Ekonomi

Prezantohet raporti i Cilësisë së Jetës, ja ku renditet Shqipëria në Europë

By vizional

June 26, 2018

Raporti “Cilësia e jetës- publikimi i të dhënave për të nxitur politika më të mira”, i hartuar nga Komisioni Europian, ku përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor është prezantuar ditën e sotme në Beograd, në një event që ka bërë bashkë 50 përfaqësues të autoriteteve publike në nivele europiane dhe rajonale. Fokusi i seminarit ishte prezantimi i gjetjeve për vendet kandidate në Bashkimin Europian – Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia, të cilat u përfshinë në anketë për herë të parë. Në seminar u diskutua lidhur me anketën më të fundit evropiane të Cilësisë së Jetës të Eurofound dhe gjetjet e saj mbi jetën dhe shoqërinë në vendet kandidate të BE. Rezultatet e sondazhit në vendet kandidate ofrojnë të dhëna të reja për të plotësuar statistikat ekzistuese sociale. Seminari ishte një mundësi e parë për pjesëmarrësit që të diskutojnë gjetjet dhe të shohin se si të dhënat mund të ndihmojnë në përcaktimin e prioriteteve dhe formësimin e politikave të reja. Raporti i studimit tregon rezultatet në tre fusha kryesore: cilësia e jetës, cilësia e shoqërisë dhe cilësia e shërbimeve publike. Për BE28 që nga sondazhi i vitit 2011, nivelet e optimizmit janë rritur, kënaqësia me standardet e jetesës është rritur dhe disa tregues të tjerë të cilësisë së jetës janë kthyer në nivele të para krizës në shumë vende. Megjithatë, pabarazia e vazhdueshme dhe paqartësitë në rritje mbeten, për shembull, në perceptimin e përjashtimit social dhe njerëzit me të ardhura më të ulëta raportojnë më pak përmirësime në cilësinë e shërbimeve publike. Dallime të veçanta janë të dukshme midis vendeve, gjinisë, grupit të të ardhurave dhe të ardhurave. Anketa Evropiane e Cilësisë së Jetës është një studim unik pan-evropian që shqyrton kushtet e jetës së qytetarëve evropian në lidhje me mirëqenien individuale dhe cilësinë e shoqërisë dhe shërbimeve publike. Ai përfshin tema të tilla si shëndetësia, strehimi, ekuilibri i familjes dhe i punës dhe i jetës, si dhe besimi, pjesëmarrja në shoqëri, përjashtimi social dhe tensionet shoqërore.

 

Shqiptarët, më të pakënaqurit e Europës

 

Në përgjithësi vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten pas atyre të bashkimit Europian në të gjithë treguesit e matur në raport. Por, ajo që performon më keq është Shqipëria, e cila është e fundit në pothuajse të gjithë treguesit. Për pyetjen “Sa të kënaqur jeni ju me jetën tuaj ditët e sotme”, për të gjitha moshat dhe gjinitë, Shqipëria ka një mesatare prej 4.9 pikë, që është më e ulëta në Europë. Pas Shqipërisë renditen Maqedonia me 5.1 pikë, Greqia me 5.3 pikë dhe Bullgaria me 5.6 pikë (shih grafikun). Nga rajoni, më të kënaqur me jetën janë serbët dhe malazezët, me nga 6.3 pikë secili. Të dhënat për Kosovën mungojnë. Shtetet që marrin pikët më të larta janë Danimarka, Finlanda dhe Suedia. Edhe për pyetjen tjetër, “Duke i marrë të gjitha në konsideratë, sa të lumtur do të thoni që jeni?”, Shqipëria ka një pikëzim prej 5.2, që është sërish më i ulëti në Europë dhe shumë më i ulët sesa i dyti më i palumtur pas nesh, që është Maqedonia me 6.1 pikë (shih grafikun në fund) . Për edukimin, Shqipëria ka gjithashtu vlerësimin më të ulët, me 5.8 pikë dhe pas saj vjen Turqia, me 6 pikë dhe Maqedonia me 6.1 pikë. Kënaqësia me standardet e jetesës është gjithashtu më e ulëta në Europë, me 5.1 pikë, shumë afër nesh është Maqedonia, me 5.2 pikë. Më të kënaqurit me standardet e jetesës në Europë janë danezët dhe suedezët, me përkatësisht 8.3 dhe 8.2 pikë. Më i ulëti në Europë është dhe perceptimi për cilësinë e akomodimit, me 6.5 pikë dhe i dyti pas nesh është Turqia me 6.6 pikë. Më të kënaqurit me akomodimin janë austriakët, danezët dhe irlandezët, me 8.4 pikë secili. Shqiptarët mbajnë rekord për vështirësitë që hasin për të zgjidhur problemet e tyre. 57% e tyre kanë pohuar se “kanë vështirësi për të zgjidhur probleme të rëndësishme që u dalin gjatë jetës”. Përqindja e dytë më e lartë është ajo e maqedonaseve dhe grekëve, me 38%.

 

Një tjetër pyetje, ku nuk ngurrojmë ta shfaqim pakënaqësinë me jetën është “Në jetën time të përditshme, unë rrallë kam kohë që të bëj gjëra që realisht më pëlqejnë”, ku Shqipëria ka përqindjen më të lartë të atyre që bien dakord me këtë shprehje (52%). Të dytët janë turqit me 49%, të ndjekur nga maqedonasit dhe rumunët.

 

67% e shqiptarëve bien dakord se “bëjnë diçka të vlefshme në jetë “, ndër më të ulëtat në Europë, pas grekëve (53%) dhe turqve (59%). Më të vlefshëm në Europë ndihen irlandezët (90%).

 

Ndryshe nga ambienti i jashtëm, perceptimi për kënaqësinë e jetës familjare është ndër më të lartët në Europë, me 8.6 pikë, në të njëjtat nivele me Danimarkën, Austrinë, Maltën etj., ndërsa me vlerësimin më të ulët në këtë pyetje janë Turqia, Bullgaria, Italia.

 

Pavarësisht se janë të pakënaqur me jetën, shqiptarët janë përgjithësisht optimistë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. 67% e tyre janë optimistë se do të kenë një të ardhme pozitive./Monitor