Rama ngre grupet e punës, fati i administratës në dorë të këtyre...

Rama ngre grupet e punës, fati i administratës në dorë të këtyre deputetëve

422
0

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot ngritjen e pesë grupeve të punës të cilët do të përgatisin raporte të hollësishme që nga puna e deputetëve, te reforma në administratë dhe eliminimi i burokracive shtetërore për t’i diskutuar në fund të muajit gusht. Sipas kreut të qeverisë, Gramoz Ruçi do të drejtojë grupin e punës që do të përgatisë rekomandimet për veprimtarinë e partisë dhe punën e deputetëve, ndërsa Niko Peleshi do të drejtojë grupin e punës për reformën në Administratë.

FJALA E RAMES

Duhet ngritur nga sot një grup pune, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë dhe kryetarit aktual të grupit. Në përbërjen e tij mendoj të jenë dhe Taulant Balla, Saimir Tahiri, Ermonela Felaj, Klodiana Spahiu, Ulsi Manja e çdokush tjetër që Gramozi mund të shohë të arsyeshme të përfshijë. Ky grup duhet të përgatisë një raport në formën e një dokumenti rekomandimesh për çdo aspekt të veprimtarisë parlamentare të partisë, si dhe të aktivitetit të deputetit, jo vetëm në parlament, po edhe në zonën e përfaqësimit. Zyrat kryesore elektorale në çdo bashki të Shqipërisë duhet të adaptohen dhe të funksionojnë në katër vjetet e ardhshme si zyra të grupit parlamentar të qarkut – për suksesin e koalicionit të madh me njerëzit e zakonshëm, rrjeti kombëtar i zyrave të deputeteve është tanimë një domosdoshmëri. Nga ana tjetër, gjatë këtij turi duhet të analizohen dhe pastaj të renditen problematikat kryesore të natyrës politike, sociale dhe infrastrukturore që duhen adresuar në katër vitet e ardhshme, nga qeveria e re. Këto problematika dhe 3 prioritetet kryesore në çdo qark, të zbërthyera për çdo Zonë Administrative Zgjedhore, duhet të jenë pjese e raporteve që do të paraqesin udhëheqësit e qarqeve në Asamblenë Kombëtare të Partisë. Një grup pune, i përbërë nga Milva Ikonomi, Evis Kushi, Almira Xhembulla, Vilma Bello, Ardiana Jaku dhe Laert Duro duhet të përgatisë Dokumentin Kombëtar mbi sa më lart, në konsultim edhe me të gjithë kryetaret e bashkive, pa dallim ngjyrash partiake, pra një dokument sintezë të 12 raporteve të drejtuesve të qarqeve. Një grup pune i përbërë nga Niko Peleshi, Damian Gjiknuri, Bledi Çuçi, Lindita Nikolla, Ogerta Manastirliu duhet të analizojë organizimin administrativ në çdo sektor dhe të përgatisë një Dokument Rekomandimesh për reformën e administratës shtetërore. Ky dokument duhet të përmbajë një analizë të gjendjes ekzistuese si edhe një draft-projekt ristrukturimi të rrjetit të agjencive, inspektoriateve, zyrave kombëtare, rajonale e lokale; me propozime për shkrirjen, bashkimin, apo zgjerimin, rast pas rasti, të institucioneve ekzistuese. Edhe ky dokument duhet të jete gati për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë, në fund të gushtit. Po njësoj, duhet të përgatitet edhe Dokumenti i Rekomandimeve për Derregullimin, mbi një analize tërësore të numrit të licencave e dokumenteve që kërkohen në këtë vend për të marrë të drejta, apo shërbime nga shteti. Qëllimi ynë do të jete që ta lehtësojmë në maksimum peshën e burokracisë mbi njerëzit dhe mbi sipërmarrjet, si dhe te garantojmë që çdo dokument që i kërkohet qytetarit, apo sipërmarrjes nga zyrat e shtetit, vetë shteti ta siguroje për qytetarin, ose sipërmarrjen në një sportel të vetëm, pa e detyruar qytetarin të bredhë në 17 zyra për të plotësuar dosjen e një kërkese ndaj shtetit dhe të ndeshet me 17 hajdutë. Për këtë dokument duhet te angazhohet një grup pune i përbërë nga Arben Ahmetaj, Erion Braçe, Ilir Beqja, Ditmir Bushati, Elisa Spiropali, Klotilda Ferhati dhe Milena Harito. Një grup pune i përbërë nga Fatmir Xhafaj, Blerina Gjylameti, Ilir Pendavinji, Alket Hyseni, Ana Dhamo, Flamur Golemi dhe Arben Kamami duhet të analizojë dhe të përmbledhë në një raport sa më të plotë për Asamblenë kombëtare, gjendjen aktuale politike dhe organizative të partisë në çdo qendër votimi nën dritën e rezultatit të 25 qershorit.