Rama çon ”me pushime” prokurorinë e Tiranës: Tirja vepronte e vetme, ma...

Rama çon ”me pushime” prokurorinë e Tiranës: Tirja vepronte e vetme, ma ngrohu zemrën puna e gazetarëve

308
0

Kreu i qeverisë Edi Rama ka folur sot lidhur me rastin korruptiv që u zbulua në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, teksa e cilësoi sanitaren një derr në pyllin e madh.

Edhe pse prokuroria është duke hetuar në lidhje me rastin, Rama nxitoi që të bënte tabelë qitjeje Tiren, që sipas tij u provua se nuk bashkëpunonte me mjekë apo personel të tjerë.

Sipas Ramës, në emisionin investigativ ku u publikua rasti korruptiv, nuk u provua që sanitarja kishte bashkëpunuar me persona të tjerë. Ndërkohë që burime bënë me dije më herët për FaxNews se po hetohen si të përfshirë në këtë ngjarje të paktën dhe katër persona të tjerë.

“Unë jam mirënjohës për të gjithë mjekët dhe infermierët, dhe patjetër që jam i keqardhur për atë histori, që faktikisht cënon imazhin, reputacionin dhe punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe infermierëve, dhe krijon pereceptimin se kjo është mënyra e punës së shumë njerëzve.

Ajo që më ka ngrohur është puna e bërë nga gazetarët investigativ, se kanë nxjerrë në pah një llumë tejet të papërtypshëm, njëkohësisht nuk kanë provuar, përkundrazi, në të gjithë invetigimin e tyre nuk kanë provuar se ajo sanitare ishte e lidhur me mjekë apo me infermierë të tjerë.

Është një kambanë alarmi që njerëzit nuk duhet të japin para në këtë mënyrë, pyll pa derra nuk ka, kjo nuk e zhbën punën e të gjithë mjekëve të tjerë. Ju jeni më të ekspozuarit dhe jo vetëm që s’keni lënë njeri rrugëve dhe pa trajtuar, por keni vënë edhe jetën tuaj në rrezik. Të gjithëve ju kanë garantuar mjete mbrojtëse, por kjo flamë ndonjëherë nuk pyet për asgjë. Besoj që me të gjitha këto ndryshime, edhe nga infrastruktura, edhe nga paga, besoj se edhe në këtë aspekt do të ketë përmirësim. Nuk do të ndalemi këtu”, tha Rama.

Gjykata e Tiranës vendosi sot masën e sigurisë ”arrest me burg” për sanitaren Tire Alldërvishaj, e cila akuzohet për veprën penale të mashtrimit, duke qenë se në një periudhë 28 ditore, dyshohet se i ka marrë një shumë prej 8 milionë lekësh të vjetra një shtetaseje, e cila interesohej për shëndetin e të ëmës, e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Avokatët e sanitares, u shprehën se ajo disponon prova që tabloja e ngjarjes nuk është ashtu siç është publikuar në media, dhe se persona e përfshirjes së personave të tjerë do të provohet në ditët në vijim. Ata kërkuar një masë më lehtësuese për Alldërvishajn, pasi sipas tyre ndodhej në gjendje të vështirë psikologjike dhe shëndetësore, pasi së fundi ka kaluar edhe Covid 19.