Lajme

Reportazh/ Pushimet dimërore, aty ky mbretëria e dëborës të magjeps/ NGA EGLANTINA ALLIAJ*

By vizional

December 08, 2018

MAL I ZI- Dëborë, ski, shëtitje në mal, gatime tradicionale mund të jenë një zgjedhje për pushime dimri. Tashmë që jemi në sezonin e dimrit,  është koha ideale për pushime malore apo turizmin e bardhë të skive.  E nëse jeni në mëdyshje për destinacionin që do të zgjidhni, sidomos për ata që janë ta pasionuar pas skive dhe dëborës, mund të marrin shërbime nga profesionistë në shtetin fqinj. Zhabljaku dhe Kolashin janë dy destinacionet ku pistat e shkëlqyera të skive, shëtitjet me teleferik përmes bukuritë e malit Bjellasica dhe e parkut nacional “Biogradska gora”, të mbuluara krejtësisht nga bora tërheqin turistët.  Të duash ‘ta shohësh’ vërtet borën, domethënë të bësh ski, duhet të shkosh në vendin fqinj, në Malin e Zi.  Përveç skive dhe teleferikut, turistët kanë mundësi të përdorin edhe motorët e borës, por edhe  të shijojnë  gatimet tradicionale në restorantet e Kolashinit.

Qëndrimi ynë i parë është në Zhabljak, një nga qendrat kryesore turistike dimërore, e shtrirë në zemër të Malit Durmitor, fshehur pas mureve të mëdha të dëborës, një ndër labirintet e fundit të mbetur në kontinentin europian. Zhabljaku njihet për qendrat e skive më të famshme në Mal të Zi, pasi qëndron mbi 120 ditë i mbuluar me dëborë. Për të udhëtuar drejt qytetit të Zhabljakut nga Tirana do të duhen rreth 5 orë për të mbërritur atje, në zemër të Parkut Kombëtar Durmitor, ku janë edhe 18 liqenet akullnajore, e njohur ndryshe Crno Lake. Zhabljaku është qendra e turizmit malor të Malit të Zi. E gjithë zona e malit Durmitor është e mbrojtur si një park kombëtar, dhe ofron mundësi të mëdha për të dy sezonet dimëror dhe veror të turizmit malor. Parku Kombëtar i Durmitorit është i mbrojtur nga UNESCO. Zhabljaku njihet që nga 1939 nga turistët, por në vitet 1970-1980 ka marrë më shumë zhvillim, ku vitet e fundit janë ndërtuar 1 mijë shtëpi. Zhabljaku ka 3 mijë banorë (qendra); ndërsa gjithsej rreth 4500 banorë. Mbi 80 % e banorëve merren me turizëm. Kosto e ndërtimit të një vile në Zhabljak ka rënë në krahasim me vite më parë. Nëse 3 vite më parë çmimet për tokën (truallin) varionin 100 deri në 250 euro m2, tani çmimi llogaritet 15 % më  lirë, ndërsa çmimi i një apartamenti (i gatshëm) llogaritet 1 mijë euro m2. Materialet me të cilat janë ndërtuar vilat (hotelet) turistike prodhohen në Mal të Zi.

 

Pistat e skive janë deri në 12 kilometra të gjata. Shumica e hoteleve në komunat e Zhabljakut mund të organizojnë transportin për në dhe nga vendpushimet. Vizitën tonë të nesërmen në mëngjes e nisëm në qendrën më të vjetër të skive, në  Javorovaca, rreth 10 minuta nga hoteli “Polar Star’. Në ish-turizmin e vjetër na pret drejtori i turizmit të komunës Zhabljak, që mundohet t‘i ngrohë mysafirët me çaj e pije të nxehta, por dhe me petulla me mjaltë. i gjithë qyteti është në dispozicion të turizmit dimëror, shtëpi dhe hotele që variojnë në çmime nga 10 euro krevati pa ushqim, deri tek 20 euro dhoma në hotele por me dy vakte. Bora e ka mbushur mbi një metër. Në qendër të qytetit, ndodhet një qendër skish familjar, e ndërtuar pikërisht për fëmijët kryesisht. Javorovaca është qendra e parë e ndërtuar në vitet 70 kryesisht ku dhe u ndërtua teleferiku i parë në Mal të Zi. Vuk Popoviç, një 45 vjeçar, është pronari i qendrës dhe thotë se nuk është vetëm dimri koha  pushimeve në këtë qendër dhe në Zhabliak. Por vera ka pjesën më të madhe të pushuesve. Vijnë nga Franca, Kanadaja, Italia dhe shumë vende për sportet ekstreme si rafting, biking, hiking etj.

Pas një bisede të shkurtër, ndahemi me Vuk Popoviç, për të vizituar një tjetër qendër skish, më e madhja në Mal të Zi, Savin Kuk. Ndryshe nga qendra e skive, Javorovaca, qendra e skive Savin Kuk, përveç pistave të rregulluara për amatorë dhe fëmijë ofron pista edhe për ata që e kanë hobi këtë sport. Drejtori i qendrës turistike, Boban Scepanovic thotë se nga ky vit kjo qendër skish funksionon brenda fondit investues dhe zhvillues të shtetit, pra është pronë shtetërore. Duke e konsideruar faktin se është pronë shtetërore, Scepanovic shprehet se edhe biletat e përdorimit të teleferikut, apo skive janë më të ulëta se në vendet e tjera.

 

Bileta njëditore për teleferik dhe skiim kushton 10 euro ndërsa për femijë 6 euro. Por ka edhe paketa ofertash turistike shumëditore varësisht nga sasia dhe që janë më të ulëta se ato që merren për një ditë. Për shkak se ofron kushtet më ekstreme, kjo qendër skish, tërheq edhe skiatorët që kërkojnë kushte ekstreme të skiimit.

 

Nga Zhabljaku drejt Kolashinit, udhëtuam përgjatë bregut të lumit Tara.

 

Shoqëruesi ynë, Agron Camaj, me profesion jurist, shqiptar i Malit të Zi, i cili na shoqëroi gjatë tre ditëve të qëndrimit tonë atje, na shpjegoi se lumi Tara buron nga rrjedha e Opasanicës dhe Verushës rrëzë Malit të Komovit, në veri të Malit të Zi. Pjesa më e madhe e Tarës ( duke llogaritur edhe kanionin e tij ) është nën mbrojtjen e UNESCO-s si pjesë e Parkut Nacional të Durmitorit.  pas dy orë udhëtimi në Kolashin na pret Boban Stepanovic, drejtor i Ski Center, Kolashin. Ai na tregon se shqiptarët janë të përhershëm në Kolashin, pasi kjo zonë ka një pozitë të këndshme gjeografike, nuk është larg nga kufiri i Malit të Zi me Shqipërinë. Kolashini ofron edhe kapacitete të mëdha për skiatorët.

 

Në lartësinë 1450 metra mbi nivelin e detit, qendra e skive në Kolashin vizitohet nga shumë shqiptare, dhe si fundjave që ishte, ishte e pamundur që të mos takoje shqiptarët të cilët kishin ardhur të organizuar me grupe me operatorë turistikë ose familjarë. Pas nje dreke tradicionale në restorantin ‘Viline Voda’, iu drejtuam sërish Tiranës. Sipas raportit të Këshillit Botëror për turizëm dhe udhëtime, që analizon trendet e rritjes në 184 vende të botës në të cilat turizmi është degë strategjike, për vitin 2014, Mali i Zi ka mbajtur vendin e parë sipas parashikimit të shpejtësisë së zhvillimit dhe vendin e parë sipas shkallës së rritjes së pritur për periudhën dhjetëvjeçare të ardhshme. Gjatë vitit 2013, Malin e Zi e kanë vizituar gjithsej 30.129 turistë nga Shqipëria, me një rritej prej 16 % në krahasim me vitin e mëparshëm. Në raport me vitin 2013, në vitin 2014, numri i turistëve u rrit me 1.71 %, ose gjithsej 1.5 milionë turistë.