‘Protestoni për të drejtat tuaja’, Meta thirrje shqiptarëve: Presidenca kështjellë e pamposhtur e lirisë

Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje  shqiptarëve të protestojnë për të drejtat e tyre, përmes një mesazhi në të cilin ka cituar regjisorin Edmond Budina.

 

“Të protestosh me art ka qenë forma që ai ka zgjedhur”,  kështu ka thënë Budina në premierën e monodramës satirike “Profeti i Kokoshkave”, shprehje e cila është cituar më pas nga Meta.

 

“Një mbrëmje artistike e paharruar dje në Presidencë, ku patëm kënaqësinë e veçantë të ndiqnim premierën e monodramës satirike “Profeti i Kokoshkave” të artistit tonë të shquar dhe regjisorit të mirënjohur, Edmond Budina.

 

Shumë i lumtur që kjo shfaqje e jashtëzakonshme teatrale, e lindur si shenjë proteste kundër shkatërrimit brutal dhe kriminal të Teatrit Kombëtar, mblodhi me dhjetëra artistë, profesorë, diplomatë, politikanë e gazetarë që gjithmonë do t’i kenë dyert e hapura në këtë institucion, kështjellë të pamposhtur të lirisë, të drejtave të njeriut e demokracisë, por edhe të mbrojtjes së artit dhe trashëgimisë kulturore kombëtare.

 

“Profeti i Kokoshkave” është një shfaqje kundër dhunës në përgjithësi dhe dhunës së pushtetit në veçanti, e frymëzuar nga protesta disa vjeçare dhe kauza mbarëkombëtare për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e kthyer tashmë edhe në çështje europiane.

 

Bashkëndaj plotësisht të njëjtin qëndrim me artistin tonë të mirënjohur Edmond Budina se:

“Magjia e teatrit, qëndron edhe në atë, që gjithkush gjen shëmbëlltyrën e x-deliranti, pretendent – diktatori apo diktatori. Dhuna dhe prepotenca e pushtetit, pavarësisht ngjyrës, mbeten të patolerueshme, sado të përpiqesh t’i veshësh me petkun e ëndërrt të demokracisë.

 

Të protestosht me art, kjo është forma, që unë kam zgjedhur. Por ju mos harroni: PROTESTA ËSHTË QYTETARI!

MOS HARRONI TË PROTESTONI PËR TË DREJTAT TUAJA!”, shkruan Meta.

Author: vizional