Publikohet dosja e vrasjes së Kenedit, por… disa faqe mbeten ende sekret

Publikohet dosja e vrasjes së Kenedit, por… disa faqe mbeten ende sekret

155
0

Presidenti amerikan Donald Trump i dha dritën jeshile publikimit “online” të 2891 dokumenteve mbi vrasjen e John Kennedy, por jo të gjitha dosjet e fshehta do të hapen për publikun, duke ushqyer kështu në vazhdim teoritë konspirative që nuk reshtin prej vitesh. Dje u deklasifikuan 2891 dosje të CIA dhe FBI mbi atentatin kundër presidentin amerikan në nëntor të 1963. Kjo periudhë publikimi u vendos nga Kongresi në bazë të një ligji të firmosur nga presidenti George Bush në vitin 1992 në përpjekje për të qetësuar teoritë konspirative rreth vrasjes së Kennedy-t që iu atribuua Lee Harvey Oswald. Që atëherë mijëra nga këto dokumente janë zbuluar për publikun nga Arkivat Kombëtare. Publikimi i disa prej arkivave është shtyrë deri në prill të 2018-ës me vendim të presidentit amerikan Donald Trump. Nga Shtëpia e Bardhë kanë theksuar se këto dokumente do të kenë një analizë shtesë. Sipas memorandumit të Trump, “komuniteti amerikan pret dhe meriton që Qeveria t’i sigurojë qasjen maksimale të mundshme në dokumentet për vrasjen e Presidentin John F. Kennedy, në mënyrë që njerëzit të jenë tërësisht të informuar në lidhje me të gjitha aspektet e kësaj ngjarjeje”. Lideri amerikan theksoi se departamentet ekzekutive dhe agjencitë propozuan “që disa informacione duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të fshehta për shkak të interesave të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe çështjeve të jashtme. Megjithatë vendimi i Trump është një triumf për shërbimet e inteligjencës amerikane, të cilat kanë lobuar për mospublikimin e të gjitha dokumenteve. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u dorëzua përpara presioneve të CIA-s dhe FBI-së, që argumentojnë se për arsye të sigurisë kombëtare, disa prej të dhënave duhet të mbeten sekret. Bëhet fjalë për rreth 500 dokumenta, shqyrtimi i të cilave, sipas Trump, do të kërkojë edhe të paktën 6 muaj kohë. Vendimi i republikanit shkaktoi zhgënjim e polemika. Çfarë fshihet në këto qindra faqe të mbyllura? A nuk ishin 25 vjet një kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur për afatin historik? Opinioni publik amerikan e meriton që qeveria e tij t’i garantojë qasjen më të madhe të mundshme në informacionin që rrethon vrasjen e Presidentit Kennedy në mënyrë që të kenë çdo të dhënë mbi aspektet e këtij eventi historik, thuhet në deklaratën e manjatit, që shton se nuk kishte pasur megjithatë zgjedhje tjetër, përveçse të pranonte propozimet e departamenteve edhe agjensisë të administratës së tij, në vend që të lejojë t’i kryhet një dëm i pakthyeshëm sigurisë kombëtare. Historianë, gazetarë e të apasionuar pas kësaj ngjarjeje shpresojnë të gjejnë tek dokumentet e publikuara ndonjë detaj më shumë mbi udhëtimin e Lee Harvey Osvald në Mexico City, ku u takua me agjentë rusë e kubanë dy muaj përpara atentatit të Kennedy. Osvald, i cili kishte qenë i arratisur në Bashkimin Sovjetik, nuk pranoi ta kishte qëlluar Presidentin dhe dy ditë pas episodit u vra Jack Ruby, pronar i një klubi nate, duke shtuar kështu frikën se bëhej fjalë për një komplot. Ekzistenca e 300 dokumenteve që vazhdojnë të jenë nën kyç është një lajm i shkëlqyer për fansat e teorive të konspiracionit. Kështu, edhe një herë tjetër kanë provën se ka diçka që nuk shkon në versionin zyrtar të vrasjes së Presidentit. 63% e amerikanëve nuk e pranojnë që vrasësi i Kennedy, Lee Harvey Oswald, ashtu siç e cilëson Shenon “ujk i vetmuar”. Portali WikiLeaks ka publikuar në llogarinë e tij në Twitter premtimin për një shpërblim prej 100 mijë dollarësh për  dokumentet e klasifikuara mbi vrasjen e Kennedyt në rast se tregojnë shkelje të ligjit, inefikasitet apo një gabim administrativ.

loading...