Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook përmbledhjen e raportit që i është vënë në dispozicion Grupit të Punës për mekanizmat e Bashkëqeverisjes me Njerëzit. Kryeministri thekson se, kjo përmbledhje, ashtu si vetë raporti, është bërë nga Skuadra e Shënimeve, pas leximit dhe kategorizimit në dosje të veçanta të të gjithë komenteve të qytetarëve në postimin me titull: Çfarë duhet të përmirësojmë?
Më poshtë postimi i plotë i Kryeministrit Rama:
RAPORT PËR JU
Më poshtë keni përmbledhjen e raportit që i është vënë në dispozicion Grupit të Punës për mekanizmat e Bashkëqeverisjes me Njerëzit. Kjo përmbledhje, ashtu si vetë raporti, është bërë nga Skuadra e Shënimeve, pas leximit dhe kategorizimit në dosje të veçanta të të gjithë komenteve Tuaja në postimin me titull: ÇFARË DUHET TË PËRMIRËSOJMË? Komentet e mëtejshme janë të mirëpritura për vijimin e bashkëpunimit tonë. S’keni parë gjë akoma
Statistika të sugjerimeve Për Shqipërinë që Duam
DREJTËSI-ADMINISTRATË-ARSIM janë 3 çështjet më të përmendura duke shënuar edhe diferencë të konsiderueshme me të tjerat. Të përmendura mbi 4900 herë ato qëndrojnë në krye të listës duke bashkuar shumicën e komentuesve si fushat prioritare për katër vitet në vijim.
Nëse do të përzgjidhnim 5 çështje kyçe, ato do të ishin: DREJTËSI-ADMINISTRATË-ARSIM -BUJQËSI-SHËNDETËSI, të sugjeruara 5237 herë.
10 ÇËSHTJET KRYESUESE TË SUGJERUARA RRETH 10 MIJË HERË NË 6 MIJË
KOMENTE JANË:
- DREJTËSI
- ADMINISTRATË
- ARSIM
- BUJQËSI
- SHËNDETËSI
- PUNËSIM
- RILINDJE URBANE
- SHTET
- EKONOMI
- TURIZËM
1105 komentues inkurajojnë dhe kërkojnë të ecet shpejt me reformën në drejtësi si një premisë kyçe që shtron rrugën për zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera, që nga lufta kundër korrupsionit tek rritja e investimeve të huaja; zgjidhja e problemeve me pronat; lufta ndaj pabarazisë apo kundër abuzimeve të çdo niveli
973 komentues kërkojnë reformimin e thellë të administratës duke e ulur pritshmërinë edhe deri tek mirësjellja dhe ofrimi i informacionit të saktë. Sugjerimet se si mund të arrihet përfshijnë depolitizimin; punësimin e profesionistëve përmes meritës, qendërzimin e shërbimeve dhe digjitalizimin.
805 komentues besojnë fort se gjithçka nis me Arsimin, duke u fokusuar më shumë tek cilësia e mësimdhënies, aftësitë e mësuesve dhe mënyra e punësimit të tyre. Një sugjerim interesant ishte që përvec testimit të dijeve të mësuesve, të bëhet krahasimi i rezultateve të punës së tyre tek nxënësit dhe vendosja e pagës në varësi të këtyre rezultateve. Vijimi i përpjekjeve për forcimin dhe modernizimin e Arsimit profesional mbështetet me shpeshtësi të lartë, ndërsa Arsimi i lartë dhe universitetet përmenden rrallë.
790 komentues besojnë se duhet investuar fort në bujqësi, që nga mbështetja e fermerëve për të prodhuar e deri tek infrastruktura e lidhjes së fshatrave me qytetet e tregjet apo rilindjen urbane që duhet të shkojë në çdo fshat. Një shqetësim të madh paraqet edhe kontrolli i produkteve, ku komentuesit mbështesin idenë e ndërhyrjes në legjislacion duke vendosur rregulla dhe dënime shumë herë më të rrepta për pesticidet e kimikatet e dëmshme, kur ato përdoren. Siguria ushqimore është përmendur me shpeshtësi të lartë në këtë grup.
564 komentues kanë kërkuar të shihet me prioritet shëndetësia, duke vënë në qendër të shqetësimeve të tyre mjekët e korruptuar apo mungesën e ilaçeve dhe shërbimeve. Vlen për t’u theksuar se në këtë grup vlerësohet me shpeshtësi të lartë nga komentuesit që ka patur ndryshime pozitive në shëndetësi, por ka ende më shumë për të bërë.
511 komentues kërkojnë hapjen e vendeve të reja të punës përmes rritjes së investimeve të huaja, ndërhyrjeve në arsim për një formim më të përshtatshëm me tregun, mbështetjen e biznesit duke ulur taksat, mbështetjen e të rinjve me fonde për të hapur biznese apo mbështetjen e bizneseve ekzistuese që punësojnë të rinjtë, si edhe shumë opsione lehtësirash të tjera për sipërmarrjet.
470 komentues sugjerojnë të ecet më tej me programin e rilindjes urbane duke e lidhur fort me përmirësimin e nevojshëm të infrastrukturës, përmirësimin e imazhit, rritjen e turizmit dhe me forcimin e ekonomisë lokale.
466 komentues kërkojnë të vijohet me forcimin e shtetit në kuptimin e zbatimit të ligjeve, rregullave, kontrollit, barazisë së trajtimit të qytetarëve, shërbimeve dhe mbrojtjes së shtresave më në nevojë. Shpeshtësi të lartë mbajnë sugjerimet për të ecur më shpejt me reformat në rrugën e integrimit në BE, pasi suksesin e këtij procesi e lidhin drejpërdrejt me ekonominë, mirëqenien e tyre dhe me cilësinë e shërbimeve publike.
402 komentues sugjerojnë të punohet më fort për rritjen ekonomike duke ndërhyre që nga ulja drastike e taksave e deri tek shtetëzimi i ndërmarrjeve dikur shtetërore për një shfrytëzim më të mirë të pasurive natyrore kombëtare. Shpeshtësi e lartë paraqitet me kërkesën për të vazhduar me luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.
294 komentues besojnë fort tek turizmi si prioritet kryesor në 4 vitet e dyta, duke adresuar nevojat për përmirësim të infrastrukturës turistike, nxitjen e përmirësimit të shërbimeve dhe cilësisë në hoteleri, si edhe afrimin e investitorëve apo emrave të mëdhenj në turizëm, si rruga më e mirë për zhvillim ekonomik dhe punësim.