Reagon qeveria e Kosovës/ Çështja e rikthimit të eshtrave të Shote Galicës...

Reagon qeveria e Kosovës/ Çështja e rikthimit të eshtrave të Shote Galicës drejt zgjidhjes

391
0

Anila Ahmataj 

Gjatë rubrikës  “Autokton” të autores Anila Ahmataj’ në këtë pjesë të dytë u trajtua përsëri çështja e figurës historike Shote Galica, nga zbulimi i një va rri tjetër e deri te kërkesat e institucioneve dhe drejtuesve të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë emisionit u dëgjua edhe zëri i disa prej figurave të spikatura. Në fjalën e tij rojtari i kullës’ Kamer Kameri u shprehë i emocionuar dhe rrëfeu emocionet dhe gezimin e madh per rikthimin e eshtrave ne Galice’ si dhe na tregoi për kullën dhe veprimtarinë e luftëtarëve.

Viktor Hygoi thotë : Njerëzit e mëdhenj ia ndërtojnë vetes piedestalin, ardhmëria kujdeset vetëm për shtatoren, e ndersa Petro Nini Luarasi thotë : Bejlerë, vrismëni, po ma ruani gjakun se do t’u duhet nipërve tuaj, të shkruajnë gjuhën shqipe.

 

Historia e popullit shqiptar është  plot data dhe ngjarje në të cilat, jo vetëm burrat, por morën pjesë edhe gratë shqiptare. Ato me forcën dhe fuqinë e vet, kur kërkohej mbrojtja e atdheut, nuk i përfillnin zakonet e vjetra dhe kanunet e mykura por luftonin për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Pothuajse s’ka luftë a betejë që e kanë zhvilluar shqiptarët kundër armiqve të ndryshëm e ku të mos kenë marrë pjesë edhe ato.

 

Popujt më të vjetër të Ballkanit, ilirët dhe grekët e çmonin shumë gruan. Plaku i mençur Midani thoshte: “Aty ku mungon gruaja, asaj duhet bërë një shtatore prej druri”. E ndërsa të parët tanë, ilirët aq shumë e çmonin atë saqë qysh në shekullin II p.e.s. pranuan që në krye të shtetit të vihet një femër, mbretëresha TEUTË.

 

Në mesin e gjithë këtyre fytyrave historike të grave dhe vajzave shqiptare, qëndron edhe heroina Qerime Halil Radisheva, e skalitur në faqet e historisë me emrin SHOTË GALICA. Shota ishte edhe udhëheqëse luftarake dhe dymbëdhjetë vjet nuk e lëshoi pushkën nga dora. Ishte vetëm   19-vjeç kur  doli maleve e shtyrë nga një dashuri e vetme: Dashuria për Kosovën.

Fshati më verior i Drenicës së Kuqe, në kufi me Koloshinin, është Radisheva. Ky fshat ka bërë emër në historinë tonë kombëtare. Sa e sa herë është djegur dhe rrafshuar me tokë nga armiqtë e ndryshëm dhe prapë është gjallëruar. Ajo shtrihet në një luginë, përgjatë një lumi të kulluar që qetas rrjedh nga bjeshkët e larta.

Në 1915 Shota martohet me djalin e Bejtës, Azemin.

Mirëpo ngjarjet rrodhën ndryshe. Azemi u burgos dhe u dërgua thelë në burgjet serbe deri më 1915. Një ditë u thyen dyert e burgjeve, u vranë rojat, u kapiten malet dhe Trimi u gjend në Radishevë. Ishte fundi i vitit 1915, armiku priste te pragu i vatrave

Galica, edhe pse pa dasmë, u bëri pritje madhështore. Breshëritë e pushkëve çlirimtare e përshëndeten nusërinë e Shotës. Azemi u tha shokëve  ”Çetës sonë iu shtua edhe një pushkë!” Në verën e vitit 1916 Shota u betua se kurrë nuk do t’i ndahet burrit në luftërat dhe betejat për liri dhe pavarësi të Trojeve Etnike Shqiptare. Dhe, që në betejën e parë, që u zhvillua në Galicë, të dy bashkëshortët vendosen ta marrin mbiemrin e përbashkët- GALICA.

Edhe ditën e 15 korrikut 1924, në Betejën e Galicës, ajo u shqua me trimërinë e saj. Pasi e ndihmoi burrin për ta çarë rrethimin i grumbulloi familjet e Galicës ,gratë dhe fëmijët dhe nëpër tym e flakë i përcolli jashtë rrethimit. Edhe kur e gjen Azemin e plagosur, të shtrirë në vig, Shota mban qëndrim stoik dhe burrëror. Nuk ligështohet por i jep zemër atij dhe shokëve. Natë e ditë i qëndron te koka. Edhe kur i vdes burri në prehër ajo bëhet e fortë. Pasi i derdh dy pika loti, që nuk i përmbajti dot, u jep gajret shokëve dhe nuk i lejon të ligështohen e të hutohen. Vetë e udhëheq përgatitjen për ta lëshuar në shpellë. Me duar të veta, e varros në thellësinë e tokës, për ta ruajtur sekretin dhe betohet se do ta vazhdojë luftën, në ballë të çetës, nën emrin e tij

Pikerisht sot varri dhe lapidari i saj qëndron stoik ne Fushe –Kruje, buzë rrugës.

Në ato mure të asaj kulle shumë luftëtar nxorën pushkët për të mbrojtur atdheun, edhe sot  e kësaj dite brenda kullës qëndron një zë që rrëfen me detaje peshën dhe dhimbjen e madhe për ndarjen e Azemit dhe Shotë pikërisht tani që ata pushojnë të lire, por që eshtrat e tyre prehen shumë larg njëri tjetrit.

Populli i Drenicës thuri vargje e këngë, nga ato këngë që u këndohen trimave, por nuk harroi kurrë që të ndalte kërkesën për kthimin e eshtrave të Shotë Galicës në Galicë, pranë varrit të Azemit. Një ndër këto figura të dijes dhe historisë është edhe profesor Bedriu, i cili duket sikur çdo fjale që thotë e shoqëron me dhimbjen e mungesës së këtij amaneti.

Në anën tjetër, politikanë dhe përfaqësues të shtetit të Kosovës , kanë shprehur reagimin e tyre lidhur me këtë çështje që mesa duket po merr vëmendjen e munguar prej vitesh. Në fjalën e tij në kuvend deputeti Gazmend Syla ju drejtua kryeministrit me kërkesën për rishikimin e çështjes së kthimit të eshtrave të Shotë Galicës në Galicë, pranë Azemit. Ai shprehet se kërkesa e tij është marrë seriozisht dhe se qeveria ka reaguar lidhur me kërkesën.

Të flasësh për Shotën të lartësohet shpirti, ndien se historiku saj ka hedhë rrënjë të thella në memorien dhe dijen që shumë figura të letërsisë percjellin ndër breza. Jahja Lluka ish-këshilltar i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, njëkohesisht edhe Kryetar i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet  e veta  shprehet se angazhimet për kthimin e eshtrave kanë marrë drejtimin e duhur dhe shumë shpejt do të ketë një ditë të shënuar për popullin e Kosovës, që do të mbetet në memorie.

Pritja e gjatë e Azemit dhe popullit të Drenicës ka bërë që kjo çështje të shikohet më së miri. Shota, një figurë historike, që sot aktualisht gjendet me tre varre, por hija e rëndë e varrit bosh në Galicë është më e rëndë se pesha e atyre maleve ku Shota luftoi dhe dha jetën. Në një intervistë të drejtpërdrejtë, Zv. Kryeministri i parë i Kosovës Besnik Tahiri, shprehet i indinjuar për këtë çështje.

Kjo pritje e gjatë e rikthimit të eshtrave është nje pritje lirie, që mesa duket dalëngadalë po i vjen koha, pasi kujtimi për këtë heroinë nuk u shua kurrë dhe emri i saj qëndron krenar  në shume shkolla dhe institucione kosovare.