Seanca plenare e ditës së sotme në Kuvend është shoqëruar sërish me akuza dhe batutta të ndërsjellta. Akuzave të opozitës për drogën dhe lidhjet me krimin, Rama i është përgjigjur se në PD ka një lloj kastraveci që nuk eskportohet, por rritet vetëm në gjirin e selisë blu. E menjëhershme ka qenë replika e Bashës, i cili i është drejtuar Ramës si “më të madhin e kastravecave.” Ndërsa Rama i ka kërkuar Lulzim Bashës që t’i shpjegojë se përse PD ka shkuar në Himarë ditën e djeshme, në një kohë kur në Greqi, opozita e atjeshme i ka dërguar letër BE-së që t’i kushtëzohet integrimit vendit.
Debatet:
Rama: Mbasi të japësh përgjigje, ose para se të japësh përgjigje, të dëgjova të thoje që në Shqipëri nuk ka karota, nuk ka patate etj, gjë që e tregojnë shifrat… në Shqipëri ka një lloj kastraveci, që nuk eksportohet, por kultivohet në llumin e Partisë Demokratike.
Basha: A e shikoni këtë kloun se si kërkon t’i ikë përgjegjësisë. Pse e mbushe Shqipërinë me drogë? Pse e mbushe parlamentin me kriminelë. Ka një shprehje që thotë se streha e fundit e maskarenjve është patriotizmi… ti po na flet për patriotizëm? Ti patriot? Po ti ke tre vjet që i bllokon Shqipërisë hapjen e negociatave me eksportin më të madh të drogës. Ja ku e ke transportin, o më i madhi i kastravecave… Eksporti jot është droga.
Berisha: Nëse kjo strukturë falike, vjen këtu dhe mbahet me struktura falike, unë propozoj që ta nxjerrim nga seanca.
Gramoz Ruçi: Ju lutem zoti Berisha, kjo nuk është replikë.
Rama: Në fakt ti Lulzim je një gramafon. Unë nuk besoj se ju jeni anti-kombëtarë. Por ju jeni të papërgjegjshëm. Ju nuk mbani përgjegjësi. Por sidoqoftë PD duhet t’u shpjegojë shqiptarëve se çfarë shkelje ka bërë qeveria në Himarë në raport me ligjet e vendit. Mospërgjigja tregon se ju nuk mbani përgjegjësi për atë që bëni. Sepse shtysa e vetme që ju nxjerr ju këtu, është ankthi për një pushtet që nuk e merrni dot këtu por aty ku flasin shqiptarët. Dhe shqiptarët folën në 25 Qershor. Ju doni sherr? Ju vazhdoni bëni sherr, ne nuk do ju bashkohemi.