“Prita 17 vite për t’u operuar”/ Historia rrëqethëse e 49-vjeçares që u...

“Prita 17 vite për t’u operuar”/ Historia rrëqethëse e 49-vjeçares që u përplas nga kamioni kur ishte 20 vjeç: Mjeku që bëri gabimin zhduku dosjen time

608
0

TIRANË– Albina Lleshi ka treguar në programin “Historia ime”, në Tv Klan për aksidentin që i ndryshoi krejtësisht jetën. Kur ishte 20 vjeç u përplas nga një kamion, qëndroi për rreth një javë në gjendje kome dhe kur u zgjua mësoi se kishte thyerje të legenit, por edhe dëmtime të shumta, në pjesë të ndryshme të trupit.Albina tregon se nuk mund të bëhej dot operacion, por mjekët i kërkuan të qëndronte në krevat, në spital, për 3 muaj pa lëvizur. Por pas dy muajsh një mjek, pas vizitës që i kryen i kërkon të ngrihet sepse gjendja e saj ishte më mirë. Kjo rezultoi me pasoja të mëdha për të, pasi asaj i ra të fikët dhe nga grafia që u bë, mësoi se thyerjet ishin hapur sërish dhe kishte pësuar edhe deformime.Gjendja u përkeqësua, por operacioni nuk po kryhej, prandaj familja vendosi ta çonte në Itali, por mjeku u bë pengesë sepse nuk i jepte autorizimin.

 

 

Mirela Milori: Unë e kuptoj që është e vështirë, por ti ke rreth 30 vjet që përballesh me këtë situatë. Ka një moment që thua pse mua?

 

Albina Lleshi: E vërtetë ka momente aq më tepër kur je në gjendje kaq të vështirë dhe thua përse mua? Përse, përse? Tani jeta kështu është, dikujt i vjen më me probleme, dikujt më e lehtë, por janë gjëra që ndodhin. Unë të them të drejtën, në shumë momente edhe ndoshta dhe për faktin që unë jam dhe familje katolike.

 

Mirela Milori: Beson?

 

Albina Lleshi: Gjithmonë e kemi patur besimin aty. Kam menduar gjithmonë, ok ndodhi, por Zoti do të më ndihmojë, gjithçka do të përmirësohet avash-avash dhe do ja dal. Madje kam patur gjithmonë një mbështetje shumë të fortë, kam patur mamin tim, ajo ka qenë një grua shumë e fortë që më jepte gjithmonë kurajo. Ti je e re, ti do përmirësohesh, e shikon sot ke ndryshim nga dje? Gjithmonë më jepte kurajo.

 

Mirela Milori: Çfarë pësove nga aksidenti? Cilat ishin thyerjet dhe si nisi rikuperimi?

 

Albina Lleshi: Unë kisha 3 thyerje rreth legenit dhe kisha kokën e femurit të dëmtuar, ishte e dëmtuar shumë.

 

Mirela Milori: Si nisi rikuperimi në Tiranë?

 

Albina Lleshi: Mjekët në Tiranë më thanë, ke këtë thyerje, ke këtë problem. Fakti që thyerjet e legenit në atë kohë nuk trajtoheshin, nuk bëhej një operacion i tillë, doktoresha më tha që duhet të qëndroja 3 muaj në krevat pa lëvizur. Ndërkohë që unë kisha dhe shumë plagë të tjera në fytyrë, në duar, në këmbë, gjithandej sepse kisha rënë me fytyrë në asfalt.

 

Mirela Milori: U zbatua kjo, qëndrove ti tre muaj?

 

Albina Lleshi: Kjo nuk u zbatua sepse mua mbas dy muajsh, mbasi bëhet një konsultë që bëhet në gjithë repartin, shefi i repartit vjen dhe më thotë që ti duhet të ngrihesh të ecësh sepse je më mirë dhe nuk ke nevojë. Dhe unë si i sëmuri, që mezi e pret atë ditë për t’u ngritur, për të ecur sepse kisha dy muaj pa lëvizur nga krevati. Erdhi fizioterpisti më ngriti, në momentin që më ngriti në këmbë në krevat, mua sikur më ra tavani në kokë, nuk e di u ndjeva shumë keq, gati sa s’më ra të fikët. Ai më mori për dore për të më çuar deri tek korridori, kur kam shkuar aty më ka rënë të fikët, ai më ka marrë në krah dhe më ka çuar tek krevati. Babi ka parë që gjendja ime u përkeqësua shumë atë ditë dhe ka kërkuar me ngulm nga mjekët që të më bënin grafi.

 

 

Mirela Milori: Çfarë tregoi grafia?

 

Albina Lleshi: Grafia thoshte se të gjitha thyerjet ishin hapur, përveçse ishin thyer përsëri, ishin hapur ato që kishin filluar të ngjiteshin për dy muaj dhe ishin deformuar, kishin lëvizur.

 

Mirela Milori: Kushedi çfarë dhimbje do kesh pasur?

 

Albina Lleshi: Dhimbje të tmerrshme sa unë për tre ditë, nuk kam ngrënë, as nuk kam pirë asnjë gjë, vetëm me qetësues. Por më e keqja ishte se nuk kishte as qetësues, më bënin një analginë, që ajo maksimumi një orë mund të qetësonte një farë sasie dhimbje.

 

Albina tregon më tej se ajo priti 17 vjet për të bërë operacionin në Itali sepse sipas saj, doktori që e ngriti para kohe nga krevati zhduku gjithë dokumentacionin e saj.

 

Albina Lleshi: Unë kam pritur 17 vjet për të shkuar në Itali, për të bërë këtë operacion sepse mjeku që bëri këtë gabim, që më ngriti para kohe zhduku gjithë dosjen që una kisha me gjitha grafitë dhe dokumentacionin që kisha, që kur kisha ardhur në urgjencë. I zhduki për të humbur gjurmët që mos shikohej gabimi i tij. Ok e lamë atë, e mbyllëm atë debat dhe babi im i kërkoi, ok ndodhi kjo gjë, nëqoftëse në spital nuk e bëjnë këtë ndërhyrje,ma jep me shkrim që nuk bëhet kjo ndërhyrje dhe unë të drejtohem në Ministri të Shëndetësisë, për të kërkuar një kurim jashtë shtetit.

 

Mirela Milori: Të bëje një mjekim të mëtejshëm!

 

Albina Lleshi: Ai këmbëngulte që nuk bëhet dhe jashtë shtetit dhe unë nuk ta jap. Po pse s’ma jep? Se mua më heqin nga puna, Ministria e Shëndetësisë nëqoftëse unë i jap dikujt një gjë të tillë, që nuk bëhet këtu në Shqipëri. Domethënë as nuk e bënin dhe as nuk e jepnin të shkruar.

 

Mirela Milori: Sa vjet ishte kjo?

 

Albina Lleshi: Kam dalë në Shkurt të ’91 nga spitali dhe deri në 2007 kam qëndruar ashtu. Ecja me shumë vështirësi dhe shumë dhimbje. Nuk ecja dot më shumë se 10 minuta.

 

Marrë nga Klan Tv