Programi Ekonomik i Reformave 2018-2020, Ekonomi: Me rëndësi për procesin e integrimit...

Programi Ekonomik i Reformave 2018-2020, Ekonomi: Me rëndësi për procesin e integrimit europian

491
0

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, mori pjesë sot në takimin lançues të Programit Ekonomik të Reformave (ERP) 2018-2020. Programi ekonomik i reformave, ose ERP, është një dokument i konsoliduar i punuar nga një grup ndërministror, i koordinuar nga Ministria e Ekonomisë dhe është dokumenti bazë mbi të cilin Shqipëria monitorohet nga Komisioni Europian në kuadër të reformave ekonomike që kanë një impakt në rritjen ekonomike dhe konkurrueshmëri. Programi Ekonomik i Reformave përbëhet nga dy shtylla kryesore. Shtylla e parë është kuadri makroekonomik e fiskal, ndërsa pjesa e dytë përmban reformat strukturore. Në takimin e sotshëm në Hotel Rogner, ku të pranishëm ishin përfaqësues të BE-së, OECD-së, donatorë etj, u diskutuan udhëzuesi i ERP 2018-2020, mësimet e nxjerra nga ERP-i i vjetshëm, mbështetja e OECD-së, sfidat e Shqipërisë dhe plani i punës për ERP 2018-2020. Në fjalën e saj, ministrja Ekonomi theksoi se “Shqipëria është bërë pjesë e këtij programi që nga viti 2014 dhe vazhdon të raportojë në mënyrë periodike në këtë program”. “Është e rëndësishme të kihet parasysh që duhet të jemi shumë bashkëkohorë në mënyrën se si ne hartojmë Programin Reformave Ekonomike dhe se si mendojmë të qasemi në zbatimin e të gjitha reformave”, nënvizoi ajo. Ministrja Ekonomi u shpreh se “besoj se të gjithë biem dakord që ERP ka qenë diçka shumë e rëndësishme drejt procesit të integrimit europian. Nga ky proces ne kemi parë dy gjëra të rëndësishme: kemi parë në mënyrë sistematike si zhvillohet Shqipëria, kemi parë në një mënyrë sistematike se si krahasohet zhvillimi i Shqipërisë me vendet e tjera të rajonit. Prandaj unë besoj se ka qenë shumë e rëndësishme për të gjithë pjesëmarrja në ERP. Për ata ekspertë që janë pjesë e programit të konektivitetit gjithashtu besoj që ERP është një instrument aq i domosdoshëm për të hartuar edhe më mirë këtë politikën e konektivitetit”. “Qeveria shqiptare është shumë e angazhuar për të bërë një Program Reformash Ekonomike sa më cilësore. Të gjithë ju e dini dhe e keni parë se si kërkohet të ndërthuret njohuria për ERP me njohuritë e buxhetimit, duke u takuar vazhdimisht me donatorë për të kuptuar nënfushat e prioriteteve që duhet të gjejnë zgjidhje në gjithë programet tona të planifikimit buxhetor”, tha Ekonomi.