Aktualitet

Reportazh/ NJË UDHËTIM NË ZALL-DARDHË, BAHÇEN E ARTISTËVE/ Nga ILMI DERVISHI

By vizional

June 17, 2019

Fugoni me të cilin po udhëtonim nga Peshkopia për Zall Dardhë tani më nuk e ka stacionin te Ura e Lushës, buzë Drinit të Zi, një urë e ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, por rruga e asfaltuar kalon nga Laçesa deri te përroi i Blliçes, më pas, nëpër Fushë Alie vazhdon e parregulluar. Makina kalon në mes shtëpive të banimit në rrugën pa asfalt, duke ndjekur rrjedhjen e Drinit, paralel me rrugën Peshkopi-Kukës, siç quhet ndryshe “Rruga e Rinisë”.

Duke ndjekur gjarpërimin e lumit mes gjelbërimit në të dy brigjet, bukurinë dhe freskinë e këtyre ditëve fundmuaji maj, krejt rastësisht m’u kujtuan vargjet e Mjeshtrit të Madh, Haziz Ndreu te poema “Valët e Drinit të Zi”, botuar në vitin 1966: Drini i Zi ecën me shkulma valë-valë, / Tue u përplasun nëpër kepa ballë e ballë, / Herë në shtrat e herë prej shtratit tue dalë, /Len në të majtë të dy Malet Reç e Dardhë…

Ashtu, duke rikujtuar këto vargje arritëm te ura e re e ndërtuar vitet e fundit, që lidh dy brigjet mbi Lumin Drin, pak pa dalë në Lagjen Topuze të fshatit Lugjej. Nga Ura e Muhurrit e deri te Ura e Dodës në të dalë të Reçit, kjo urë është e vetmja në këtë segment që lidh dy brigjet me rrugë makine e që i dha një impuls lëvizjes, por dhe shkurtim i distancës Peshkopi-Zall Dardhë me 12 km.

Tanimë rruga automobilistike vazhdon duke lënë në të djathtë lagjen Topuze, Shatorret, një toponim që në kohën e Skënderbeut. Sapo kalon Lakun e Canit, duket Zall Dardha, Devishet e Lugjejt. Makina mori kthesën te përroi i Shehit dhe për pak minuta në qendrën e Zall Dardhës. Një shesh i madh, me ata ndërtesa gati në formë rrethi, spitali, shkolla, dyqane, bar bufeja e fshatit e gati në mes tyre një ndërtesë dy katëshe e mbajtur mirë dhe e lyer bukur, ku janë zyrat e administratës. Kjo ndërtesë, ku të dy katet janë ndërtuar me mur guri, kanë qenë zyrat e para të lokalitetit në vitin 1952.

 

INVESTIMET E MUNGUARA

 

Pas një përshëndetje në zyrën e gjendjes civile me z. Xhemali Cani ngjitemi në katin e dytë te administratori i Njësisë Administrative z. Abas Kaca. Folëm për gjendjen ekonomike, shërbimin shëndetësor, investimet, arsimin, lëvizjen e popullsisë, migracionin e brendshëm e për shumë shqetësime të popullit të kësaj zone.

“Numri i popullsisë ka ardhur në rënie si shkak i lëvizjes së lirë të njerëzve drejt Tiranës, Durrësit e gjetkë, thotë Abas Kaca, me profesion mësues, por tashmë administratori i njësisë bashkiake të Zall Dardhës.

Ai thotë se një jetesë më të mirë, një shkollim më të mirë për fëmijët janë arsyet kryesore të migracionit. Sipas tij, sot popullsia është 1286 banorë, nga 3592 që ishin në vitin 1992.

Largimi i shumë familjeve në Tiranë, Durrës e gjetkë, ka lënë gjurmët e saja në shembjen e disa shtëpive nga koha dhe nga moskujdesja. Fusha e Dardhës është tokë pjellore, por nuk plotëson të gjitha nevojat, ndaj shumica jetojnë me ndihmën ekonomike, me të ardhurat nga emigracioni.

Një copë rrugë në këmbë nga qendra drejt urës së telit që lidh Zallin me Lugjejt e bëra në këmbë, duke shijuar bukurinë dhe kujtimet e mia. Ura e telit, legjenda e viteve që shpesh mungonte investimi për ta mirëmbajtur, u bë një investim i madh nga ish Komuna, por tani kanë filluar shenjat e kalbjes së dërrasës dhe duhet mirëmbajtur.

Është jetike për popullsinë e dy anëve, por dhe zonave fqinje. Nebetat, kështu quhet toka e sheshtë nga shtëpitë e Dervishe deri në breg të Drinit. Janë toka të mira e shumë prodhuese. Ndonëse shpesh e përmbyste lumi, por këto vitet e fundit çdo vit më pak, falë investimit me argjinaturë mbrojtëse, si dhe rritja e shelgjeve, por mungon uji vaditës. Kanali që vinte nga Veleshica u mbyll nga erozioni dhe ato pak familje që kanë mbetur nuk e përballojnë dot, duhet investim për ta rihapur atë kanal. Po kështu, tokat e Cale, Rrafshet e Xhoxhe, ku në të dy anët e varrezave rrafshet janë djerrë, vetëm për kullotë e diku-diku mbuluar me ferra, duke u sjellë një dëm të madh ekonomik familjeve.

“Investimet publike kanë qenë me ritme të ngadalta, – tregon Abas Kaca. Por dhe ato pak investime janë kryer disa vite më parë, kur ishin komuna, janë jo cilësore dhe gati gjysmake deri dhe në keqpërdorim të fondeve publike”. Sipas tij, investimi më i rëndëssishëm i kësaj zonë, që i ka shërbyer shumë komunitetit ka qenë ndërtimi i urës mbi lumin Drini i Zi pranë lagjes Topuze, në vitin 2011-2012, e cila e ka shkurtaur distancën me Peshkopinë me 12 km.

Sipas administratorit të kësaj njësie, sot 65 për qind e popullsisë së Dardhës jetojnë me ndihmë ekonomike. Bujqësia dhe blegtoria nuk janë shumë të zhvilluar, por sadopak ndikon në përmirësimin e të ardhurave financiare. Një rol të madh në përmirësimin e jetës social-ekonomike janë dhe të ardhurat nga emigracioni.

Vazhdimi i punimeve në Rrugën e Arbërit ka ngjallur një shpresë për gjallërimin e ekonomisë së zonës.

Sipas Kacës, njerëzit kanë filluar të rikthehen dhe kjo është e rëndësishme. Vijnë dhe banojnë, rikonstruktojnë shtëpitë e tyre, mbjellin blloqe me pemë frutore si qershi, mollësh, lajthi dhe arra dhe gjithë kjo ka ngjallur shpresën se ekonomia lokale mund të ketë një përmirësim në të ardhmen e afërt.

Në të dyja anët e Drinit, Dardha ka toka të mbjella dhe livadhe, por dhe ato pak shtëpi janë veshur me pemë nga të gjitha llojet që rriten në zonë. Të ngjitesh për Lashkizë, drejt Majës së Madhe për në Lurë, ka vërtet bukuri natyrore mahnitëse. Qani është një fshat rrethuar mes malesh, si një amfiteatër me ujëra të rrjedhshëm.

Këtu është vendlindja e këngëtares, Artistes së Merituar Lirie Rasha. Ashpërsia dhe bukuria e maleve janë në harmoni, siç janë trimëria dhe mirësia e njerëzve të kësaj treve nëpër shekuj. Ja dhe shtëpitë e Hyse, ing. i pyjeve Ismail Hysa, një dashamirës i vendlindjes, një studiues i gjithë bimësisë dhe drurëve, së bashku me shkrimtarin Shaqir Skarra kanë shkruar dhe një libër monografi “Hakik Hysa i Dardhës” e mua m’u kujtuan disa vargje të këngës së kënduar nga Sherif Dervishi: Ka ra dielli në ballë të Lashkizës,/ Dritë po bën Kulla e Hysës.

Duke ndjekur rrjedhjen e Drinit të Zi në segmentin ku lag tokat e Dardhës nga Rrasa e Bollës te Rrasa e Keqe, atje ku lumi përplaset me shkëmbin sikur do të mbrojë fushën e Dardhës, që në kohën ku aty ka qenë qytet, pasi aty janë rrënojat e Mejës së Xhitetit, QYTETIT, duke devijuar pak majtas duke formuar Bunarin e Xhaferr Lucës përballë Mejes së Qytetit, merr drejtimin drejt Bunarit të Metës, duke e ndarë në mes Fushën e Dardhës dhe Nebetat e Dervishe.

Është interesant dhe i bukur vendi ku Veleshica bie pingul, duke u derdhur bashkë me inerte në lumin Drin dhe pamjet e bukura panoramike vazhdojnë deri në Kukës, por kanioni i Shënlleshënit ka një pamje piktoreske dhe të veçantë. Në një sesion shkencor për rrugët lidhëse me Rrugën e Arbërit dhe resurset turistike, ing. gjeolog prof. Vesel Hoxha foli dhe për Kaonin e Shënlleshënit si resurs turistik.

 

DARDHA, DJEPI I ARTISTËVE

 

Shpesh në biseda mes miqsh, por dhe ne njohës, studiues apo mbledhës të folklorit thuhet Zall Dardha është djep kulture. Vend i artistëve apo dhe bahçe folklori. Kjo ka arsyet e veta dhe vërtetësinë e kësaj të vërtete. Zall Dardha këtë qershor 2019 feston 70 vjetorin e Ansamblit artistik “Kuvendi”, që në vite të tërë ka qenë bërthama e çdo grupi artistik që përfaqësonte Dibrën. Në vitin 1957 vallja e të rinjve të Dardhës morën vlerësime në sallat e Moskës në ish Bashkimin Sovjetik. Zall Dardha ka muzikantë të mirëfilltë, ka këngëtarë me potencial e me vlerësime në shkallë republike, ka Mjeshtër të Madh, Artist të Merituar si Muharrem Xhediku, Haziz Ndreu, Lirie Rasha, Qerim Sula Sajhe Poleshi, Sherif Dervishi apo Bledar Kaca e tjerë. Por nëse shikon tregun muzikor apo kanalin muzikor You Tube, gjejmë shumë këngëtarë dernjanë që kanë disa këngë e videoklipe, si Rrushdi Dervishi, Metush Luca, Sadin Poleshi, Avni Dervishi, Xhelal Çerpja apo Gentjan Dervishi e të tjerë. Po kështu, muzikanti Qemal Toluli, mësuesi i muzikës, instrumentisti Ramadan Dervishi e tjerë.

Një vlerë artistike e shpirtit artistik të dernjanëve shikohet edhe në botime librash. Janë 19 autorë dernjanë që kanë botuar 31 libra, duke filluar nga Haziz Ndreu me 10 libra letërsi e studime historike. Kështu, në vitin 1961 boton librin me poezi “Ushtima e maleve”, poemën epope “Dibra ime” apo librin poetik “Valët e Drinit të Zi”, për të cilët u prit mirë nga lexuesi dhe kritika letrare dhe sot vetëm ata që dinë përmendësh disa vargje, sepse libri nuk është më për lexuesit e kjo do të thotë se ka ardhur koha të ribotohen. Po kështu, disa libra poetikë si “Pengu i dritës” nga Ramadan Topuzi apo romanet “Zhgënjimi”, “Shpresë e thyer” etj. Krahas këtyre botimeve, janë autorë të tjerë që nuk janë dernjanë, por kanë shkruar libra për personalitete e figura historike të Dardhës, emra të njohur si profesor Bujar Kapexhiu, Mjeshtër i Madh, shkrimtari Xhafer Martini, Xhezair Abazi, historiani Mois Murra e të tjerë.

 

Zall Dardhë, maj 2019