezur qirinjtë dhe për të kryer ritualin e faljes për mbarësi. I pasur dhe i varfër hedhin lekë tek varret.

Pjesa më e madhë e njerëzve që vijnë në festë ndalojnë në teqe, duke mos u ngjitur në majën më të lartë të Tomorrit, për shkak të terrenit vështirë. Në majën 2379 metrave, gjendet një teqe e vogël, e rregulluar vitet e fundit ku gjenden dy varre. Më të vjetrit të mësojnë disa prej të dhënave të ritit bektashi.  “Të kesh fat, duhet të vish tre herë rresht në këtë vend. Të falesh, të bësh kurban, të hedhësh lekë, e nëse ke njerëz të sëmurë, nëse nuk i merr dot me vete, patjetër të marrësh një rrob të tyren, ta vendosësh në ndonjë nga varret që janë aty, ose të marrësh fotografi e t’i lësh pranë varreve”, thotë roja i teqesë në majën e Tomorrit.

“Ka shumë nga ata që janë shëruar nga sëmundje që nuk kanë gjetur derman në vende të tjera, edhe në mjekë. Eshtë vend i shenjtë, është vend i mirë. Më mirë akoma, nëse bëhet kurban”.