Protestë para kryeministrisë, studentët kërkojnë përgjysmim të tarifës

Protestë para kryeministrisë, studentët kërkojnë përgjysmim të tarifës

286
0

TIRANË– Studentët kërkojnë plotësimin e disa kërkesave të tyre, përpara kryeministrisë, pas vendimit për të zhvilluar mësimin online, për herë të dytë brenda këtij viti, për shkak të pandemisë së Covid-19. Në orën 11:00, Lëvizja për Universitetin, do të mbajë një protestë përpara godinës së Kryeministrisë, ku do të kërkojë përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës. Ndërkohë që sot, starton dhe viti i ri akademik, 2020-2021, ku për herë të parë, do të ndjekin fakultetin 21 mijë studentë të rinj.

Studentët pretendojnë se që prej karantinës së parë të muajit mars, kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë dhe se qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta. Për shkak të mungesës së meteve teknike, ata shtojnë se mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online dhe mijëra të tjerë mbetën të papunë, duke mos patur mundësi të paguanin as qiratë.

Tashmë, që me urdhër të Komitetit Teknik, konviktet janë mbyllur, gjendja e tyre përkeqësohet, pasi detyrohen të kërkojnë shtëpi me qira. Për këtë arsye, me anë të protestës së sotme, të rinjtë, kërkojnë që qeveria tu plotësojë kushtet e lartpërmendura.

Në të kundërt, ata kërcënojnë se bashkë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere, do të futen në Kryeministri.

Lajmërimi: Që prej karantinës së muajit mars studentët kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë. Po qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta. Mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online si pasojë e mungesës së mjeteve teknike dhe aksesit në internet. Mijëra të tjerë mbetën të papunë. Shumë mbetën të pastrehë në pamundësi për të punuar dhe paguar qiratë. Nëntë muaj më vonë, e njëjta situatë rrezikon të përsëritet. Mësimi online vazhdon të jetë i pamundur për shumicën e studentëve, qiratë janë rritur, kostot e jetesës po ashtu, karta studentore nuk funksionon, abone nuk ka, shërbime sociale e shkollore jo e jo. Ndërkohë qeveria në vend që të lehtësojë barrën e studentëve, i mban të larta tarifat e studimit dhe jep urdhër që konviktet të boshatisen nga studentët. Prandaj ne kemi ardhur këtu, përpara kryeministrisë, për të kërkuar: Përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, dhe një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës. Në të kundërt, në kushtet e keqshkollimit dhe papunësisë, mungesës së strehimit dhe parave, do të vijmë me mijëra studentë të tjerë, bashkë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere në kryeministri. Nëse kryeministria vazhdon të mbetet shtëpi e oligarkëve në kohë krize, ne do ta kthejmë në vatër të studentëve, punëtorëve, pensionistëve dhe qytetarëve të prekur nga pandemia. Kupa është mbushur dhe nuk mban më. #PërUniversitetin #PërShoqërinë