Reportazh/ Dita e Shna Ndout, mijëra besimtarë në pelegrinazhin e Laçit

Reportazh/ Dita e Shna Ndout, mijëra besimtarë në pelegrinazhin e Laçit

1845
0

Mijëra besimtarë të besimeve të ndryshme kanë marrë pjesë në pelegrinazhin e përvitshëm në kishën e Shën Ndout në Laç, mbrëmjen e 12-qershorit dhe gjatë ditës së sotme për të kremtuar festën e Shna Ndout.

Nga Era Çela

Stafi i “Vizion.com.al”, udhëtoi drejt Kishës së Shna Ndout, për të ndjekur nga afër pelegrinazhin. Një pjesë e madhe e besimtarëve e kanë kaluar natën në këtë vend të shenjtë, duke pritur ditën e 13-qershorit, për t’u lutur për të gjetur shpëtim, ndihmë prej Shënjtit, ndihmë prej Zotit.

Me qirinj në duar dhe lutje të ndryshme besimtarët kane përshkruar në këmbë rrugën nga qyteti i Laçit drejt malit ku ndodhet kisha. Sot është 13 Qershori dhe kjo datë lidhet me një objekt dhe kult fetar që sensibilizon shpirtrat njerëzorë. Është një vend pelegrinazhi në kishën e Laçit, që quhet Kisha e Shna Nout (shën Andonit, Antonios),sipas dialekteve. Me mijëra njerëz nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e vendeve të tjera, si dhe shqiptarëve në emigrim, vijnë të marrin pjesë në këtë pelegrinazh, duke shpresuar se ndezja e një qiriri, lutja në shpellën e shenjtit, rrotullimi tre herë rreth kishës, apo fjetja një natë pranë saj, do t’u përcjellë një copëz të shenjtërisë. Madje disa prej tyre marrin me vete edhe një grusht dhe, ose gurë të vegjël nga pjesa e jashtme e shpellës.

Kisha E Shna Ndout……kisha E Mrekullirave

Kisha e Shën Ndoit e cila ngrihet në grykën e malit të qytetit të Laçit ka nisur ritin e saj për të pritur besimtarët në 13 të martet deri me datë 13 qershor kur është dhe dita e përkujtimit të Shën Ndoit. Pelegrinët ngjiten në këtë mal duke kryer gjatë gjithë rrugës rite të ndryshme si: vendosjen e rrobave, përshkimin e shenjave të ndryshme në gurë dhe mure (sytë dhe trupi i Shën Ndoit), ndezja e qirinjve, vizita tek Shpella e Shën Vlashit dhe marrja pjesë në meshën tradicionale të kremtuar me këtë rast. Për 13 të marta me radhë në këtë kishë celebrohen mesha të shenjta, ku bashkohen në lutje dhe adhurim besimtarë të shumtë. Pelegrinët më të shumtë ishin nga Lezha, Mirdita, Shkodra, Tirana, Durrësi por edhe nga disa qytete të jugut të Shqipërisë.

Fjala përshëndetëse që shkëmbejnë me njëri-tjetrin është “Shna Ndoi ju ndihmoftë!”. Besimtarët pohuan se i drejtuam plot besim, lutje trupores së Shenjtit për paqe, shërim,bekime dhe mirëqenie, si dhe për të vdekurit që të prehen në paqe. “Në kishën e Laçit janë shënuar shumë  mrekulli.

Të sëmurët janë shëruar. Në shumë familje është rikthyer paqja dhe dashuria”, ndaj edhe vijmë këtu për t’u lutur, pavarësisht besimeve që u përkasim”, shprehen ata. Sipas tyre në këtë hark kohor 20 mars-13 qershor, cdo besimtarë duhet të bëjë të paktën 3 të marta. Një panoramë e tillë do të fokusohet për 13 të marta me radhë deri me 13 qershor ditën e Shenjtit, kur më shumë se 1 milion shqiptarë, katolikë, ortodoksë, myslimanë dhe ateistë bashkohen në lutje dhe adhurim  në Kishën e “Shna Ndout” në Laç.