Qëndrimi i Holandës, Rama: Çështje e politikës së tyre të brendshme, ja...

Qëndrimi i Holandës, Rama: Çështje e politikës së tyre të brendshme, ja pse trajtohemi ndryshe nga….

297
0

 

Kryeministri Edi Rama ka folur mbi debatin e zhvilluar dje në Parlamentin holandez për integrimin e Shqipërisë, teksa Holanda kërkon që procesi për vendin tonë të trajtohet i ndarë nga Maqedonia e Veriut.

Nga foltorja e Kuvendit, Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është trajtuar si një çështje e politikës së brendshme të atij vendi. Sipas kreut të qeverisë, ai që do të kuptojë, e kupton që të gjitha fjalimet e bëra dje në Parlamentin e Holandës i janë drejtuar elektoratit të tij vendi.

Sa i takon faktit që Shqipëria po trajtohet ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Rama ka fajësuar opozitën, që dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet, duke u shprehur: “Ka një ndryshim të madh, që ka përcaktuar edhe në një pjesë të mirë dallimin në qëndrime dhe ky ndryshim është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu, flas për opozitën që nuk është në Parlament dhe që e braktisi, dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet me qëllimin për të minuar çeljen e negociatave”.

 Fjala e Ramës në Kuvend:

Në debatin e djeshëm në Parlamentin Holandez dikush që ka qenë i vëmendshëm që ka dëshirën të kuptojë e ka parë se si e gjithë çështja e ecurisë së mëtejshme të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit është trajtuar si një çështje e politikës së brendshme të atij vendi. Besoj se duke ndjekur debatin në Parlamentin holandez kushdo që dëshiron të kuptojë ka mundur të kuptojë që të gjitha fjalimet e bëra në Parlament janë drejtuar elektoratit të atij vendi.

Ata që mendojnë se po kërkohet një ndarje e Shqipërisë nga Maqedonia, jo vetëm kanë gabuar, por kanë dështuar. Ka një ndryshim të madh, që ka përcaktuar edhe në një pjesë të mirë dallimin në qëndrime dhe ky ndryshim është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu, flas për opozitën që nuk është në Parlament dhe që e braktisi, dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet me qëllimin për të minuar çeljen e negociatave. Maqedonia e Veriut nuk është pa konflikte, por ka konflikte krejt të ndryshme nga këto në Shqipëri. Opozita në Maqedoninë e Veriut, as dje dhe as sot, nuk merr rrugët e Evropës për të bërë të pabërën për vendin e vet.

Nga ana tjetër, është shumë e qartë dhe do jetë gjithmonë e më e qartë deri në momentin e marrjes së dënimit se vendimi i KE nuk ka lidhje fare, po fare, me çfarë kemi bërë apo çfarë nuk kemi bërë ne, sepse unë nuk mendoj që Finlanda qenka më pak ekzigjente dhe më tolerante ndaj krimit e korrupsionit, sesa Holanda. Nuk mendoj që Austria qenka më pak e interesuar për të pasur zgjedhje më të mira në Shqipëri, sesa Gjermania. Nuk mendoj që Suedia paska sytë e mbyllur përballë procesit të Reformës në Drejtësi dhe nuk i bën përshtypje që Gjykata Kushtetuese nuk është akoma funksionale dhe i bën Gjermanisë. Nuk funksionon kështu. Ajo që po ndodh sot me zgjerimin, është një debat brenda BE.

Të gjitha këto duhet të na japin të kuptojmë se kemi hyrë në një lojë shumë më të komplikuar. Kemi arritur në fazën ku po kërkojmë të ngjitemi në një tjetër nivel të marrëdhënieve me një familje të madhe interesash dhe në atë familje natyrisht që as ne, as Maqedonia e Veriut, nuk shihemi sikur po na vëzhgon ndonjë OJQ, por shihemi në bazë të interesit në radhë të parë.