”Prindërit s’dinin asgjë, kam dashur të vras veten” Alex Seitaj tregon si...

”Prindërit s’dinin asgjë, kam dashur të vras veten” Alex Seitaj tregon si luftoi për vite me radhë me depresionin

311
0

Në qoftë se mendoni se njerëzit e famshëm, ata që ndoshta kanë apo mund të kenë gjithçka duan në këtë jetë janë imunë ndaj depresionit, gaboni. Ai nuk ‘pyet’ për statusin social, llogaritë bankare, pasuritë e patundshme apo famën. Disa përpiqen ta mbajnë fshehur nga frika e stigmatizimit si ”i sëmurë mendor”, kurse të tjerë nuk e kanë aspak problem të flasin hapur rreth tij. Mes syresh është edhe aktori i njohur Alex Seitaj, i cili në një intervistë për “Thumbon” ka treguar se ka vuajtur nga depresioni, kur ishte veçse një adoleshent.

”Periudhë e vështirë në jetën time, depresioni. Ishte në kohën kur unë isha adoleshent, në shkollë të mesme kur shumë njerëz nuk e dinë kush janë dhe çfarë do bëjnë me jetën e tyre. Shkollën e mesme e kam bërë në qytetin e Korçës. Ka qenë periudhë e vështirë, e komplikuar. Nuk isha rehat me shumicën. Kisha udhëtuar dhe kisha parë vërdallë. Doja të organizoja festën e Halloëeen-it dhe të gjithë ishin të tmerruar nga kjo gjë sepse nuk e kuptonin festën.

Thoshin ç’janë këto tmerre. Kisha disa gjëra që i kisha përgatitur unë që u grisën. Llogjikisht kur je në një ambjent të tillë ti thua që ka diçka që s’shkon. Mendoja se është faji im. Kam patur mendime vetvrasjeje pafund. Kam arritur deri në atë pikë sa kam lënduar fizikisht veten, me brisqe, gjilpëra. Familjarët e mi dinin vetëm fraksione të vogla. Sepse unë isha i zhytur sa nuk hapesha dot me askënd, as e perceptoja fare të flisja me familjen që gjithçka të bëhej mirë. Kur je në atë dhomë të errët nuk e mendon se çdo hap drejt shpëtimit është i gabuar. Tentativat për t’u vetëvrarë nuk ishin për të tërhequr vëmendje. Këto veprime janë akte të dëshpëruara që njeriu do ta nxjerrë dufin tek vetja. Në momentin që flasim për problemet mendore, çrregullimet mendore janë të padukshme. Në momentin që unë shihja që shenjat shëroheshin, mendoja se kështu do ndoshte edhe me dhimbjen psikike, do shërohej. Nuk kërkova ndihmë sepse e dija që në pikën që isha askush s’do më ndihmonte” – u shpreh ai.

I pyetur si ia doli të shpëtonte, ai tha ” Rashë në dashuri me aktrimin, një dashuri ekstrem. Në atë moment thashë unë e dua këtë gjë. Mund të dal të performoj që të gjithë të qeshin me mua dhe nuk do më ndjejë fare. Gjeta një arsye për të vazhduar që vërtetë e doja. Kështu që edhe këshilla ime është të gjendet diçka, një person pas të cilit të kapeni. Dashuria është motivim shumë i mirë për të vazhduar përpara. Nuk ka patur moment të dytë. Unë vazhdoj të punoj me veten, është punë e vazhdueshme krijimi i balancimit.”