Pse po hetohet nga FBI dhëndëri i Presidentit Trump..

Pse po hetohet nga FBI dhëndëri i Presidentit Trump..

442
0

 

Jared Kushner, dhëndëri i Presidentit Donald Trump dhe këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, është pjesë e hetimeve të FBI-së për lidhjet me Rusinë, sipas “Washington Post-it” dhe rrjetit televiziv “NBC News”. Kushner po hetohet për shkak të takimeve në dhjetpr dhe për shkak të komunikimeve të tjera me ambasadorin e Rusisë dhe një bankier në Moskë, sipas një njoftimi të Washington Postit, që i referohet burimeve me njohuri nga hetimet. Kushner është zyrtari i vetëm, që dihet, nga Shtëpia e Bardhë, i konsideruar si një person kyç në hetime, sipas gazetës. FBI-ja, disa komisione të Kongresit dhe një prokuror i posaçëm janë duke kryer hetime mbi dy pista, njera mbi dyshimet se Rusia është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe tjetra se këshilltarë të presidentit Trump mund të kenë pasur lidhje me zyrtarë rusë, të cilët synonin të ndikonin mbi zgjedhjet. Çështja e hetimeve të lidhjeve me Rusinë ka marrë një vëmendje të shtuar dhe e ka vënë në qendër të sulmeve administratën e presidentit Trump, që kur ai shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey më 10 maj. Moska vazhdimisht i ka mohuar akuzat dhe presidenti Trump ka hedhur poshtë mundësinë për lidhje të fshehta të ndihmësve të tij me Rusinë. Zyrtarë në dijeni të zhvillimeve i thanë rrjetit televiziv “NBC News” se interesi i autoriteteve ndaj zotit Kushner nuk nënkupton se ai mund të ketë kryer ndonjë krim ose se prokurorët do të ngrenë akuza. Ende nuk dihet në se FBI-ja i ka kërkuar zotit Kushner të dorëzojë ndonjë dokument. Një prej avokatëve të zotit Kushner, Jamie Gorelick, përmes një deklarate tha se klienti i saj do të bashkëpunojë me autoritetet.

FBI-ja dhe Shtëpia e Bardhë nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment mbi këtë çështje./VOA