Rama takon Haradinajn në Dhërmi . Zbardhet biseda

Rama takon Haradinajn në Dhërmi . Zbardhet biseda

341
0

Kryeministri Edi Rama ndodhet zyrtarisht me pushime, por takimet nuk mungojnë. Rama është takuar me pretendentin për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ndonëse Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherazi kandidati i PAN-it, pret të votohet nga parlamenti për kryeministër, ai ka qenë në Dhërmi për fundjavën ku është takuar me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Këtë takim për Express e ka konfirmuar partia e Haradinajt. Dy politikanët kanë pirë kafe së bashku në Dhërmi e me këtë rast kanë bërë edhe një fotografi, ku duken shumë optimistë. Por, përtej kësaj kandidati i PAN-it, për kryeministër të vendit, Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk e kanë lënë anash edhe diskutimin rreth krijimit të institucioneve të Kosovës. Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj e ka konfirmuar për Express këtë takim dhe ka treguar se është biseduar edhe për situatën aktuale politike në Kosovë. “Krejt çka mundem më thënë është se nuk është kapërcyer as tema e krijimit të institucioneve të Kosovës dhe rëndësisë që ka ky proces për vendin”, ka thënë Nitaj. Kurse, gruaja e Ramush Haradinajt, Anita Muçaj-Haradinaj përmes një postimi në Instagram ka treguar se janë takuar me Edi Ramën. “Sot me Edin në Dhërmi!! Kryeministri i shqiptarëve”, ka shkruar ajo.