Aktualitet

Regjistrimi i pronës, çfarë ju falet nga amnistia një mujore

By vizional

March 25, 2019

Përgjatë këtij muaji ata që kanë prona të paregjistruara duhet të shpejtojnë ta kryejnë këtë proces deri në mes të muajit prill pasi kanë përfitime. Ligji i ri për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që tashmë ka hyrë në fuqi, i hap rrugë amnistisë së re për pronat e paregjistruara në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Ndërsa në ligjin e mëparshëm parashikohej se nëse një kërkesë për regjistrim paraqitej më vonë se 30 ditë nga data e realizimit të tij, përveç tarifës së regjistrimit, për çdo ditë vonesë, që ka kaluar nga kjo datë, paguhej kamatëvonesë, e barabartë me 10 për qind të tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300. 000 lekë.

Me ligjin e ri, parashikohet që të gjitha kamatëvonesat e gjeneruara nga sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme deri në nisje të zbatimit të ligjit, do të hiqen.

Pra, deri në gjysmën e muajit prill të këtij viti, ata që veç tarifës së regjistrimit të pasurisë kanë edhe kamatëvonesë, do të mund të bëjnë regjistrimin duke paguar vetëm tarifën e regjistrimit, pasi kamatëvonesa u falet.